-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Këshillat madhështore të profetit Muhamed për tregtarët

Më të lexuarat

Mr. Lulzim Beqiri

Gjatë tërë historisë së shoqërisë njerëzore, njerëzit kanë provuar sisteme të ndryshme ekonomike, politike, sociale e morale në mënyrë që të mundësojnë një mbarëvajtje dhe cilësi më të mirë jetese.
Secila nga këto sisteme, së paku në një mënyrë, shfaqi elemente që shkaktuan shtypje, padrejtësi, shfrytëzim e mjerim. Historia e sistemeve të ndryshme ekonomiko-shoqërore në botë, u dëshmua si e papërshtatshme dhe si jetëshkurtër për të mundësuar drejtësi dhe jetesë të balancuar. Kjo u dëshmua mjaft qartë në sistemin e dikurshëm skllavopronar në Evropë, pas tij në sistemin feudal dhe siç po shihet edhe sistemi i sotëm kapitalist po i shfaq anët e veta “jo korrekte”, ngjashëm me ato të kaluarat.
Në kohën e sotme është më se e domosdoshme që t’u jepen këshilla dhe modele të qëndrueshme ekonomistëve, tregtarëve dhe njerëzve të biznesit, në të katër anët e botës në mënyrë që njerëzimit t’i mundësohet një perspektivë dhe një jetë ekonomikisht më stabile.

Përveç parregullsisë së sistemit shoqëror, që shpesh herë shkakton padrejtësi (punëtorëve dhe të varurve nga pronari-ndërmarrësi) edhe manipulimet, mashtrimet, keqpërdorimet, shtypjet, tradhtitë dhe pabesitë individuale të njerëzve të caktuar të biznesit, padyshim, do të ndikojnë të shtohet destabiliteti dhe mjerimi i qytetarëve dhe shoqërisë përgjithësisht.
Dëshmitarë të drejtpërdrejtë të kësaj rrëmuje jemi edhe ne qytetarët e Republikës së Kosovës (si konsumatorë në radhë të parë dhe si çka do tjetër).
Duke analizuar situatën në tregjet tona kosovare, gjithashtu duke parë se një pjesë e tregtarëve kosovarë janë duke përdorur çdo formë dhe manipulim për t’i arritur synimet e veta, pa brengosjen për konsumatorët e tyre dhe obligimin që kanë ndaj tyre, më shtyri që ta shkruaj këtë shkrim, dhe t’ua përkujtoj disa këshilla të arta të tregtarit më të suksesshëm në historinë e botës së biznesit, modelet praktike të te cilit u dëshmuan për qëndrueshmëri, mirëqenie dhe stabilitet ekonomik mbi 1400 vite më parë.
Qëllimi i punës së biznesmenit duhet të jetë fitimi i pasurisë legjitime që i jep atij mbështetje në adhurimin e Allahut të Lartësuar. Pastërtia e besimit duhet t’i jap fuqi zemrës së tij. Ai duhet t’i kthehet Allahut me një qëllim të sinqertë në çfarëdo që bën ashtu që ta fitojë kënaqësinë e Tij.

Allahu Fuqiplotë thotë:
“Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i myslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!”” (El-Enam: 162-163)
“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.” (El-Bejine: 5)
Janë të shumta thëniet e këtij tregtari që flasin për pronarin dhe punëtorin, tregtarin dhe konsumatorin, prodhimin dhe shitjen, promocionin dhe distribucionin, hulumtimin dhe kërkimin, angazhimin dhe sakrificën, etj.

Ja disa prej këtyre këshillave të arta të tregtarit të artë profetit Muhamed :
§ Duhet të largohemi nga provokimet ndaj konsumatorëve me qëllim ngritjen dhe shtrenjtimin e çmimit.
§ Malli i prodhuesit nuk duhet të blihet lirë duke e dëmtuar atë dhe pastaj të shitet në treg me çmim më të lartë.
§ Jetën tregtare myslimani duhet ta ngrejë dhe ta zhvillojë mbi bazën e drejtësisë, të mbajë fjalën e dhënë, të mos manipulojë, dhe kurrë të mos tradhtojë.
§ Fitimi më i dobishëm është ai i cili fitohet me djersë e mund, duke u bazuar në sakrificën dhe punën e tij.
§ Në shitblerje duhet të ekzistojë besimi reciprok, e vërteta në lidhje me mallin duhet të tregohet, nuk duhet të fshihet apo të reklamohet ndryshe, mirëpo duhet të jemi të sinqertë sepse sinqeriteti të sjell begati kurse mashtrimi mjerim si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.
§ Tregtari i pasur duhet t’i kryej obligimet sociale, financiare, fetare dhe të kontribuojë në punë të mira.
§ Borxhi nuk duhet të merret për qejf, por për t’u përmbushur ndonjë nevojë; borxhliu duhet ta kthej borxhin e tij me kohë, por në rast pamundësie është e preferuar të tolerohet ndaj tij.
§ Mos ngritja e çmimit duke u betuar rrejshëm sepse ai që e bën këtë nuk do të këtë begati.
§ Për përfitimin e riskut (furnizimit) nuk duhet të largohemi nga rruga e hallallit (të lejuarës).
§ Pronari duhet t’i jep hakun punëtorit të tij.
§ Tregtarët mashtrues do të ringjallen si mëkatar.
§ Tregtarët e sinqertë do të jenë ne pozita të lakmueshme në parajsë
§ Peshimi i padrejtë sjell shkatërrimin e shoqërisë.
§ Embargoja e mallrave duke pasur për qëllim shitjen e mëvonshme është e ndaluar
§ Duhet që të jepet maksimumi i përpjekjes për prodhime cilësore.
Siç kuptohet nga këto parime, Profeti ishte i kujdesshëm dhe ndaloi mashtrimin e çfarëdo lloji, duke i dhënë hakun prodhuesit dhe konsumatorit dhe duke penguar padrejtësitë që mund të shfaqen mes tyre.
Biznesmeni mysliman duhet t’i përmbahet moralit fisnik, si: ndershmërisë, sinqeritetit, lojalitetit, zemërgjerësisë, lehtësisë, kënaqësisë, përmbajtjes, besimit në Allahun dhe shumë sjelljeve tjera morale, të cilat janë bazë për marrëdhëniet në përputhshmëri me urdhrat e Allahut.
Në këtë kontekst, Ai, i Madhërishmi, i lavdëron sjelljet morale të Pejgamberit të Tij a.s. me fjalët:
“Vërtet, ti (Muhammed) je në një shkallë të lartë të moralit!” (El-Kalem: 4)
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut a.s. e komentoi tregtarin e ndershëm me fjalët:
“Tregtari i sinqertë dhe i ndershëm do të jetë në shoqërinë e Pejgamberëve në Ditën e Gjykimit, me besnikët dhe dëshmorët.”
Allahu i ka obliguar myslimanët që t’ia japin nëpunësit të drejtat e tij pa nënvlerësim e padrejtësi. Allahu i Gjithëfuqishëm urdhëron:
“O populli im, veproni drejtë gjatë matjes dhe peshimit, e mos dëmtoni njerëzit në asgjë dhe mos shkaktoni rrëmujë në tokë!” (Hud: 85)
Përmbushja e detyrimeve gjeneron transaksione të qëndrueshme, rrit besimin, sjellë biznes të mirë dhe përfitime. Kjo gjithashtu i mban biznesmenët larg konflikteve, grindjeve, telasheve, urrejtjes dhe privimit nga ndihma e Allahut.
Pra, drejtësia, sinqeriteti, siguria dhe besimi i ndërsjellë bëjnë që në mesin e qytetarëve të mbizotërojë mirëqenia, rendi dhe stabiliteti ekonomik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit