3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Valdrin Pjetri, jo si individ, por si ‘fenomen’

Më të lexuarat

Nga Fitim Zekthi 

Një nga format e dënimit në Romën e Vjetër ishte ajo e lidhjes së trupit të dënuarit me një njeri të vdekur. Me kalimin e ditëve, trupi i të vdekurit duke qenë i lidhur me atë të të gjallit do të niste të kalbëzonte ngadalë edhe atë të të gjallit.

I gjalli do të përjetonte një vdekje të ngadaltë nga kalbëzimi, infektimi, gangrenizimi. Pas gjashtë vitesh në pushtet qeveria e kryeminsitrit Rama po përjeton saktësisht atë që përjetonte i dënuari në këtë mënyrë në Romën e Vjetër.

Ajo është e lidhur prej kryeministrit Rama me trupin e vdekur, kalbëzues dhe shkatërrimtar të krimit. Rasti i fundit ku i përzgjedhuri nga kryeministri Rama si kandidat për të drejtuar bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri, rezulton i dënuar në Itali për trafik droge duket se nuk lë asnjë dyshim për këtë simbiozë.

Valdrin Pjetri është, deri më tani, i fundit ndër të përzgjedhurit e kryeministrit Rama për të drejtuar bashki ose për të qenë deputet, që vjen nga lidhje të tilla me botën e krimit dhe të trafikut të drogës.

Shqipëria ka vuajtur shumë këto vite për të mësuar të vërtetën për shkak të një klase të korruptuar “intelektualësh”, edhe për shkak të drejtuesve të medias dhe analistëve të tyre të cilët, duke tradhëtuar për interesa të ngushta detyrën e tyre, nuk e thanë kurrë që në krye se qeveria e kryeministrit Rama ishte në këtë simbiozë shkatërrimtare për vendin me krimin dhe drogën. Ka prej tyre që as tani nuk e thonë.

Ka prej tyre që edhe tani thonë se ai është një rast që nuk implikon kryeministrin. Ka prej tyre që thonë se Valdrin Pjetri ka punuar në qeveritë e PD-së dhe kështu ata duan që ta relativizojnë dhe ta çlirojnë Ramën nga çfarë është në të vërtetë kjo ngjarje.

Në shkencat sociale (mes atyre edhe ato politike) në qoftë se një ngjarje vëzhgohet disa herë (mjaftojnë edhe më shumë e dy – tre raste atëherë kjo ngjarje përbën një fenomen.

Në momentin që kemi një fenomen, atëherë ai i nënshtrohet një ligjësie që përcakton shkakun e shafqjes së tij dhe që tregon sjelljen dhe pasojat e fenomenit.

Rasti i Valdrin Pjetrit nuk është i pari.

Para tij ka qenë Mark Frroku, deputet i koalicionit qeveritar të kryeministrit Rama, para tij ka qenë Arben Ndoka deputet i përzgjedhur nga kryeministri Rama, para tij ka qenë Armando Prenga, deputet i përzgjedhur nga kryeministri Rama, para tij ka qenë Elvis Roshi, kryetar bashkie i përzgjedhur nga kryeministi Rama etj., etj.

Pra, emërime ose përzgjedhje të tilla nga kryeministri Rama përbëjnë fenomen. (Çudi si nuk e kanë parë “intelektualët” dhe nuk e kanë vënë re drejtuesit e mediave dhe analistët e tyre).

Çfarë e shkakton këtë fenomen, si sillet ai dhe çfarë e shkakton këtë fenomen?

Është e thjeshtë fare.

Thirrjen e krimit në politikë, në pozicione të larta drejtuese në bashki apo parlament, e shkakton ose nevoja e një partie apo e kryeministrit për t’u mbështetur nga krimi, ose nënshtrimi i kësaj partie apo i këtij kryeministri nga krimi.

Çështja është se, në përgjithësi, këto dy shkaqe bëhen një edhe sikur, në fillim, partia ose kryeministri të jenë të nënshtruar nga krimi dhe e thërrasin atë për mbështetje.

Në fund përfundon që nevoja për mbështetje bëhet gjithnjë e më e madhe, por edhe nënështrimi bëhet gjithnjë e më i madh.

Jemi në pikën e njeriut të dënuar në Romën e Vjetër. Mënyra se si shfaqet fenomeni, se si sillet ai, pasojat që ai sjell, janë të qarta për këdo dhe nuk ka nevojë të zgjatemi.

Ky fenomen korrupton të gjithë jetën politike dhe ekonomike, sjell varfëri dhe mjerim, rrit kriminalitetin në forma të ndryshme, shkatërron shpresën e shoqërisë për një jetë dinjitoze me punën dhe djersën e anëtarëve të saj, degjeneron qeverisjen në një autokraci apo në një shtet të kontrolluar nga një grup apo një klikë.

Po të shohësh mënyrën se si flet, se si sillet, se si mbrohet ose se si shpjegon gjendjen kryeministri Rama, do të kuptosh se ai është në këtë rrugë në mënyrë shumë të studiuar, të ndërtuar me shumë kujdes dhe në përputhje me një filozofi të caktuar.

Qeverisja e tij nuk është as e mirë as e keqe, morali që udhëheq qeverinë e tij nuk është as i mirë dhe as i keq, Rama vetë nuk është as “i mirë” dhe as “i keq”.

Qeverisja e Ramës, morali apo etika që udhëheq qeverisjen dhe veprimin e tij është përtej të mirës dhe të keqes.

Në një prej dialogjeve (Gorgia) të tij, Platoni paraqet Callicles i cili shfaq përbuzje për Sokratin, flet më neveri për moralin që ai mbron. Callicles thotë se e moralshme është ajo që sjell sukses, ajo që sjell fitore.

E moralshme është të jetosh në luks, të jetosh në bollëk, të sundosh, të dominosh etj.

Kjo gjë (pikëpamjet e Callicles) e cila në Greqinë e vjetër u përçmua, nuk u pranua kurrë, u kthye në mënyrë të vepruari nga autokracitë apo nga totalitarizmat, nga komunizmi, nga fashizmi, nga nazizmi.

Doktrinat që ushqyen fashizmin ose komunizmin sulmuan fetë, sulmuan krishtërimin dhe islamin, madje deri edhe budizmin, si fe që promovonin mbrojtjen për të dobëtit, si fe që promovonin moralin e skllavit, si fe që nuk lejonoin natyrën njerëzore të shfaqej në formën e vet të plotë, që nuk lejon të sundonte “vullneti për pushtet” etj.

Këto doktrina bënin thirrje për daljen nga morali, për çlirimin nga morali dhe për të ndërtaur një etikë përtej të mirës dhe të keqes. Në një farë mënyre këto doktrina flisnin me dashuri për dhunën.

Nga këto doktrina lindi koncepti i transvlerësimit të vlerave që, në thelb, është ndërtimi i një sjelljeje të re që nuk udhëhiqet nga morali, por që udhëhiqet nga ajo lloj etike që sjell domosdo sukses, që ngazëllen natyrën njerëzore, që nuk e kufizon apo e vendos atë në vargonjtë e moralit.

Gjithë kjo gjë e rëndë që duket sot ka qenë shumë e vështirë të shfaqet para njerëzve me pamjen e saj sepse, siç e thamë, media dhe intelektualët tradhëtuan detyrën dhe zgjodhën të mbrojnë qeverinë.

Opozita shqiptare, megjithë sulmet e egra që u përball dhe me megjithë luftën e poshtër në të cilën përpiqen ta mbajnë, ka arritur të kryejë detyrën themelore të një opozite.

Opozitat janë krijuar që në krye të herës për të thënë të vërtetat. Kjo opozitë, pavarësisht se sa kritika, mund të ketë kushdo, ka thënë të vërteta të mëdha. Kjo opozitë i ka treguar njerëzve thelbin e asaj që përfaqëson qeveria Rama.

Ligji i dekriminalizimit, i cili po e rrënon sot qeverinë dhe kryeministrin është një përpjekje e kryetarit të PD-së Basha dhe e PD-së. Në vitin 2015, kur deputetët e PD-së u sulmuan edhe fizikisht nga deputetët e akuzuar si të dënuar dhe trafikantë, askush nuk kishte as ndjeshmërinë më të vogël për të kuptuar se çfarë përfaqësonte qeverisja e Ramës dhe a kishim të bënim me një fenomen të thirrjes së krimit në politikë.

Në atë kohë, askush nuk e besonte ose nuk donte ta besonte opozitën për trafikun e drogës me avionë, për lidhjet e ministrit të Brendshëm, Tahiri, me trafikun etj.

Atë kohë askush nuk donte të besonte se opozita po thoshte të vërteta, përkundrazi të gjithë sulmonin opozitën.

Sot pas gjashtë vitesh qeveria ka vdekur në çdo kuptim.

Njerëzit sot shohin te qeveria atë që ajo është një zombie. Për fatin tonë të keq dhe për paradoks, sigurisht, “intelektualët” dhe drejtuesit e medias me analistët e tyre kanë qenë, jo thjesht më pas se sa opozita, por kanë qenë edhe kundër opozitës, e cila po dëshmohet se ka thënë të vërteta të mëdha.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit