Muzeu Ajasofja në Stamboll do të kthehet në xhami, tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ayasofja nuk do të quhet më muze. Statusi i tij do të ndryshojë. Do ta quajmë xhami”, tha Erdoğan gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.
Erdoğan rikujtoi heshtjen e disa zyrtarëve të huaj lidhur me sulmet izraelite ndaj Xhamisë Al-Aksa të Kudsit, të cilët kanë bërë komente për Ajasofinë.
“Ata që heshtin kur sulmohet Mexhid al-Aksa, nuk mund të na tregojnë çfarë të bëjmë lidhur me statusin e Ajasofisë”, tha presidenti turk.
Ajasofja, e cilësuar si “Mrekullia e Tetë e Botës” nga historianët, është një nga muzetë më të vizituar në botë në aspektin e historisë së artit dhe arkitekturës.
Ajo u përdor si kishë për 916 vjet. Në vitin 1453, ajo u shndërrua në xhami nga Fatih Sulltan Mehmeti kur osmanët çliruan Stambollin.
Pas restaurimit gjatë epokës osmane, Ajasofja u bë një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës botërore.