-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ramiz Kelmendi- Privatizuesi i Dyshimtë

Më të lexuarat

Biznesmeni Ramiz Kelmendi bleu në vitin 2011 për 3 milionë euro e gjysmë Ndërmarrjen e Përpunimit të Metaleve “Famipa” në Prizren. Prodhimi në këtë ndërmarrje për tre vjet ishte i vogël, blerësi raportonte sipërfaqësisht dhe pa argumente dhe dyshohet se angazhonte punonjësit vetëm kur inspektohej nga Agjencia e Privatizimit.

Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi, po ashtu, se kontrata e lidhur mes palëve nuk specifikoi sasinë e prodhimit që blerësi obligohet ta realizojë dhe kjo i krijoi favore kompanisë “Elkos Group”.

 
Në shtator të vitit 2011 Ramiz Kelmendi, deputeti i PDK-së dhe një prej njerëzve më të kamur në vend, ishte një deputet opozitar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.
 
Por në këtë muaj pasaniku nga Peja bëri një hap të madh drejt zhvillimit të ekonomisë së tij personale.
“Elkos Group”-i, firma e themeluar nga ai, bleu nga Agjencia Kosovare e Privatizimit Fabrikën “Famipa” në Prizren, një prej ndërmarrjeve më të njohura në kohën e ish-Jugosllavisë.
 
Fabrika “Famipa”, në Prizren kaloi në duart e Kelmendit,  tregtarit të fuqishëm që zotëron edhe ETC-në, zingjirin e madh të marketeve që shtrihet anëmbanë Kosovës dhe në rajon, përkatësisht në Shqipëri e Mal të Zi.
 
Kjo ndërmarrje ishte e njohur për prodhimin e produkteve elektrike (priza dhe ndërprerës), thika, vazo dhe enë nga metali. Po ashtu ka pasur edhe njësinë e argjendarisë dhe njësinë e metaleve dekoruese .
Kontrata e lidhur me AKP-në parashihte që kompania e tij t’i nënshtrohej një monitorimi trevjeçar nga kjo agjenci.
 
AKP-ja, bazuar në kontratat e privatizimit, ruan të drejtën që të ndëshkojë blerësin financiarisht nëse gjatë këtyre tre vjetëve nuk arrin të përmbushë kontratën.
 
Bazuar në kontratë, “Elkos Group”-i obligohej që të ruajë aktivitetin prodhues dhe përpunues të metaleve dhe mos t’i çmontojë apo dislokojë nga vendi i tyre pajsijet dhe makineritë së paku në tre vjetët e ardhshëm që nga nënshkrimi i kontratës.
 
Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se “Elkos Group”-i pati prodhim të vogël përgjatë tre vjetëve të monitorimit dhe se AKP-ja ishte e pakënaqur me punën që zhvillohej në ndërmarrje.
 
Po ashtu një raport i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ngre dyshime se blerësi i ndërmarrjes angazhonte punëtorë për të qenë të pranishëm në ndërmarrje vetëm ato ditë kur parashihej të bëhej vizita monitoruese nga ekipet e kësaj agjencie.
 
Po ashtu Gazeta Jeta në Kosovë gjeti se kontrata u lidh në atë formë që i krijoi favore kompanisë “Elkos Group”.
 
Dyshimet për Mashtrime
 
Agjencia Kosovare e Privatizimit në raportet e saj të përvitshme konkludoi se nuk është e kënaqshme puna që është duke u bërë nga blerësi i ndërmarrjes “Famipa” në Prizren.
 
Kjo ndërmarrje u privatizua në valën e 49-të të shitjes dhe kontrata u nënshkrua më 13 shtator të vitit 2011. Oferta e kompanisë “Elkos” ishte në vlerë prej 3 milionë euro e gjysmë.
 
AKP-ja monitoroi blerësin e kësaj ndërmarrjeje për tre vjet rresht, përkatësisht nga shtatori i vitit 2011 deri  në shtator të vitit 2014.
 
Vërëjtjet më të mëdha janë dhënë në raportin për 2014-ën, vitin e fundit të monitorimit të ndërmarrjes “Famipa”.
 
Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë realizuar 23 vizita monitoruese nga Njësia për Kontroll dhe Mbikëqyrje e AKP-së.
 
AKP-ja ka konkluduar se “Famipa” është një nga ndërmarrjet e privatizuara me kushte, që vazhdimisht ka  pasur mjaft vështirësi në përmbushjen e kushteve të kontratës dhe ndërmarrja asnjëherë nuk ka arritur të zhvillojë aktivitet të pandërprerë, por ka funksionuar vetëm gjatë periudhave të ndryshme kohore kur ka pasur porosi.
 
Agjencia e Privatizimit në raportin për vitin 2014 ngre dyshime se blerësi i ndërmarrjes ftonte punëtorët që të ishin prezentë vetëm gjatë kohës kur ndërmarrja vizitohej nga ekipi i monitorimit.
 
“Vlen të theksohet se në disa raste gjatë kohës kur kemi realizuar vizita monitoruese në ndërmarrje, punonjësit e ndërmarrjes na kanë informuar se ata janë ftuar të jenë prezentë në ndërmarrje gjatë kohës kur Njësia për Kontroll dhe Mbikëqyrje ka paralajmëruar vizitë të rregullt monitoruese”, thuhet në raport.
 
Të njëjtën gjë e thotë edhe Safet Krasniqi, kryetar i Sindikatës së Njësisë Punuese të Ndërmarrjes “Famipa”.
 
“Vetëm kur ka pasur vizita nga AKP-ja i ka ftuar disa punëtorë që të jenë aty”, ka thënë Krasniqi.
 
Ai tregon se blerësi i ndërmarrjes menjëherë pas privatizimit ua shkëputi kontratat e punës të gjithë punëtorëve.
 
“Na ka dhënë vendimet për ndërprerje të punës të gjithëve. 104 personave menjëherë gjatë muajit shtator të vitit 2011 dhe e ka ndalë prodhimin”, deklaroi Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë që kishte njëzet e tetë vjet në këtë ndërmarrje si filigranist.
 
Por, sipas Krasniqit, kompania “Elkos” më pas ka angazhuar vetëm disa prej punonjësve të larguar që nuk janë shumë në numër.
 
“Pas privatizimit punojnë vetëm punëtorët e sigurimit që janë tetë apo nëntë punëtorë dhe inxhinieri së bashku me dy apo tre punëtorë të tjerë”, thotë ai.
 
Krasniqi tregoi se sindikata ka dërguar katër shkresa në drejtim në AKP-së duke kërkuar ndërhyrjen e saj për shkak të mospunës së blerësit të ndërmarrjes. 
 
E para është dërguar më 24 nëntor  të vitit 2011, e dyta më 14 shkurt  të vitit 2012, e treta më 8 maj 2012 dhe e katërta më 25 prill 2014.
 
“Reagimi ynë që nga fillimi ka qenë për shkak të moszbatimit të kontratës në mes “Elkos- Group” dhe AKP-së, ngase nga fillimi e kemi vërejtur se nuk ka pasur ndonjë aktivitet prodhues dhe po ashtu nuk ka punësuar punëtorët e vjetër”, tha Safet Krasniqi.
 
Kelmendi: Kam kryer obligimet që parashihen me kontratë
 
Por biznesmeni Kelmendi nuk obligohej të mbante në punë ish-punonjësit e fabrikës konfirmoi Agjencia Kosovare e Privatizimit.
 
Vetë Kelmendi kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë tha se nuk do të punësojë njerëz aq sa duan sindikalistët, por aq sa ka nevojë ai.
 
“Aq sa kam nevojë do mbaj punëtorë. Nuk mund të mbaj punëtorë sa dojnë ata (ish punëtorët) . Tash nuk kam obligim hiç asnjë me pasë”, tha ai.
 
Kelmendi thotë se në shtator të vitit të kaluar ka kaluar periudha e monitorimit dhe më nuk ka asnjë obligim ndaj AKP-së dhe se tani mund të bëjë çfarë të dojë me ndërrmarjen.
 
Ndërsa i pyetur për prodhimin e kësaj ndërmarrjeje, Kelmendi tha se ai ka kryer çdo obligim që është paraparë në kontratën e tij me AKP-në, por nuk tregoi se çfarë po prodhohet tani aty.
 
“Është fshehtësi e firmës çka po prodhohet, nuk është obligative tash të tregoj se çka bëhet aty”, tha Kelmendi.
 
Raportet e AKP-së tregojnë për prodhim të vogël në ndërmarrje 
 
Por raportet e monitorimit të AKP-së tregojnë se firma e Kelmendit nuk arriti të vazhdojë prodhimin në ndërmarrje.
 
Raporti për vitin 2011 jep vërejtjet e para për blerësin e ndërmarrjes “Famipa”. Në këtë raport përfshihet monitorimi  katërmujor prej shtatorit kur është privatizuar “Famipa”, e deri në dhjetor të vitit 2011.
 
 “Që nga ratifikimi i kontratës së shitjes, blerësi ende nuk ka ndërmarrë veprime të duhura për përmbushjen e kushteve të kontratës së shitblerjes”, thuhet në raport.
 
Vërejtje jepen edhe për vitin e ardhshëm, 2012-ën.
 
“Gjatë vitit 2012 janë bërë tri vizita monitoruese nga të cilat mund të theksojmë se kjo ndërmarrje është duke zhvilluar një aktivitet të vogël edhe përkundër disa planeve që ka  paraqitur dhe mendojnë t’i realizojnë në të ardhmen”, thuhet në raportin e AKP-së për periudhën janar-dhjetor të vitit 2012.
 
Njësia për Kontroll dhe Mbikëqyrje e AKP-së ka vizituar këtë ndërmarrje edhe në vitin 2013. 
 
Edhe për këtë vit janë shprehur pakënaqësi nga AKP-ja.
 
“Bazuar në atë çfarë kemi parë gjatë vizitave monitoruese, gjendja në Ndërmarrjen e Re 
“Famipa” ka qenë jo e kënaqshme, sepse blerësi ka pasë  vështirësi në plotësimin e kushtit të kontratës lidhur me vazhdimin e aktivitetit në ndërmarrje, edhe pse blerësi është duke bërë përpjekjet për depërtim në tregjet tjera, ngase nevojat për prodhime të tyre në tregun e Kosovës janë shumë të vogla”, thuhet në raportin për vitin 2013.
 
Detaji i kontratës që favorizon “Elkos”-in
 
Ndërkohë raporti për vitin 2014 tregon edhe një detaj problematik lidhur me privatizimin e ndërmarrjes “Famipa” në Prizren.
 
Raporti thotë se blerësi i ndërmarrjes raportonte vetëm sipërfaqësisht në AKP kur përshkruante aktivitet e zhvilluara dhe të njëjtat nuk i mbështeste me fakte.
 
Për shkak të kësaj mënyre të raportimit, Njësia për Kontroll dhe Mbikëqyrje, bazuar në raportin e AKP-së, disa herë iu ka drejtuar blerësit në formë të shkruar dhe ka kërkuar nga ai që të sjellë dëshmi bindëse për të argumentuar se është duke i përmbushur kushtet e kontratës. 
 
“Në përfundim  të periudhës kontraktuese, përfaqësuesit e blerësit kanë paraqitur dy raporte shumë voluminoze si prova për vazhdim të aktivitetit”, thuhet në raport.
 
Pas dorëzimit të raporteve nga blerësi, AKP-ja kishte angazhuar një kompani auditimi që të bëjë auditimin e zbatimit të kushteve të kontratës. 
 
Kompania “Audit AK” kishte konkluduar se është e pamundur të definohet nëse blerësi ka zbatuar ose jo kontratën. 
 
“Kompania audituese ka dorëzuar raportin e auditimit të kryer për Ndërmarrjen e Re “Famipa” Prizren ku sipas kompanisë audituese pasi që kontrata e shitjes nuk e definon qartë as në mënyrë sasiore, e as në vlerë kushtet e përmbushjes së kontratës mbi mbajtjen e aktivitetit, atëherë ata e kanë të pamundur të bëjnë një konstatim në lidhje më përmbushjen e zotimeve”, thuhet në raportin e AKP-së. 
 
Veton Hajdini, shef i Zyrës për Media në AKP, konfirmoi  për Gazetën Jeta në Kosovë se blerësit nuk i ishin vënë kushte sasiore lidhur me prodhimin.
 
“Sipas kontratës së shitjes ndërmarrja nuk ka pasur parametër matës për prodhim, por kusht ka qenë mbajtja e aktivitetit”, thotë Hajdini.
 
“Ne kemi zhvilluar vazhdimisht vizita monitoruese dhe nga ato vizita zyrtarët tanë kanë vërejtur se makineria ekzistuese nuk është dislokuar nga hapësira e ndërmarrjes, kurse aktiviteti  prodhues është zhvilluar me vështirësi dhe me një numër te vogël të punëtorëve”, shtoi ai.
 
Por Hajdini nuk dha përgjigje kur u pyet se sa ishte saktësisht numri i punëtorëve që punonin në ndërmarrje.
 
Tha se AKP-ja do të bëjë publike të dhënat pasi që Bordi i Drejtorëve të shqyrtojë raportin e auditimit të kontratës së lidhur mes AKP-së e “Elkos Group”-it.
 
Hajdini tregoi se raporti i bërë nga kompania e auditimit paraqet të dhëna të aktivitetit të ndërmarrjes nëpër periudha të ndryshme vjetore.
 
 “Kompania audituese ka gjetur se blerësi dhe ndërmarrja e re ka zhvilluar aktivitetin e  vet prodhues me diferenca nëpër vite”, thotë Hajdini, duke shtuar se kjo çështje tashmë i përket  Bordit të Drejtorëve që do të shqyrtojë këtë raport posa të konstituohet nga Kuvendi i Kosovës.
 
Aktualisht AKP-ja operon pa Bord të Drejtorëve dhe nuk mund të marrë vendime derisa Kuvendi i Kosovës të emërojnë anëtarët e rinj në këtë trupë drejtuese.
 
Hajdini  tha se do të merren të gjithë hapat ligjorë për veprimet e marra deri më tash nga blerësi i ndërmarrjes “Famipa”.
 
“Agjencia do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet ligjore të lejuara me kontratë dhe me ligj përkitazi për Ndërmarrjen “Famipa” e privatizuar  si ndërmarrje me kushte për periudhën e përcaktuar 3 vjeçare” tha Hajdini.
 
Ai nuk dha përgjigje se cilat janë masat që AKP-ja mund të ndërmarrë në këtë rast, por tha se me këtë çështje do të merret Bordi i Drejtorëve posa të formohet.kallxo./kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit