Formimi i personalitetit të shëndoshë të njeriut, për Islamin është detyrë parësore. E tërë struktura teologjike e tij është e ngritur mbi bazën e kësaj objektive. Për të realizuar këtë, Islami ka paraparë masa shumë të rëndësishme. Pas besimit në Zot, namazin e ka obliguar si mjet të pakontestueshëm dhe të padiskutueshëm për fisnikërimin e shpirtit të njeriut. Më pastaj, për trupin dhe shpirtin së bashku, ka obliguar agjërimin.
Pra, për shkak se agjërimi e mbjell në njeriun ndjenjën e sakrificës si asgjë tjetër më shumë, ai konsiderohet njëri prej mjeteve më efikase për ngritjen shpirtërore të njeriut. Agjërimi e pastron shpirtin nga të palarat e materies që e vyshkin atë pjesë të Zotit në ne.
Njeriu është një det në brendinë e të cilit ndodhin kundërshti të mëdha. Është arenë lufte ku zhvillohen beteja të ashpra midis materies dhe shpirtit. Si qenie dydimensionale, i përbërë prej këtyre dy materieve dhe i gozhduar mes këtyre poleve, njeriu vazhdimisht i ekspozohet ballafaqimit ndërmjet energjive kreative që e shtyjnë lartë kah bota shpirtërore, kah bota e engjëjve dhe e energjive shtazarake që e tërheqin poshtë kah materia e cila është e përbashkët me shtazët tjera. Nga njëra anë pra, shpirti si fuqi kreative bën luftë me materien për një botë më të mirë, e në anën tjetër trupi lufton ta mbajë afër kafshëve me të cilat ndanë kocin dhe mishin.
Pikëpamjet filozofike të cilat njeriun e përshkruajnë si qenie e braktisur dhe e brengosur, në fakt janë pikëpamje të shëmtuara të cilat njeriut nuk ia njohin shpirtin. Sipas tyre, shpirti nuk ekziston, ndërsa jeta është rezultat i lëvizjes së përhershme të materies nëpër kohë.
Dorën në zemër, duhet arsyetuar materialistët që thonë se njeriu është shtazë sikur të gjitha shtazët. Teksa njeriun e përkufizojnë si materie pa shpirt të zhvilluar në histori e në fakt shpirti është indikator i rëndësishëm në zhvillimin e personalitetit të tij, dhe teksa për arsyen thonë se edhe ajo është materie e evoluar nëpër kohë, del se njeriu nuk mund të jetë ndryshe nga kafsha. Evolucionizmi, nga ky këndvështrim, është koka e marrëzisë shkencore teksa flet për krijimin dhe formësimin e njeriut. Ideja evolucioniste është e kundërta e asaj që thotë Islami, sepse Islami njeriun e sheh dhe e pranon për zëvendës të Zotit në tokë. Në asnjë mënyrë qenie që ka evoluar nga qeniet tjera të gjalla. Islami nuk thotë se njeriu i ka rrënjët tek pakurrizorët, aq më pak të jemi pasardhës i majmunëve.
Asnjë teori a ide moderne në Perëndim nuk ka qenë aq e dëmshme ndaj fesë (krishtere) sesa teoria e evolucionit. Sepse, pikëpamja evolucionare refuzon kategorikisht mësimet e fesë mbi krijimin e njeriut. Ajo ndanë deri në palcë botën materiale nga bota shpirtërore të cilat Islami i sheh të pandashme në korrelacion dhe që ndihmojnë njëra-tjetrën. Teoria e evolucionit e lë njeriun jetim në duart e fatit të tij. E lë të pambrojtur e të pandihmuar nga Zoti. Ajo thotë se “më e madhja” evoluon nga “më e vogla”, njeriu vjen prej majmuni, këta dy së bashku me qeniet tjera të gjalla prej amebës, ndërsa kjo e fundit nga pikat kuacervate të paraqitura rastësisht pas “Shpërthimit të Madh”. Teoria e evolucionit që mohon ndërhyrjen e së “Lartës” tek e “poshtmja”, është rezultat i shembjes së parimeve fetare-teologjike mbi jetën. Evolucionizmi pra është orvatje e dëshpëruar e njeriut për të mbushur zbrazëtinë e krijuar nga përpjekja e tij për ta larguar Zotin nga bota. Për ta hedhur matanë krijimtarisë së Tij dhe për ta bërë botën pa qendër.
Kur’ani na mëson se njeriu ka shpirt dhe trup. Ai është i dërguar për një mision të caktuar dhe shumë të rëndësishëm. Që të jetë zëvendës i Zotit në tokë. Kur’ani na tregon se këtë mision të njeriut e kishin refuzuar edhe toka, edhe qiejt. Pikërisht për shkak të peshës së madhe që ka ai mision, detyrat e njeriut në këtë botë pra nuk janë të lehta, por janë të rënda dhe të komplikuara. E për t’i bërë ballë presionit brutal të materies, njeriut i duhet forcë. Agjërimi është ajo forcë e cila e ndihmon atë të aftësohet shpirtërisht, dhe ashtu i fortë t’i bëjë ballë robërimit të materies.
Së këndejmi, agjërimi është armë efikase për ta mundur fuqinë brutale të materies dhe për t’u liruar nga robërimi eventual i saj. Me gjithë këtë, Islami nuk është kundër të mirave materiale dhe as preferon jetën askete (zuhd). Aliu r.a. thotë se zuhdi të cilin e rekomandon Islami nuk donë të thotë që njeriu të mos posedojë asgjë, por asgjë të mos e sundojë dhe asgjë të mos e robërojë atë. Qëndrimi i Islamit ndaj begative materiale nuk konsiston në atë që myslimani të mos ketë, përkundrazi të ketë sa më tepër. Edhe pse gjithë çka në tokë e në qiej i është lënë në disponim njeriut, ai nuk duhet t’i nënshtrohet begative të kësaj bote e të bëhet rob i tyre. Agjërimi të gjitha këto i vë në baraspeshë. E koordinon shpirtin me materien ku njeriun donë ta mbajë aty ku e ka vendin; midis kafshës dhe engjëjve, midis materies dhe shpirtit, midis botës të ulët dhe botës së lartë.
Pra, agjëruesi nuk guxon të ikë nga begatitë materiale. Nuk guxon të tërhiqet as kah “këndi i mistikëve”, nga ku bota shihet si diçka që nuk mund të ndryshohet. Agjëruesi nuk guxon të humb hapin. Në historinë islame, beteja të suksesshme janë arritur në kohët e agjërimit. Si i tillë që është, ai e ndihmon njeriun ta pushtojmë vetveten, të bëhet zotërues i epsheve të veta. Agjërimi është mësimi më i mirë mbi atë se materia është mjet, dhe nuk guxon të na bëhet qëllimi i jetës sonë.
Ajetet 183 dhe 184 të kaptinës el-Bekare tregojnë për rolin kaq të rëndësishëm të agjërimit. Aty thuhet se agjërimi është edhe mjet efikas kundër mëkateve. Ndër mëkatet e mëdha që i rëndit Islami është sidomos shfrenimi dhe dominimi i pasioneve të njeriut, i dominimit të materies mbi njeriun. Kur epshet dhe pasionet e mundin njeriun, atë e bëjnë më të ulët se kafsha. E bëjnë “esfelu-safilin”. Sepse, sipas Kur’anit: “In-nen-nefse le emaretun bis-sui” (epshi është i prirë kah e liga). Kur njeriu bëhet rob i pasioneve, epshit dhe materies, ai e humb vlerën e tij njerëzore. Transformohet në krijesë të pangopshme e makute. Sot gjithandej jemi dëshmitarë të sjelljes së njeriut të zhytur në pasione dhe i robëruar nga epshi e materia. Dëshmitarë të një lloj njeriu i shndërruar në qenie me shpirt sa të miut e me trup sa të elefantit.
Muhamedi a.s. ka thënë se lufta për të shpëtuar veten është më e madhe se lufta kundër armikut. Të ligat dhe mëkatet që i bënë njeriu, jo gjithherë janë pasojë e injorancës. Ato burojnë edhe në motivet tona që mbijnë në dëshira, në shpirt e në zemër. Mëkati në fakt është pasojë e mospajtesës midis dëshirës dhe arsyes, vullnetit dhe diturisë. Mëkati i vërtetë qëndron pikërisht në atë mospajtim. Prandaj, të harmonizuarit e dëshirës dhe arsyes, vullnetit dhe diturisë, është çështje shumë me rëndësi. Nga aty varet lumturia dhe prosperiteti ynë, dhe mu këtu, agjërimi luan rolin kryesor të tij. Pra, sendërtimin e jetës mbi principin e të mesmes së virtytshme.
Nisur nga këtu, roli i agjërimit bëhet gjithnjë e më i vlefshëm. Agjërimi ngjall dhe përforcon njerëzoren te njeriu, forcon dëshirën e tij dhe e drejton kah mirësia. Agjërimi na mëson si të kërkojmë lumturin në realizimin e vlerave të larta morale, sepse ato janë tiparet kryesore të njeriut. Pikërisht kjo e bënë njeriun të dallohet prej kafshës e cila di vetëm për kënaqësi materiale. Vetëm për pasione dhe epshe.
Agjërimi ka edhe aspektin shëndetësor. Porosia “Agjëroni, nëse doni të jeni të shëndoshë”, të cilën Muhamedi a.s. e proklamoi, u bë normë e mjekësisë bashkëkohore. Agjërimi në mjekësinë bashkëkohore zë vend të rëndësishëm. E mira e agjërimit më nuk është aspak diskutabile. Përveç kësaj dhe si rrjedhojë e mbjelljes së ndjenjës së sakrificës në ne, agjërimi transformohet në forcë të brendshme e cila e aktivizon njeriun dhe e orienton kah ndihma për të tjerët. Iftaret që shtrohen për familjarë, për miq e njerëz gjithandej nëpër botë, si dhe Sadakatu’l-Fitri që jepet për të nevojshmit, janë dy argumentet më të mira të anës sociale që e ka agjërimi.