Më 27 shkurt 2011, vdiq Nexhmetin Erbakani, përfaqësuesi më i njohur i islamit politik në Turqi. Erbakani nuk ishte shejh, nuk e kishte studiuar ligjin e sheriatit, ishte inxhinier i makinerisë, kishte doktoruar në Universitetin e Ahenit në Gjermani, por besonte se Islami nuk është shpallur për tu tërhequr në xhami, por për ta qeverisur shoqërinë.
Në këtë kuptim është edhe deklarata e Nexhmetin Erbakanit:
“Muslimanët që nuk interesohen për politikë do të qeverisen nga politikanët të cilët nuk interesohen për Islamin.”
Prandaj, ai kishte vendosur të hynte në politikë. Për herë të parë ia doli të hynte në parlament si kandidat i pavarur në zgjedhjet e vitit 1969, kurse një vit pas zgjedhjeve e themeloi Partinë e statutit kombëtar. Së shpejti, partia e tij politike u ndalua, gjoja për shkak të shkeljeve të normave të laicizmit.
Erbakani në vitin 1972, e themeloi Partinë e shpëtimit kombëtar, me të cilën një vit më vonë doli në zgjedhje dhe fitoi 51 ulëse parlamentare në Kuvend dhe u emërua në postin e zëvendëskryeministrit të Turqisë. Mirëpo, pas grusht shtetit ushtarak në vitin 1980, Erbakani përfundoi në burg dhe partia e tij u ndalua.
Por Erbakani nuk u dorëzua. Pasi u lirua nga burgu, ai në vitin 1983, e themeloi Partinë e Prosperitetit (Partinë Refah), me të cilën fitoi në zgjedhjet e vitit 1995, dhe u bë kryeministër i Turqisë. Mirëpo, kreu ushtarak sërish e shpalli atë si kërcënim ndaj laicizmit dhe Erbakani u detyrua ta lërë postin e tij, edhe pse një nga parimet më të rëndësishme të laicizmit është respektimi i vendimit të votuesve në zgjedhje.
Erbakani nuk ishte larg nga jeta e muslimanëve dhe popujve muslimanë, kishte qëndrime të qarta anti-izraelite dhe me sukses ndërmjetësoi në mosmarrëveshjet mes muxhahidëve në Afganistan. Erbakani nuk ishte një prej halifëve të cilët sundonin shtetin musliman, ai ishte musliman në një shtet laik, i cili Islamin e shihte si kërcënim. Në atë vend dhe në një mjedis të tillë, Erbakani punonte dhe vepronte, të cilin kritikët e tij nuk e kuptonin. Sepse ne jemi shpesh të prirur për kritika, edhe pse nuk e dimë realitetin dhe rrethanat në të cilat njerëzit e tjerë jetojnë.
Në këtë kuptim, është edhe tregimi këshillues për drurin dhe gozhdën.
Në realitet thuhet se druri i kishte thënë gozhdës: “Shiko çka më ke bërë dhe çfarë vrime më ke shkaktuar.” Kurse gozhda ishte përgjigjur: “Sikur ta shihje ti forcën e goditjeve në kokën time, sigurisht do të më kishe justifikuar.”
Është e vërtetë se Turqia sot po i korr frytet që i ka mbjellë Erbakani, në një kohë kur për pranim në ushtrinë turke shikohej se a ka në gjunjët (pantallonat) e kandidatit gjurmë të faljes, përkatësisht nga bërja e sexhdes, dhe tek ai i cili vërenin gjurmë të tilla, ai largohej me procedurë të shpejtë.
Edhem Sherkavi
Përktheu: Miftar Ajdini