Si pasardhës të dëshmorëve të Çanakalasë, Turqia asnjëherë nuk do të bëjë lëshime për pavarësinë, të ardhmen dhe lirinë e saj, tha presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan.
“Ne jemi fuqimisht kundër planeve të pabesa kundër kombit tonë dhe punojmë pa u lodhur me të gjithë qytetarët tanë, burra, gra, të rinj dhe pleq, duke u mbajtur krah për krah, për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme”, tha Erdoğan në një mesazh me rastin e Ditës së Fitores dhe Dëshmorëve të Çanakalasë.
Ai theksoi se Fitorja e Çanakalasë është triumf i lavdishëm që gjunjëzoi ushtarakët më të përparuar të epokës.
“Kombi turk, me krenari e eksitim përkujton përvjetorin e 104-t të Fitores së Çanakalasë dhe kujton çdo hero me respekt dhe mirënjohje, para së gjithash Mustafa Kemalin, i cili na besoi këto toka në Ditën e Dëshmorëve më 18 Mars”, shtoi presidenti turk.
Në Turqi dhe në vende të tjera të botës në mënyra të ndryshme do të shënohet 104-vjetori i Betejës Detare të Çanakalasë. Beteja e Çanakalasë në Evropë është më e njohur si Beteja e Galipolit dhe është një nga betejat më të përgjakshme dhe më të ashpra të Luftës së Parë Botërore.
Beteja detare midis 3 nëntorit të vitit 1914 dhe 18 marsit të vitit 1915 në Galipoli, si dhe beteja tokësore që u zhvillua nga 25 prilli i vitit 1915 deri më 9 janar të vitit 1916, janë beteja që zënë vend të rëndësishëm në Turqi dhe në histori e gjithë popujve muslimanë të rajonit./AA