Prokuroria Themelore e Pejës është duke e hetuar një megaskandal me diploma false në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë, ku sipas rektoratit të këtij të fundit, nga 505 studentë, 503 nuk figurojnë në arkivat e tyre të kenë qenë ndonjëherë studentë të këtyre institucioneve.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën ka arritur ta sigurojë ‘Zëri’, mësohet se zyrtarë të lartë të Agjencisë së Inteligjencës, profesorë universitarë, menaxherë të lartë të kompanive publike e private, kanë marrë diploma të këtij fakulteti, ndonëse nuk kanë qenë të regjistruar si studentë e as që kanë ndjekur ligjëratat ndonjëherë.
Pavarësisht se zyrtarë të lartë ligjorë të Universitetit të Pejës e konfirmojnë se vite më parë janë lëshuar qindra diploma të falsifikuara, disa nga të apostrofuarit në listën e Prokurorisë, të kontaktuar nga gazeta ‘Zëri’, e mohojnë të kenë qenë ndonjëherë në këtë fakultet. /Zëri/