Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se nuk dëshiron luftë, por paralajmëroi Iranin se do të përballet me “zhdukjen” nëse shpërthen konflikti.
Duke folur për NBC të premten, ai tha se SHBA ishte e hapur për bisedime, por nuk do të lejonte Iranin të zhvillonte armë bërthamore.
Ai gjithashtu sqaroi vendimin e tij të fundit për të tërhequr vendimin për sulmet e planifikuara si përgjigje ndaj rrëzimit të një droni të SHBA-së këtë javë, duke thënë se i ishte thënë se do të vriteshin 150 iranianë.
“Nuk më pëlqeu, nuk mendova se ishte proporcionale”, ka thënë presidenti amerikan.
Teherani thotë se fluturakja amerikane hyri në hapësirën ajrore iraniane herët në mëngjes të enjten. Por SHBA pohon se u qëllua në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Tensionet janë përshkallëzuar mes dy vendeve, me SHBA-të që kohët e fundit e fajësojnë Iranin për sulmet ndaj tankerëve të naftës që operojnë në rajon.
Irani gjithashtu ka njoftuar se së shpejti do të kalojë kufijtë e rënë dakord ndërkombëtar për programin e saj bërthamor.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015 që synonte frenimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit.
Ndërkohë SHBA ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të takohet të hënën për të diskutuar për Iranin. /tg