-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Këto janë super benefitet që gëzojnë deputetët

Më të lexuarat

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, krahasuar me qeveritarët, nuk shpenzojnë shumë për udhëtime zyrtare, por sa u përket mëditjeve nuk mbeten shumë keq. Përveç pagave dhe mëditjeve të mëdha deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga buxheti ata shpenzojnë edhe për udhëtime zyrtare, me ç’rast përveç shpenzimeve për akomodim, ata marrin edhe mëditje të majme.
Çështja e shpenzimeve të udhëtimeve zyrtare ishte rregulluar me një rregullore të UNMIK-ut, e cila nuk ka ndryshuar tani e 10 vjet. Në të janë përcaktuar kompensimet për mëditje për secilin vend të botës.
KosovaLive ka siguruar disa të dhënë nga Kuvendi i Kosovës, sipas të cilave nga korriku i vitit 2014 kur kanë marrë mandatin e deputetit deri më 25 shkurt, disa deputetë kanë realizuar disa udhëtime zyrtare, që vetëm për akomodim dhe mëditje kanë shpenzuar 14.302 euro.
Deputetët përpos pagës mujore prej rreth 1.500 euro, 240 euro në muaj për pjesëmarrje në seanca plenare, mëditje për pjesëmarrjen në mbledhje të komisioneve, deputetët marrin edhe para për shujtë dhe shpenzime të rrugës, diku mbi 300 euro.
Kjo është rregulluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, në të cilën parashihet kompensimi për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje të deputeteve në punimet e seancave plenare dhe në komisione nga 10 euro deri në 30 kilometra, kurse nga 20 euro deri në 60 kilometra dhe 30 euro më shumë se 60 kilometra.
Por, për udhëtime zyrtare puna e shpenzimeve është paraparë me një rregullore të UNIKU-ut.
Dihet se institucionet qendrore të vendit janë krijuar pas 6 muaj bllokade, por gjatë asaj kohe deputeti Xhavit Halit dhe deputetja Blerta Deliu, kanë udhëtuar, gjatë muajit nëntor kanë marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Hagë të Holandës.
Ata për akomodime gjatë udhëtimit kanë shpenzuar nga 567.43 euro, ndërsa për mëditje nga 395.60 euro, që i bie gjithsej 1.926 euro.
Deputetët Adem Grabovci, Armend Zemaj, Besim Beqaj dhe Slobodan Petrovic, në fillim të muajit shkurt kanë udhëtuar për në Uashington me ftesë të Kongresit Amerikan për të marrë pjesë në “Lutjet e mëngjesit”
Gjatë këtij udhëtimi, deputeti Adem Grabovci për akomodim ka shpenzuar 619.84 euro, ndërsa për mëditje ka marrë 343.75 euro.
Deputeti Armend Zemaj ka shpenzuar për akomodim gjatë udhëtimit 619.72 euro, ndërsa ka marrë mëditje 343.75 euro.
Deputeti Besim Beqaj ndonëse ka qenë në të njëjtin udhëtim zyrtar, ai në emër të akomodimit ka shpenzuar 837.05 euro, ndërsa për mëditje ka qenë e njëjtë 343.75 euro. Edhe deputeti Slobodan Petrovic ka shpenzuar pothuajse njësojë si Beqaj, 825.00 euro për akomodim dhe 343.75 euro për mëditje.
Të katër deputetët gjithsej kanë marrë mëditje prej 1.379 euro, ndërsa për akomodim 2.901 euro, që i tërë udhëtimi ka kushtuar 4.280 euro.
Një delegacion nga Kuvendi i Kosovës, i përbërë nga deputetët Enver Hoxhaj, Tuta Sahatqija dhe Glauk Konjufca, më 26-30 janar 2015 kanë qëndruar në Francë për të marrë pjesë në Sesionin e parë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg. IMG_5652
E gjatë këtij udhëtimi zyrtar, sipas të raportit të përgatitur nga Kuvendi, me kërkesë të KosovaLive, janë shpenzuar gjithsej 3.681 euro, për akomodim 2.165 euro, ndërsa për mëditje 1.516 euro. Por, ajo që është vërejtur gjatë këtij udhëtimi është se deputeti Enver Hoxhaj ka shpenzuar më shumë për akomodim se sa deputetët e tjerë, gjithsej 936.70 euro, ndërsa për mëditje 379.04 euro. Deputet e tjerë Teuta Sahatqija dhe Glauk Konjufca kanë shpenzuar nga 614 euro për akomodim ndërsa nga 568.56 euro për mëditje.
Edhe këtu sikurse edhe te rasti i Besim Beqajt akomodimi është më i shtrentë për deputetin Enver Hoxhajn pa shpjegim se pse është kjo shumë më e madhe se e të tjerëve.
Më 16 shkurt të këtij viti deputetët Donika Kadaj-Bujupi dhe Zenun Pajazit kanë marrë pjesë në programin studimor “Lidershipi në ekonominë digjitale” në SHBA.
Por për këtë udhëtim nuk janë dhënë detaje rreth akomodimit të deputetëve, përveç mëditjes prej 980 euro për secilin deputet, pra gjithsej 1.960 euro.
Më 10 shkurt, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me deputetët apo nënkryetarët Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Glauk Konjufca, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë kësaj vizite raportohen shpenëzime vetëm për mëditje prej 231.99 euro për secilin, gjithsej 927.96.
Më 7 shkurt anëtarët e Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri përkatësisht deputetët Visar Ymeri, Muhamet Mustafa, Raif Qela dhe Pal Lekaj, kanë marrë pjesë në një seminar në Turqi, bashkë me delegacione nga vendet e Ballkanit, të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë. Në këtë udhëtim deputetët shpenzuan gjithsej 1.345 euro, 734.4 euro për mëditje dhe 611.52 euro për akomodim.
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, më 9 shkurt të këtij viti ka qenë në vizitë zyrtare në Turqi, për të marrë pjesë në sesionin e Komisionit të përgjithshëm për drejtësi, punë të brendshme dhe bashkëpunim për sigurinë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Ai gjatë këtij udhëtimi ka marrë mëditje 183.60 euro, ndërsa nuk ka të dhëna për shpenzime të akomodimit.
Për të gjitha këto shpenzime për udhëtime zyrtare, analisti Agron Demi, nga Instituti GAP, ka thënë për KosovaLive se ajo që nuk mund të arsyetohet për këto udhëtime zyrtare është se deputetët e njëtë përfitojnë disa herë. “Ajo çka nuk mund të arsyetohet është pothuajse janë të njëjtit deputetë që përfitojnë nga udhëtimet zyrtare, shpeshherë këto udhëtime nuk e arsyetojnë qëllimin e vizitës dhe interesin publik si dhe në shumicën e rasteve mbahen sekrete”, ka thënë Demi. /KosovaLive/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit