2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Migrimi lë shkollën fillore “Dardania” pa një klasë (Video)

Më të lexuarat

Migrimi jashtë vendit i qytetarëve të Kosovës, në dy muajt e fundit, vërehet më së shumti në shkollat fillore dhe të mesme të vendit. Shkolla fillore “Dardania” në kryeqytet, tashmë ka një klasë më pak.

Në pak javë, 30 nxënës bashkë me familjet e tyre kanë emigruar në kërkim të një jete më të mirë. Në njërën ndër klasat e treta të kësaj shkolle, shokët dhe shoqet kanë kujtim shenjat e duarve me ngjyra të Omarit dhe Tuanës, të cilët nuk jetojnë më në Kosovë.

“Ka shkuar një shoku im shumë i mirë, që quhet Omar. Jashtë Kosovës sigurisht, për të jetuar me familjen e tij. Por nuk ka bërë mirë, se atje nuk di as gjuhën, as nuk mund të hyjë shumë shpejt në shkollë si këtu”, thotë Ari Ejupi, shok i Omarit, raporton Tch.

Shumë prej tyre nuk i kuptojnë arsyet, përse u kanë ikur shokët.

“Ne nuk mund ta braktisim vendlindjen tonë, se kudo nëpër shtetet e tjera duhet të mësojmë fillimisht gjuhët e tyre. Nëse ne flasim shqip, ata nuk na kuptojnë”, thotë Lekë Kavaja.

Por ajo që ata dinë është se, braktisja e vendit është shqetësuese.

“Nuk ka më të dashur se vendi ynë. Vendi ynë është shumë me vlerë. Nuk kanë bërë mirë, ata që kanë shkuar jasht vendit”, thotë Enea Haxhiu.

“Unë mendoj se nuk është ide e mirë të shkosh andej, sepse vetëm në Kosovë, ku kemi lindur, mund ta kemi dhe gëzojmë lirinë”, thotë Ari Ejupi, nxënës.

“Vetëm në vendin tonë mund të gjejmë çfarë duam. Në shtetet e tjera nuk është mirë të shkojmë”, thotë Andrra Ulqinaku.

TCH: A të ka marrë malli për shokët dhe shoqet që janë larguar?

Andrra Ulqinaku: Po, sidomos për Tuanën.

“Ne nuk duhet ta tradhtojmë vendin tonë, sepse në vendlindjen tonë gjejmë lirinë dhe dashurinë”, thotë Det Kasumi.

“Dëshiroj që ata të vijnë sa më shpejtë në klasën tonë”, tha Erion Sylaj.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit në Kosovë, deri në fund të semestrit të parë në dhjetor të vitit 2014, numri i nxënësve që kishin emigruar me familjet e tyre ka qenë 130. Por në muajin janar dhe thuajse gjysmën e shkurtit të këtij viti, shifrat janë alarmante. 5 mijë e 130 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme janë larguar jashtë vendit, bashkë me familjet e tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, pjesa më e madhe e nxënësve, që ikën nga shkollat për të emigruar, janë nga klasat e pesta dhe të gjashta. Shokët dhe shoqet e Omarit dhe Tuanës mbesin me dëshirën, që ata një ditë të kthehen në shkollë. /TCH/

“>

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit