Aktivistët danezë kanë protestuar sot kundër refuzimit të lejes së qëndrimit për një familje shqiptare dhe rikthimin e saj në Shqipëri. Mediat daneze shkruajnë se në pesë të mëngjesit aktivistët kanë hyrë në aeroportin e Kopenhagenit, duke kërkuar që familjes shqiptare t’i lejohet qëndrimi në Danimarkë.
Bëhet fjalë për familjen Mirashi, të cilës i është refuzuar azili më 22 mars dhe iu dha tre javë kohë për të aplikuar për një leje humanitare qëndrimi bazuar në ligjin danez. Doktorët danezë kanë konstatuar se djali i madh i familjes Mirashi, i cili është 8 vjeç, vuan nga probleme fizike dhe mendore. Nga ana tjetër, nëna e tij thotë se trajtimin e nevojshëm nuk mund ta marrë në Shqipëri, ku familja ka jetuar në kushte shumë të vështira për shkak të varfërisë.
Gjatë aplikimit të lejes humanitare, familja nuk arriti të sigurojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm brenda afateve. Aktivistët mendojnë se duke shtyrë deportimin e familjes në Shqipëri, mund t’u jepet kohë që të sigurojnë dokumentet e nevojshme për aplikim.
Media daneze gjithashtu raporton se ditën e martë një grua me fëmijën e saj është dëbuar nga Danimarka, duke u nisur nga aeroporti i Kopenhagenit për në Shqipëri.