3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mungesa e lojës së lirë, alarmante tek fëmijët!

Më të lexuarat

Akademia Amerikane e Pediatrisë në raportin e fundit ka treguar se prindërit dhe shkolla u mëshojnë aktiviteteve akademike dhe te strukturuara duke lënë mbrapa fëmijët në zhvillimin e lojës së lirë. Loja e lirë, sipas studimeve, ndihmon fëmijët të zhvillojnë gjuhën dhe aftësitë praktike, bashkëpunimin me të tjerët dhe menaxhimin e stresit, si dhe përqëndrimin në arritjen e qëllimeve duke shmangur pengesat gjatë rrugës.

Raporti tregon se nga viti 1981 deri në vitin 1997, koha e lojës së fëmijëve ka rënë me 25%. Një sondazh ku morrën pjesë 8950 fëmijë dhe prindër tregoi se vetëm 51% e fëmijëve dilnin jashtë për të ecur apo për të luajtur një herë në ditë me njërin nga prindërit.
Shumica e ekspertëve të tregut të punës argumentojnë se mungesa e lojës së lirë bën që fëmijët të mos zhvillojnë aftësitë e nevojshme për punë që do u duhen për të mos u zëvendësuar lehtë nga robotët. Ndërkohë psikologët tregojnë se pasojat e tjera janë një rritje e problemeve të shëndetit mendor për këta fëmijë.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rendit katër llojet e lojërave që fëmijët duhet të kalojnë me patjetër në fëmijëri nga foshnjë deri 9-10 vjeç për një zhvillim të shëndetshëm:
1. Loja me objekte (futja e objektevet në gojë dhe më pas përdorimin funksional të tyre)
2. Loja fizike ( lojërat me përplasje duarsh, luftë jastëkësh, kalapic, mundje etj)
3. Loja në natyrë ( lojëra me top, me vrapime etj )
4. Loja simbolike (lojëra ku fëmijët bëjnë sikur, eksperimentojnë me rolet, bëjnë si mësues, luajnë shtëpiash etj)

Autorët e këtyre raportimeve nxjerrin në pah shqetësimin se prindërit kanë tendencën të konkurojnë me njëri-tjetrin se kush u krijon më shumë mundësi akademike dhe aktivitete të strukturuara fëmijëve duke lënë mënjanë zhvillimin e lojërave të sipërpërmendura, leximin e librave së bashku apo ngrënjen e vakteve si familje. Për shumë prindër, tu krijosh fëmijëve mundësi për lojëra të lira është më e vështirë se t’i regjistrosh ata në kurse gjuhësh të huaja apo aktivitete sportive, por Akademia Amerikane e Pediatrisë e sheh gjëndjen aq alarmante sa po këshillon institucionet arsimore për më shumë pushime në programet e tyre dhe po këshillon mjekët të shkruajnë në receta ofrimin e lojës së lirë tek fëmijët.

Përgatiti: Elona Çeço
Referenca: Jenny Anderson (World Economic Forum)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit