Besarta Jashari kurrë nuk ka pasur mundësi të rrëfejë para një gjykate tmerrin e përjetuar 17 vjet më parë.
Askush nuk ka dalë para drejtësisë për vrasjen e shumicës së anëtarëve të familjes së saj më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998. Vrasësit e familjes Jashari deri tash nuk janë përgjigjur penalisht për krimin. Ata ishin pjesëtarë të njësive elite të Policisë së Serbisë, shkruan “Koha Ditore”.
Krimi mbi familjen Jashari, që u kishte marrë jetën shumë fëmijëve dhe grave të pafajshme, është njëra prej masakrave më të mëdha të kryera nga forcat serbe.
Masakra ishte kryer kur lagjja Jashari ishte rrethuar nga forcat serbe mëngjesin e 5 marsit. Pos vrasjes së komandantit Adem Jashari dhe vëllait të tij Hamzës që ishin drejtues të celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcat e sigurisë nuk kishin kursyer fëmijët, gratë e pleqtë.