Kur flitet për veshmbathje sportive të shtrenjta, mendja të shkon direkt te fanellat e futbollistëve më të njohur në botë. Një fanellë me autograf e Lionel Mesit apo Kristiano Ronaldos kushton disa mijëra euro për koleksionistët e objekteve të tilla dhe sa më shumë kthehesh në kohë me fanellat e emrave si Maradona apo Pele, shifra rritet gjithnjë e më shumë. Por askush nuk arrin legjendën Bejb Ruth, i cili në fakt nuk ishte as futbollist.
Një fanellë e veshur prej bejsbollistit të famshëm të fillimit të shekullit të kaluar, ka thyer rekordin e veshmbathjeve sportive duke u bërë më e shtrenjta e të gjitha kohëve, pasi u shit për 5,64 milionë dollarë në një ankand në Nju Jork të shtunën. Ai e kishte veshur këtë fanellë Me Nju Jork Jenkis në vitin 1928-1930 dhe në ato vite kujtohet si një nga yjet e parë të sportit botëror që u bë shembull për brezat në vijim.
Në fakt, një fanellë e Bejb Ruth që ai kishte veshur në vitet e tij me Nju Jork Jenkis ishte rekordmenia e mëparshme, pasi ishte shitur 4,4 milionë dollarë në vitin 2012.
Fanella e cili vendosi rekordin e ri, u vu përkrah 400 objekteve të tjera të karrierës së Ruth, të cilat ishin çuar në këtë ankand që u zhvillua në stadiumin e Jenkis nga vetë familjarë të tij apo koleksionistë që i kishin ruajtur prej shumë vitesh. Identiteti i blerësit, apo edhe pronarit të mëparshëm të kësaj fanelle, nuk është bërë i ditur.