Në ditën e dytë të bojkotit të mësimit, studentët në të gjithë vendin me thirrjen e bërë nga Unioni i Studentëve në Spanjë mbajtën protesta në mbarë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Studentët dolën në rrugët e mbi 40 qyteteve duke protestuar për të ngritur zërin e tyre ndaj Ministrisë së Arsimit në Spanjë e cila me nxjerrjen e një dekreti në muajin janar ndryshoi sistemin universitar nga 4+1 i cili ishte aktiv deri në kohët e fundit dhe e kaloi atë në sistemin 3+2.
Protesta e organizuar në Madrid ka patur një pjesëmarrje të lartë ku studentët kanë protestuar nën moton “Poshtë dekreti 3+2.” Autoritetet e Unionit kanë theksuar se “rinia është në luftë në një shkallë të gjerë kundër dekretit i cili do të pengojë fëmijët e punëtorëve që të shkojnë në universitet dhe i cili do të privatizojë universitetet publike, do të lërë pa punë mijëra pedagogë”.
Në fund të protestës së mbajtur në Madrid edhe pse pati një konflikt të vogël mes policisë dhe një grupi të studentëve që i përkisnin një grupi radikal, studentët u shpërndanë pa ndonjë incident të rëndë.
Një protestë tjetër ka qenë ajo e zhvilluar në Barcelonë ku një grup studentësh afërsisht prej 200 personash u mbyllën në një klasë deri në mëngjes. Unioni Studentor ka njoftuar se protesta e radhës për bojkotimin e mësimit do të jetë më 15-16 mars.