Një trup është gjetur në rrënojat e aeroplanit që u rrëzua me sulmuesin e Cardiff Cityt, Emiliano Salan dhe pilotin David Ibbotson që ishin në bord, ka konfirmuar Dega e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore (AAIB).
Aeroplani u gjet në shtratin e detit të English Channel (La Manche) të dielën në mëngjes, por kushtet e këqija penguan operacionin e largimit të trupit.
“Pas një ekzaminimi të gjerë vizual të vendndodhjes së aksidentit duke përdorur mjetin me telekomandë (ROV), u vendos që të bëhej përpjekje përsëri”.
Një pjesë e aeroplanit (Foto: AAIB/SWNS)
“Në kushte të vështira, AAIB dhe kontraktorët e specializuar gjetën me sukses trupin e parë nën rrënoja. Operacioni u krye në mënyrë dinjitoze dhe familjet janë informuar për progresin”.
“Për fat të keq, përpjekjet për të rimarrë rrënojat e aeroplanit ishin të pasuksesshme ku kushtet e këqija të motit na detyruan ta kthejmë ROV në anije”.
“Trupi aktualisht është në Portland dhe do të kalojë nën kujdesin e mjekut ligjor në Dorset”, thuhet në njoftimin e AAIB.