3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Politika si “rrugë e shkurtër” për t’u bërë milioner

Më të lexuarat

Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika. Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, disa zyrtarë të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qofshin ato qendrore apo lokale, janë tashmë milionerë me pasuritë e tyre, kurse të tjerë hyjnë në kategorinë e njerëzve të pasur.

Edhe pse pagat e zyrtarëve të lartë shtetëror në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit sillen mbi 13 mijë euro në vit, pasuria e patundshme e deklaruar paraqitet prej qindra mija eurosh apo edhe pasuri milionëshe.

Mospërputhshmëria në mes pagës që marrin dhe pasurisë së deklaruar, sipas shoqërisë civile, krijon hapësirë për dyshime për pasuri të paligjshme.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë se dyshon që pasuria e shumë politikanëve apo zyrtarëve shtetëror është e ndërlidhur me biznesmenë të cilët përfitojnë nga tenderët e institucioneve publike.

“Krijohet dyshimi se një pjesë nga ta mund të kenë pasuri të dyshimtë ose pasuri të paligjshme, që mund të kenë lidhje përmes proceseve të ndryshme tenderuese ose përfitime të ndryshme nga bizneset që kanë lidhje direkt me partitë politike, për shkak të marrjes së numrit të madh të tenderëve nga institucionet. Përndryshe nuk ka kuptim nëse e sheh diskrepancën në mes të hyrave të tyre dhe pasurisë së paraqitur”, tha Demhasaj.

Edhe Hasan Preteni, drejtor i Qendrës për Etikë, Transparencë dhe Integritet në një bisedë për REL, e quan paradoks këtë situatë. Ai dyshon se pasuria e disa zyrtarëve publik është fituar nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare.

“Shikoni stilin e jetës së tyre, shikoni pasuritë e patundshme, shikoni si jetojnë dhe ku shkollohen fëmijët e tyre dhe do vërehet menjëherë se mund të kenë pagë të madhe, por për një periudhë 10-15 vjeçare nuk mund të krijohet kjo pasuri”.

“Ne mund të flasim për pasurinë që deklarojnë në Agjenci, por nuk mund të flasim për pasurinë që nuk e kanë të regjistruar në emër të tyre. Pra, është një problem shumë i madh, por që nuk pritet që kjo të rregullohet, pasi nuk ka reflektim dhe nuk kanë vullnet politik që kjo çështje të rregullohet”, tha Preteni.

Në bazë të statistikave zyrtare, në Kosovë shkalla e papunësisë është rreth 30 për qind, derisa rreth 17.6 për qind të popullatës jeton në varfëri të plotë.

Paga mesatare për punonjësit në institucionet publike sipas të dhënave zyrtare, ka arritur në rreth 500 euro, kurse një rritje për punëtoret e sektorit publik e kanë siguruar edhe me Ligjin e pagave që është miratuar në fillim të muajit shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, paga në sektorin privat vazhdon të jetë 384 euro në muaj.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Kurse, shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, konsumi për ekonomitë familjare mbi 7500 euro në vit, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.

Duke marrë parasysh situatën aktuale, ku Kosova llogaritet si vendi më i varfër në rajon, Arton Demhasaj thotë se është e turpshme që politikanët apo zyrtarët e lartë shtetëror të jenë kategoria më e pasur e shoqërisë.

“Është shumë e turpshme që në një vend të varfër siç është Kosova, kategoria më e pasur të jenë politikanët ose bartësit e institucioneve publike. Përderisa dihet se në çfarë gjendje jeton populli i Kosovës, në çfarë varfërie jetojnë qytetarët, kur dihet paga mesatare, cila është shuma për pensione, pagat në sektorin privat, është e turpshme kur sheh pasuritë e politikanëve në Kosovë”, shprehet Demhasaj.

Ndërkaq, Hasan Preteni, i cili ka qenë Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, thotë se kësaj situate po i ndihmon edhe mungesa e ligjeve që mundëson verifikimin e prejardhjes se pasurisë se tyre, pasi sipas tij, pagat nuk mundësojnë të bëhen milionerë.

“Duhet të ketë vullnet politik që të rregullohet baza ligjore, dhe të iu sigurohet kapacitete agjencisë ose ndonjë mekanizimi tjetër që pasurinë që po e deklarojnë zyrtarët të bëhet verifikimi i prejardhjes. Ky është elementi kyç, elementi bazë që duhet të veprohet”, thekson ai.

Edhe Arton Demhasaj, thekson se në aspektin e verifikimit të burimit të pasurisë, por edhe konfiskimit të saj, ka mangësi ligjore.

“Ka bazë ligjore vetëm për çështjet që lidhen më veprimtari penale, që fillimisht një prej këtyre zyrtarëve milionerë që po flasim duhet të kryejë një vepër penale, duhet të akuzohet, gjykohet dhe të shpallet I fajshëm për veprën penale, në mënyrë që të ketë mundësi që prokurori të fillojë të shqyrtimin e pasurive të tij eventualisht të konfiskoj pasurinë e tij” tha Demhasaj.

Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, obligon të gjithë zyrtarët që të deklarojnë pasurinë e tundshme, atë të patundshme, paratë e gatshme nëpër banka, aksionet në shoqëri komerciale, letra me vlerë, para të gatshme në institucionet kreditore, borxhet, të hyrat vjetore, si dhe prejardhjen e tyre.

Ky ligj, po ashtu, rregullon kontrollin publik të pasurisë, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale.

Së fundmi, Ministria e Drejtësisë ka bërë disa ndryshime në Kodin Penal si dhe ka prezantuar Projektligjin e ri për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit