2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kërkohet dënim me burg për ata që dëmtojnë pyjet

Më të lexuarat

Degradimi i pyjeve dhe ambientit ka qenë tema që është diskutuar në takimin e organizuar nga Prokuroria Themelore në Pejë. Me ketë rast është kërkuar që të rriten dënimet ndaj atyre që bëjnë prerjen pyjeve.

Agim Kurmehaj, kryprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se degradimi është duke vazhduar.

“Qëllimi i kësaj tryeze, shikoni këto fotografi dhe e shihni degradimin. 99 përqind të lëndëve i kemi proceduar të kësaj natyre”, tha ai.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Sami Sharaxhiu, ka thënë se dënimet duhet të rriten.

“Zgjidhja në të ardhmen është që ne në gjykata t’i ashpërsojmë dënimet, ne të fillojmë që të japim dënime me burg. Në këtë mënyrë besoj që do të bëhet vetëdijesimi i popullatës”, tha ai.

Koloneli Shaban Shala, ka thënë se do të vazhdojnë në zbatimin e ligjit për të dënuar ata që bëjnë prerjen e pyjeve.

“Si Polici e Kosovës jemi zbatues të ligjit dhe nuk do të ndalemi edhe në të ardhmen. Besoj fuqishëm që në një bashkëpunim më të madh kemi me e pas një gjendje tjetër. Si Polici nuk do të ndalemi asnjëherë që personat që e bëjnë këtë t’i dënojmë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se ka një degradim shumë të madh të pyjeve, ndërkohë që ka kërkuar bashkëpunim më të madh ndërmjet policisë dhe prokurorisë.

“Të gjithë jemi dëshmitar të degradimit të pyjeve, ne në Pejë për mbrojtje të ambientit i kemi dy inspektorë, synojmë që të punësojmë edhe 4 të tjerë. Mali është duke u prerë, me makina që nuk kanë regjistrim. Pa bashkëpunim të prokurorisë dhe të policisë me u dënu, jo me dënime të buta. E kam dërguar një rast, më kanë kërkuar që keqbërësit t’ia gjej emrin e nënës dhe mbiemrin e qiknisë, a unë e kam dërguar emrin e kompanisë. Kërkoj që dënimi të rritet dhe të jetë më i ashpër”, tha ai.

Ai tha se në buxhet për këtë vit e kanë paraparë vendosjen e 50 kamerave.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se në Deçan është zvogëluar kjo dukuri.

“Për Deçan është zvogëluar kjo dukuri, por pasojat kanë mbetur. Ka ndodhur para disa dite, që gjatë ditës të kalojë një kamionë me dru. Degradimi i ambientit, Deçani e ka tash një pamje të keqe në lumin e Deçanit”, tha ai.

I pakënaqur me dënimet është shprehur edhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

“Problemet e mëdha janë ato që menaxhohen nga Komuna, ndërsa ato që menaxhohen nga parku nacional është shumë mirë. Nuk jam i prirur ta heq përgjegjësinë prej vetes, pasi kryetari i komunës ka përgjegjësi më të madhe. Nuk mund të them se ka munguar bashkëpunimi, por jam pak i pakënaqur që janë këto dënime pak të buta, do të dëshiroja që të jenë dënime pak më të forta”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj,

“Janë tre faktorë degradues të mjedisit, prerja, zjarrvënia dhe shfrytëzimi i rërës. Faktori më i madh degradues është zjarrëvënia, sepse një zjarrëvenie mund të shkatërrojë më shumë pyje”, tha ai./KP/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit