Gjykata për Krimet e Rënda ka dënuar me 35 vite burg, 67-vjeçarin Namik Velaj. Në janar të 2017-ës ai vrau bashkëshorten e tij, Vreke Velaj në banesën e tyre në Patos.
Sipas prokurorisë, Velaj ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre, duke e rrahur e më pas i ka zënë frymën me duar. Ndërsa krimi është zbuluar një vit pas ngjarjes.
Gjithashtu, fajtor u deklarua mjeku Ilir Tanku, për “Shpërdorim detyre”. Ai u dënua me 2 vite burg, por gjykata pezulloi dënimin dhe do të shlyhet me 4 vite shërbim prove.
Mjeku në fjalë ka bashkëpunuar me 67-vjeçarin për të zhdukur provat ngjarjes. Ai ka përcaktuar se shkak i vdekjes së të moshuarës ka qenë hipertensioni, duke e trajtuar si vdekje natyrale.
Për Namik Velajn, Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar burgim të përjetshëm, ndërsa për mjekun Ilir Tanku, u kërkua 3 vite burg dhe 2 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar profesionin e tij. Por gjykata i zbuti këto dënime.
Mjeku “u dënua” por në fakt nuk do rrijë asnjë ditë në qeli pasi burgu iu konvertua me “shërbim prove”.