Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka propozuar që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’u mundësohet fillimi i negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), por ka theksuar se nuk janë të gatshëm të gjitha vendet anëtare për fillimin e negociatave.
Tusk dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas takimit dypalësh në Bruksel kanë organizuar një konferencë shtypi të përbashkët.
Ai tërhoqi vëmendjen në atë se Maqedonia e Veriut në 2 vitet e fundit ka marrë hapa të duhur politik për të përmbushur pritjet e BE-së. “Nuk dua të bëj gjykime paraprake në lidhje me vendimet e BE-së. Ju i përmbushët të gjitha pritjet. Por nëse duhet të jem i sinqertë, të gjithë vendet e BE-së nuk janë të gatshme të marrin vendim për hapjen e negociatave në ditët në vijim”, theksoi Tusk.
Presidenti i Këshillit Evropian theksoi se mendimi i tij personal është ashtu si i Komisionit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërsa kjo është një çështje kohore.
“Procesi i marrjes së vendimit të përbashkët nga 28 shtete ndonjëherë është më i gjatë se që dëshirojmë”, është shprehur ai, duke shtuar se Maqedonia e Veriut dhe i gjith rajoni vendin e kanë në BE.
– “Pengesat për anëtarësim në NATO dhe BE janë hequr”
Nga ana e tij presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, theksoi se kanë zhvilluar marrëdhëniet me fqinjët dhe kanë realizuar reforma kyçe. Ai shprehu kënaqësinë nga raporti i Komisionit Evropian ku për vendin e tij është rekomanduar të hapen negociatat për anëtarësim.
Pendarovski theksoi se vendi i tij ka zgjidhur problemet të vjetra me dekada, me të cilën ka kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se me këtë janë hequr pengesat për anëtarësim në NATO dhe BE./AA