7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Falet Kurban Bajrami, mesazhe për respektimin e gruas

Më të lexuarat

Në të gjitha xhamitë e Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, po kremtohet Kurban Bajrami që ka nisur duke e falur namazin e sabahut e më pas edhe të kësaj feste.

Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban Bajramit për Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Mesazhin e kësaj feste, apo siç njihet në gjuhen fetare si hytbe, e mbajti zëvendëskryetari i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhidi, që u ndal në rëndësinë dhe porosinë që përcjell kjo festë dhe në respektimin e të drejtave të femrës.

Mexhidi tha se porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë dhe sakrificës. Sipas tij, Zoti nuk e do besimtarin pasur që është koprrac, duke ftuar që pasuria të shpërndahet me ata që kanë nevojë.

Ai ftoi njerëzit që të jenë më solidarë e humanë, të tolerojnë dhe të luftojnë urrejtjet dhe xhelozitë.

“Të gjithë duhet të dimë se pasuria që kemi në këtë botë është një sprovë nga ana e Allahut xh.sh. se ku dhe si do ta shpenzojmë. Zoti nuk e do besimtarin e pasur që është koprrac. Pra, i madhi Zot urdhëron në shpërndarjen e pasurisë për ata që kanë nevojë, te i varfëri, te jetimi, i mbeturi pa përkrahje, i moshuari, pra te të gjithë njerëzit nevojtarë. Solidariteti dhe ndihma për të varfrit dhe njerëzit në nevojë është urdhër kuranor dhe amanet i Muhammedit a. s.[…] 21:27 Të gjithë ne duhet ta dimë se dhënia e ndihmës të varfërve nuk pakëson pasurinë tonë, ngase mirësia ruan pasurinë dhe nuk ka dyshim që Allahu xh.sh do t’ia shumëfishojë pasurinë atij që jep”, tha ai.

Zëvendëskryetari i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhidi, më pas japi mesazhin për respektimin e të drejtave të femrës, pasi sipas tij, në Kosovë po vazhdojnë të shkelen.

Ai u shpreh se femra është shtylla dhe gjysma e shoqërisë, por që i dha jetë edhe gjysmës tjetër të shoqërisë njerëzore e për shkak të kësaj, Mexhidi tha se meriton respekt dhe nder më të madh.

Sipas tij, Zoti i dhuroi asaj të drejtën për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo të nëpërkëmbët nga burri apo shoqëria.

Mexhidi gjithashtu uroi që kjo festë të shërbejë si motivim shtesë për të jetësuar edhe një të drejtë të rëndësishme të femrës e që është trashëgimia e pasurisë.

“Me keqardhje më duhet të them se liria fetare dhe të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tim në mënyra dhe forma të ndryshme duke filluar nga liria që i ka dhuruar Allahu xh.sh., veçmas e drejta e saj për të. Për jetë të dinjitetshme, e lirë dhe jo e nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës. Ende vazhdon femra të jetë e privuar nga hisja e saj në pasurinë e babait të cilën Kurani tash e 1400 vjet më parë ia garanton. Kurban Bajrami duhet të na shërbejë si motivim shtesë për të jetësuar këtë të drejtë të tyre”, vijoi ai.

Duke uruar festën e Kurban Bajramit, Mexhidi ftoi edhe për më shumë unitet mes njerëzve në luftimin e dukurive negative.

Ai tha se kemi përgjegjësinë të ngrisim një shoqëri ku gjynahu, diskriminimi, zilia e urrejtja nuk do të lejohen të triumfojnë ndaj së mirës, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

Mexhidi pati edhe një porosi për Qeverinë e Kosovës, që sipas tij, pavarësisht se nga kush udhëhiqet, duhet të shfaqë urtësi të lartë e veprime konkrete për kultivimin e bashkëjetesës fetare.

Për shoqërinë tonë është i domosdoshëm mobilizimi për luftimin e dukurive që i bëjnë dëm vendit tonë, që rrezikojnë të ardhmen e brezave. Le të ngrisim bashkërisht një shoqëri ku gjynahu, diskriminimi, zilia, urrejtja nuk do të lejohen të triumfojnë ndaj së mirës, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Qeveria e Republikës së Kosovës, pavarësisht kush qeverisë në krye të saj dhe pavarësisht orientimeve politike, shoqërore, fetare të saj, duhet të shfaqë urtësi të lartë e veprime konkrete në zhvillimin dhe funksionimin për kultivimin e bashkëjetesës fetare”, tha Mexhidi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit