4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse “vdesim” për ëmbëlsira, kur jemi të stresuar?

Më të lexuarat

Ndonëse truri ynë përbën vetëm 2 për qind të peshës tonë trupore, ky organ konsumon gjysmën e kërkesave të përditshme në karbohidrate, dhe glukoza është “karburanti” më i rëndësishëm i tij. Kur ndodhet në një stres akut, truri kërkon rreth 12 për qind më shumë energji, duke bërë që shumë njerëz të konsumojnë më shumë ushqime me sheqer.

Karbohidratet, i sigurojnë trupit një burimin më të shpejtë të energjisë. Në fakt, në testet e ndryshme njohëse, subjektet që ishin të stresuar dilnin më dobët para ngrënies. Ndërkohë, rendimenti i lartë kthehet në normalitet pas konsumimit të ushqimit.

Kur jemi të uritur, aktivizohet një rrjet i tërë rajonesh në tru. Në qendër është hipotalamusi ventromedial (VMH), dhe hipothalamusi lateral. Këto dy rajone në pjesën e sipërme të trurit, janë të përfshira në rregullimin e metabolizmit, sjelljes me ushqimin, dhe funksionet e tretjes.

Megjithatë ka një “rojtar” më lart, bërthama arkuatus (ARH) në hipotalamus. Nëse regjistrohet që vetë truri nuk ka glukozë, ky “rojtar” bllokon informacionin nga pjesa tjetër e trupit. Kjo është arsyeja pse ne menjëhërë u drejtohemi karbohidrateve, sa herë që truri tregon një nevojë për energji, edhe nëse pjesa tjetër e trupit është e furnizuar mirë.

Për të kuptuar më tej marrëdhëniet midis trurit dhe karbohidrateve, kemi ekzaminuar 40 njerëz gjatë 2 seancave. Në të parën, u kërkuam pjesëmarrësve në studim, të mbanin një fjalim 10-minutësh para disa të panjohurve për ta. Në sesionin tjetër, atyre nuk iu kërkua të mbajë ndonjë fjalim.

Në fund të secilit sesion, ne matëm përqendrimet e hormoneve të stresit, kortizolit dhe adrenalinës, në gjakun e pjesëmarrësve. Ne gjithashtu u dhamë vullnetarëve në këtë studim mundësinë që për 1 orë të ushqeheshin. Kur pjesëmarrësit mbajtën një fjalim para ngrënies, ata ishin më të stresuar dhe konsumonin mesatarisht 34 gram karbohidrate, sesa kur nuk mbanin një fjalim.

Atëherë, ç’duhet të themi për çokollatën? Nëse një person dëshiron të hajë çokollatë pasdite, unë e këshilloj atë që ta hajë çokollatën për të qëndruar në formë, dhe për të mbajtur humorin lart. Kjo për shkak se në punë, njerëzit stresohen shpesh, truri ka nevojë për energji.

Nëse dikush nuk ha asgjë, ka gjas që truri ta marrë nga trupi glukozën, që më herët ishte i destinuar për prodhimin e yndyrës dhe qelizave të muskujve, dhe do të shndërrohet në më shumë hormone stresi. Kjo mund të rrisë në një periudhë afatgjatë, rrezikun e sulmeve në zemër, goditjeve në tru apo depresionit.

Ose truri mund të shkojë në funksione të tjera, por kjo pakëson përqendrimin dhe performancën. Për të plotësuar nevojat në rritje të trurit, cilido mund të hajë më shumë nga çdo gjë, sikurse dhe vepruan subjektet e stresuar në eksperimentin tonë, ose e bëjnë më të lehtë për trupin dhe thjesht konsumojnë ushqime të ëmbla.

Edhe foshnjat kanë një preferencë të theksuar për ëmbëlsirat. Për shkak se truri i tyre është jashtëzakonisht i madh, në krahasim me trupat e tyre të vegjël, foshnjat kërkojnë shumë energji. Dhe ato e marrin atë energji nëpërmjet qumështit të gjirit, i cili përmban shumë sheqer.

Me kalimin e kohës, preferenca jonë ndaj ëmbëlsirave zvogëlohet por nuk zhduket kurrë plotësisht, madje edhe kur rritemi. Shkalla në të cilën ruhet kjo preference, ndryshon nga personi në person, dhe duket se varet ndër të tjera edhe nga kushtet e jetesës.

Studimet sugjerojnë, se njerëzit që përjetojnë shumë stres në fëmijëri, kanë një preferencë më të fortë për ëmbëlsirat më vonë gjatë jetës. Për disa, truri nuk mund të marrë energjinë e tij nga rezervat e trupit, edhe nëse ka depozita të mjaftueshme të yndyrës, shkruan bota.al. Shkaku më i rëndësishëm i kësaj, është stresi kronik.

Për të siguruar që truri i tyre të mos jetë i nën-furnizuar, këta njerëz duhet të hanë gjithmonë sa duhet. Shpesh, mënyra e vetme për t’u shkëputur nga zakone të tilla të ngrënies, është të largohet nga një mjedis vazhdimisht stresues.

Pra, edhe pse shumë kanë prirjen të jenë të ashpër me veten e tyre, për shkak se konsumojnë shumë ëmbëlsira ose karbohidrate, arsyet pas kësaj manie, nuk janë gjithmonë për shkak të mungesës së vetëkontrollit, dhe mund të kërkojnë një studim më të thelluar mbi stilin e jetës, situatat e vështira të kaluara, dhe ato të tashme.

Pasi të adresohet shkaku rrënjësor i stresit, mund të gjejnë zgjidhje përfundimtare edhe problemet në zakonet e të ngrënit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit