Sulmet terroriste e së premtes në dy xhami në Christchurch të Zelandës së re u morën jetën 50 vetëve dhe lanë të plagosur dhjetëra të tjerë, por nga kjo ngjarje e tronditëse ka edhe histori pozitive; historitë e atyre që u përpoqën duke rrezikuar vetveten për të shpëtuar sa më shumë njerëz të mundshëm nga dora e autorit, një ekstremist i djathtë që kreu aktin.
Një prej besimtarëve të pranishëm në një nga xhamitë thotë se pasi dëgjoi të shtënat kishte dalë jashtë me një pajisje leximi kartash krediti në duar, e me të kishte qëlluar ndaj agresorit, i cili i ishte përgjigjur me një breshëri të shtënash.
Dy oficerë policie, njëri prej të cilëve i armatosur, ndoqën dhe më pas arrestuan 28-vjeçarin Brenton Tarrant, i cili pas hetimeve të thelluara të ngjarjes rezultoi se kishte pasur eksplozivë në automjetin e tij dhe kishte planifikuar të tjera sulme atë ditë, nëse nuk do të ishte ndalur, siç theksoi edhe kryeministrja Jacinda Ardern. Kjo e fundit e quajti “akt terrorist” sulmin, ndërsa të hënën, kabineti i saj do të diskutojë mbi ndryshimin e ligjeve për kontrollin e armëve në Zelandën e Re.
Hetuesit kanë ekzaminuar trupat e viktimave, të cilat do t’iu kthehen të afërmve për ceremonitë mortore që do të nisin nga e mërkura. Deri më tani, 34 persona gjenden ende në spital, përfshi këtu një vajzë 4-vjeçare në gjendje kritike.
Abdul Aziz, 48-vjeçari i lindur në Afganistan dhe i mbërritur në Australi si fëmijë refugjatësh, ku jetoi për rreth 30 vite përpara se të zhvendosej dy vite e gjysmë më parë në Christchurch, thotë se ishte brenda xhamisë “Linwood”, e dyta e shënjestruar nga agresori, kur dëgjoi të shtënat.
Kur kuptoi se ç’po ndodhte, ai thotë se kishte rrëmbyer një makineri kartash krediti dhe kishte qëlluar agresorin me të në momentin kur ky po drejtohej nga automjeti i tij për të rrëmbyer armën tjetër, e më pas ishte fshehur mes makinave të tjera përballë breshërisë së plumbave.
Aziz, i cili ndodhej në xhami me 4 fëmijët e tij, rrëmbeu më pas një armë që kishte hedhur i dyshuari e me të ishte rikthyer sërish brenda xhamisë, ku u konfrontua sërish me agresorin.
“Më pa me armë dhe lëshoi të tijën për të vrapuar drejt makinës së vet. E ndoqa dhe teksa qëndronte ulur në makinë, ia hodha armën drejt saj si ta kisha një shigjetë. Dukej sikur po më betohej se do të më vriste”, tha ai për “Reuters”.
Imami i xhamisë “Linwood”, Latef Alabi tha për “Associated Press” se numri i viktimave mund të ishte edhe më i madh në xhami, nëse Aziz nuk do të kishte vepruar për ta shpërqëndruar dhe për ta tërhequr nga akti i tij kundrejt besimtarëve brenda.