Gary Webb, e planifikoi me përpikëri vdekjen e tij. Ai shkroi 4 letra të gjata lamtumire, dhe ua postoi ato anëtarëve të familjes. Në banakun e kuzhinës së shtëpisë së tij në periferi të Sakramentos, ndodhej kërkesa e tij e paracaktuar për djegien e trupit, dhe karta e sigurimeve shoqërore.
Çelësat e makinave dhe motoçikletave të tij, ishin futur në një zarf, drejtuar djalit të tij më të madh. Të gjitha sendet e tij personale, mes tyre shumë çmime nga vitet e tij si gazetar investigative, ishin paketuar me kujdes në një kuti në një cep të dhomës së tij. Ai kishte lënë edhe një shënim të fundit në derë. “Ju lutem mos hyni. Telefononi 911-ën për ndihmë. Faleminderit”.
Pastaj, gjatë mbrëmjes së 9 dhjetorit, Webb në moshën 49-vjeçare, hyri në dhomën e gjumit. Dhe aty qëlloi veten me një pistoletë të kalibrit 38. Goditja e parë, i shkaktoi një plagë jo fatale. Ndaj ai tërhoqi sërish këmbëzën. Goditja e dytë, i mori jetën, duke i çarë arterien kryesore. Ky është të paktën, varianti zyrtar.
Trupi i tij u gjet të nesërmen. Për javë të tëra, shumë blogerë në internet u trishtuan nga ai lajm. Disa aluduan për një vrasje të organizuar nga qeveria amerikane. Në vitin 1996, Webb publikoi një seri shkrimesh për gazetën “San Jose Mercury”, të cilat sugjeronin se CIA ishte e përfshirë në epideminë e përdorimit të madh të kokainës në vitet 1980 në SHBA, si një mjet për të ndihmuar trafikantët e drogës në Nikaragua, që financonin Contra, lëvizjen e guerrilasve të djathtë kundër qeverisë së majtë që drejtonte vendin.
Premisa e tij se qeveria amerikane ishte në dijeni, madje e inkurajoi trafikun e e drogës, shkaktoi zemërim, veçanërisht në mesin e komunitetit afro-amerikan, që ishte më i prekuri nga pasojat e kësaj lloj droge. Agjensitë qeveritare dhe media, nisën hetimet e tyre mbi raportin e Webb.
Nën presion, shefat e tij në gazetë, u distancuan nga raporti. Në një editorial, ata pranuan se investigimi e kishte tepruar me “gjetjet e tij provokuese”.
Për pasojë, Webb u detyrua të jepte dorëheqjen nga gazeta. Mediat kryesore në SHBA, iu kundërvunë, dhe për shumë njerëz pranë Webb, kjo ishte arsyeja e ndërprerjes së karrierës gazetareske, dhe më pas fundit të tij tragjik. Për më shumë se një dekadë, gazetari u përball me depresionin klinik.
Ai kërkonte shpesh ngushëllim në sjellje të rrezikshme. Shkaktoi shumë aksidente me makinën dhe motoçikletën e tij. Në pamje të parë, Webb dukej një njeri i sigurt dhe i vendosur. I admiruar deri në idhujtari nga disa kolegë të tij, që më vonë e braktisën, ai ishte i aftë të gërmonte çdo dokument publik, një talent që e ndihmoi të fitonte më shumë se 30 çmime, dhe të fitonte imazhin e një reporteri të guximshëm.
Sidoqoftë, pamja e tij fshihte një trishtim të madh. “Deri në fundin e jetës, ai kishte shumë dhimbje. Flinte shumë, urrente të çohej në mëngjes, nisi të shkaktonte shumë aksidente me motorin e tij. Aq sa nisa të mendoja: Geri ka dëshirë të vdesë!”- shprehet ish-gruaja e Webb, Suzan Bell.
Webb nisi të mjekohej kundër depresionit dhe ankthit. Por hoqi dorë nga ilaçet pak muaj para fundit tragjik, pasi iu ankua miqve të tij të ngushtë, se ato e bënin atë të ndjehej më keq. Me egon e tij që varej nga puna e tij si gazetar, Webb kishte nevojë për një histori të mirë që të përmirësonte gjendjen shpirtërore.
Por pas skandalit mbi CIA-n, asnjë nga gazetat kryesore nuk do ta punësonte atë. I izoluar, në borxhe, dhe në prag të humbjes së shtëpisë së tij, Webb u shpjegonte anëtarëve të familjes arsyen e veprimit ekstrem. “Na tha se nëse nuk mund të shkruante, atëherë çfarë kuptimi kishte të vazhdonte të ecte përpara?!”- kujton Bell.
Historia e investigimit që do të trondiste SHBA-në, nisi në korrikun e vitit 1995. Gjithçka filloi me një shënim të shkruar më dorë, lënë në tavolinën e punës së Webb. Një grua, për të cilën gazetari nuk kishte dëgjuar kurrë, thoshte se dëshironte të bisedonte me të.
Ajo kishte lënë emrin dhe numrin e saj, asnjë informacion tjetër. I intriguar, Webb i telefonoi menjëherë. Gruaja ishte e dashura e një trafikante droge. Ajo tha se një nga dëshmitarët që po dëshmonte në gjyq kundër të dashurit të saj, punonte për CIA-n, që ishte duke shitur drogë me “tonelata”.
Në fillim, Webb ishte skeptik. Ai e pyeti:”A mund ta dokumentoni këtë që thoni?”. Ajo u përgjigj: “Absolutisht po”. Në javët dhe muajt që pasuan, Webb shpenzoi qindra orë duke shqyrtuar dokumente, duke intervistuar dhjetëra burime, dhe duke kryer disa udhëtime në Amerikën Qendrore.
Në gushtin e vitit 1996, ai pretendoi në investigimin e tij se një bandë e trafikut të drogës e lidhur me Contra, ndihmoi në bumin e madh të përdorimit të kokainës në SHBA në vitet 1980, duke sjellë sasi të mëdha të kësaj droge në rrugët e Los Anxhelosit, në dijeninë dhe mbrojtjen e CIA-s. Pretendimi i Webb, ishte tashmë i njohur.
Një komitet i kongresit, i kryesuar nga senatori demokrat Xhon Kerri, kishte publikuar një raport prej 437 faqesh që në vitin 1989, ku arrihej në përfundimin se administrata Regan kishte “vonuar, ndalur ose ndërhyrë” në hetimet kundër trafikut të drogës, kur ato binin ndesh me përpjekjen e saj për të ndihmuar Contra-n.
Por investigimi i Webb, përfshinte 3 akuza të reja të rënda:që një rrjet trafikantësh të lidhur me CIA-n, kishin dërguar “miliona” dollarë Contra-s, që kjo shkaktoi një bum të përdorimit të kokainës në vitet 1980 në Los Anxhelos dhe qytetet e tjera të SHBA-së; dhe se CIA e aprovoi këtë skemë, ose e toleroi atë.
CIA caktoi një hetues special për të hetuar çështjen. Kongresi bëri thirrje për seanca dëgjimore. “Los Angeles Times”, “Washington Post” dhe “The New York Times”, nisën hetimet e tyre. Ato hodhën poshtë pretendimet e Webb. Vetë CIA e përfundoi hetimin e saj 17-mujor në vitin 1998, duke deklaruar se nuk gjeti asnjë prove, që rebelët nikaraguanë të mbështetur nga SHBA-ja, të kishin marrë mbështetje të konsiderueshme financiare nga trafikantët e drogës.
Shtypi alternativ, që e cilësoi Webbin një hero, fajësoi mediat kryesore, veçanërisht Los Angeles Times, për fajësimin e gazetarit. Në shkurtin e vitit 2004, ai u pushua nga puna e tij e fundit. Webb u dërgoi CV-në e tij 50 gazetave të përditshme në të gjithë vendin. Nuk mori asnjë ofertë pune. Në dhjetor të atij viti, ndërmori aktin fatal./Tiranatoday