3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Turistet humaniste…

Më të lexuarat

Producentja jordaneze e filmave, me banim në Amerikë, Samah Bejazid, dy motrat algjeriane, me banim në Gjermani, Selma dhe Meriem Lebdiri, dhe dy shoqet e tyre, Rauan Elbaba dhe Franka Soeria, gjatë vizitës së Londrës shkuan në parkun Holland, aty shkrepën disa fotografi pranë një peme të mbushur me lule.
Një i pastrehë i moshuar i quajtur Andre Hamilton u afrohet dhe i sugjeron ta shkundin pemën teksa shkrepnin fotografitë, në mënyrë që të dilnin fotot mëtë bukura.
Fotot ishin realisht shumë të bukura nën rënien e petaleve të qershisë.
Pas një bisede me Andreun e kuptuan se ai ishte i pastrehë dhe ishte nga Skocia, vend të cilin e kujtonte me nostalgji, duke thënë: “Pavarësisht bukurisë së këtij parku, asgjë nuk krahasohet me malet e bukura të Skocisë”. Ato vendosën ta ndihmonin atë plak të pastrehë. I blenë një aparat fotografik të çastit, e mësuan si ta përdorë dhe i propozuan një ide për të joshur sa më shumë njerëz: Të mbajë një karton mbi të cilin shkruhet:
“A dëshiron një foto të çastit? Unë jam fotograf i pastrehë. Më ndihmo me 5 funta për foton!”
Ato kërkuan nga ai që të fillojë shkrepjen e fotove me të, kështu ato u bënë të parat që ia paguan 5 funta, e sa ishin ato prezent aty, u fotografuan edhe dy persona të tjerë dhe kështu filloi Andreu punën.
Ai me shumë gëzim dhe me plot vetëbesim iu tha: “Zoti ju bekoftë! Herën tjetër kur ta vizitoni Londrën, unë do t’ju qeras kafe.”
Ato i kërkuan leje Andreut që ta postonin tregimin e tij në rrjetet sociale që të jetë frymëzim për të tjerët, dhe ai pranoi me gjithë dëshirë. Pasi e postuan, ato kërkuan që kushdo që shkon në atë pjesë të Londrës ta ndihmojë atë me një foto prej 5 funtash.

▪ Kjo ngjarje është mjaft mbresëlënëse, sepse ato që ndihmuan dhe ai që u ndihmua kishin pothuajse gjithçka të ndryshme mes vete. Kishin kombësi, fe, gjini, profesion, moshë të ndryshme dhe vinin nga shtete të ndryshme, po ashtu edhe humanizmi u bë në një shtet, i cili nuk ishte atdheu as i tyre e as i atij. Pra, pothuajse gjithçka kishin të ndryshme, mirëpo njerëzorja i bashkoi.
Gjithashtu forma e humanizmit që ato ofruan ishte e veçantë, sepse ato nuk i ndihmuan vetëm për momentin, por i bënë zgjidhje afatgjate. Ato zbatuan urtësinë e çmuar “Mos më jep peshk, por më mëso si të peshkoj dhe më jep mjet peshkimi, sepse peshku më ushqen një ditë, ndërsa peshkimi tërë jetën.”
Ky lloj i humanizmit është më i kompletuari, më i kërkuari. Ne duhet të mundohemi t’i ndihmojmë njerëzit që të pavarësohen duke u ndihmuar dhe hapur dyert e punës e jo vetëm duke u dhënë ushqim ose para për momentin dhe prapë ata të mbesin të varfër dhe nën mëshirën e njerëzve derisa të vdesin. E nëse këtë nuk mund ta bëjmë, atëherë duhet t’i ndihmojmë me mundësitë tona që kemi qoftë edhe me një shujtë ushqimi etj.

Nga libri:
#Shikues_apo_Ndryshues?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit