Dyzetepesë projektligje janë në shqyrtim aktualisht nëpër komisione të Kuvendit të Kosovës. Por me shpërbërjen eventuale të legjislativit, pas dorëheqjes së kreut të Qeverisë, Ramush Haradianj dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme e gjithë puna e bërë mund të kthehet në pikën zero.
Të gjitha këto projektligje, disa të miratuara në lexim të parë e disa të tjera në shqyrtim do t’i barten legjislaturës së gjashtë, kurdo që ajo bëhet funksionale.
Agnesa Haxhiu, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Ekonomia Online se me shpërbërjen e Kuvendit, projektligjet në shqyrtim e që mbesin të papërfunduara dhe duhet të fillojnë edhe një herë të diskutohen.
“Nëse përfundon legjislatura, kemi shpërbërje të Kuvendit nënkupton që këto që kanë mbetur në procedurë që janë në shqyrtim, sepse i bije që janë në shqyrtim në komisione, mbesin të papërfunduara dhe duhet të fillojnë kurdo që nis legjislatura tjetër duhet të fillojnë prej pikës zero”, ka thënë Haxhiu.
Por të njëjtin fat nuk e kanë të gjitha ligjet që janë dërguar për dekret kreut të shtetit, Hashim Thaçi, ka pohuar Haxhiu.
“Ligjet të cilat janë miratuar, por janë dërguar për dekret te presidenti ajo nuk i prekë kjo pjesa shpërbërja e legjislaturës ato mundet me vazhdu me u dekretu edhe me u shpall. E njëjta vlen edhe për peticionet gjithçka që nuk kërkon më vendim të Kuvendit mundet me shku tutje edhe nëse kemi shpërbërje të Kuvendit, por pjesa tjetër që është ende në procedurë bije që kurdo që fillon legjislatura tjetër të fillojë nga pika zero”.
Ajo ka sqaruar se gjatë shtatë muajve të punës së Kuvendit në sesion pranveror janë miratuar 27 projektligje, kurse nga viti i kaluar janë bartur 55 projektligje.
“Aktualisht numri i projekt ligjeve të cilat janë në procedurë qoftë në parim apo në shqyrtim të dytë nëpër komisione është 45. Ndërsa 27 projektligje janë miratuar gjatë sesionit pranveror gjatë këtyre 7 muajve ndërsa 45 të tjerë kanë mbetur ende në procedurë”, ka thënë Haxhiu.
“Shumica e tyre janë në shqyrtim të dytë pikërisht për shkak të faktit që 55 projekt ligje të vitit të kaluar janë bartur në këtë vit për shkak të mungesës së kuorumit dhe pothuajse gjysma e tyre kanë qenë në pothuajse në përfundim, por është dashur të marrin miratimin final”.
Se legjislaturën tjetër të Kuvendit e pret punë e madhe, e thotë edhe Jetmir Bakija, nga Demokracia Plus (D+), ngase do të kenë në punë 45 projektligjet e bartura nga legjislatura e pestë.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mblidhen në një seancë, pasi që Kuvendi akoma është funksional dhe t’i votojnë raportet e mbikëqyrjes të këtyre ligjeve.
“Ndërprerja e mandatit të Kuvendit shkakton probleme për këtë punë që është bërë nga komisionet parlamentare pra ne bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që të mblidhen në seancë pasi Kuvendi është akoma funksional dhe t’i votojë dhe t’i aprovojë raportet e mbikëqyrjes të këtyre ligjeve për shkak se do të ndikojnë në zbatim më të mirë të këtij legjislacioni”, ka thënë Bakija.
“Po e vendos theksin tek mbikëqyrja e ligjeve, për shkak se ato mundem brenda një seance me i kryer edhe është gjynah në njëfarë mënyrë nëse shpërbëhet Kuvendi pa i kryer këtë punë që mundet me u kryer shumë lehtë, për shkak se aprovimi i raporteve të mbikëqyrjes së ligjeve nuk merr shumë kohë, komisionet e kanë bë punën e vet, janë pak a shumë teknike dhe nuk rigjenerohen shumë diskutime në seancat Kuvendit, por nëse shpërbëhet Kuvendi para se me u aprovuar ato atëherë gjithë ajo punë shkon në pikën zero”.
Në zero do të kthehet edhe puna e komisioneve hetimore, e thonë edhe Haxhiu nga KDI-ja edhe Bakija nga D+.
“Nëse shpërbëhet Kuvendi sepse komisionet hetimore që janë ende në procedurë i bije që aty mbetet puna çka është bërë nuk mundet me vazhdu punën edhe më tej në nëse kemi shpërbërje të Kuvendit. Nëse kemi legjislaturë tjetër ta zëmë në komisione kanë një periudhë kohore sa funksionojnë deri në 6 muaj maksimalisht dhe në qoftë ka përfunduar për pjesën më të madhe të komisioneve hetimore që janë krijuar tash janë veçse në përfundim mirëpo nuk kanë përfunduar raportet, kështu që i bije që të fillojë gjithçka prej fillimit”, tha Haxhiu.
“Ish dashtë që ato raporte të shqyrtohen dhe të miratohen sa më shpejtë të përfundohet pra kjo puna që vetëm është në përfundim e sipër të komisioneve hetimore dhe të mbikëqyrjes së ligjeve. Nëse shpërbëhet Kuvendi atëherë gjithçka fillon prej pikës zero për shkak se Kuvendi i ri atëherë duhet të rifillojë nëse ka disponim edhe komisionet hetimore, por edhe mbikëqyrjen e ligjeve që vetëm kanë filluar dhe janë në përfundim e sipër”, tha Bakija.
Puna e Kuvendit të Kosovës në sesionin pranverorë është shoqëruar me mungesë të kuorumit dhe dështim të seancave, duke shtyrë kështu miratimin e shumë projektligjeve e raporteve të institucioneve.