Pak prej jush mund të keni dëgjuar për Zaira Wasimin, por ajo ishte një ndër yjet në ngjitje të industrisë së Bollivudit. Them ‘ishte’, sepse duke qenë në kulmin e karrierës, në kulmin e famës dhe mes mundësive të pafundme për t’u bërë e pasur, ajo zgjodhi të hiqte dorë përfundimisht nga aktrimi. Kjo tërheqje e saj nga industria e filmit ka shkaktuar bujë të madhe. Ishte tërësisht e papritur për gjithkënd, sepse filmi i fundit ku aktronte, me titull ‘Dangal’ – një prodhim ky, i bosit të Bollivudit Aamir Khan – ishte filmi me të ardhurat më të larta, me plot 290 milion dollarë!
Në një postim të gjatë në faqen e saj në Facebook, Zaira flet për arsyet e marrjes së këtij vendimi. Ajo thotë se pavarësisht se kishte fituar famë të madhe e ishte bërë model për të rinjtë, sërish profesioni që bënte, i kishte cenuar rëndë paqen e brendshme, besimin dhe lidhjen e saj me Allahun. Duke e përshkruar këtë gjendje, ajo thotë:
“Teksa mundohesha ta heshtja zërin e brendshëm dhe ta bindja veten se ajo që po bëja, ishte e duhura dhe nuk kishte ndikim negativ në të brendshmen time, e shihja se si po e humbja dalëngadalë qetësinë e shpirtit. Brenda meje bëhej një luftë e vazhdueshme mes shpirtit dhe egos. Kjo luftë ka qenë rraskapitëse për mua. Jeta është vërtet shumë e shkurtër, por edhe shumë e gjatë për të luftuar kundër asaj që të thotë shpirti.”
Është e pabesueshme se si një vajzë si Zaira, vetëm 18 vjeç, të arrijë të kuptojë diçka që shumicës prej nesh i duhet një jetë e tërë për ta kuptuar: që kjo botë dhe vezullimi i saj janë veçse një iluzion.
Teksa miliona të rinj do të donin të ishin në vend të Zairës, në mes të famës e pasurisë, ajo zgjodhi të linte gjithçka e të bënte ‘tregti’ me Zotin e saj. Zgjodhi të ndiqte zërin e shpirtit, që e thërriste për nga Krijuesi, e jo të egos që e tundonte për nga përfitimet e kësaj bote.
Raste si të Zairës janë për t’u promovuar e për t’iu prezantuar të rinjve të sotëm si shembuj frymëzimi e si histori të mrekullueshme të ndjekjes së zërit të shpirtit, të atij shpirti që të thërret për tek Zoti që e ka krijuar, për tek Zoti i qiejve dhe i tokës.
Klodi Smajlaj