Nji andërr e imja” nga Hafiz Ibrahim Dalliu
(botohet për herë të parë nga revista shkencore “Zani i Naltë”)
Hyrje
nga Dr. Genti Kruja, Kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë”
Prej vitesh, duke hulumtuar nëpër arkiva dhe sidomos në AQSH (Arkivin Qendror të Shtetit) në Tiranë, kemi hasur në dokumente të rralla, pjesë e Fondit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por jo vetëm, ku gjenden në shumicën e rasteve dokumente, libra dhe fotografi, të pabotuara kurrë më parë dhe për rrjedhojë të panjohura edhe për vetë studiuesit e fushave përkatëse.
Pas një pune më shumë se dy vjeçare në kuadër të një projekti për dixhitalizimin e Fondit të KMSH-së në AQSH, u bë e mundur skanimi i rreth gjysmë milioni dokumentesh nga viti 1912-1967, dokumente të sekuestruara nga regjimi komunist, por që për fat janë ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit. Këto dokumente paraqesin një rëndësi të veçantë sepse përmbajnë memorien institucionale të Komunitetit Mysliman Shqiptar, historinë e Islamit në Shqipëri gjatë shekullit të XX, deri në mbylljen zyrtare nga shteti totalitar më 1967, korrespondencën zyrtare me komunitetet e tjera fetare në vend, kongreset e zhvilluara gjatë viteve 20-30, inventarët e pronave vakëf, gjendjen financiare me detaje të hollësishme, burimet njerëzore, etj.
Krahas këtij fondi kemi arritur të gjejmë edhe të dhëna të tjera të rëndësishme, siç është edhe një poemë satirike e dijetarit, prijësit, mësuesit dhe publicistit Hafiz Ibrahim Dalliu. Poema e shkruar në vitin 1922 titullohet “Nji andërr e ime”.
Poema satirike e Hafiz Dalliut ka gjithsej 681 vargje, të shkruara njëshkolonë, me strofa treshe por të pandara.
Pedagogu i gjuhës dhe i letërsisë Prof. Rahim Ombashi (aktualisht dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër) është studiuesi i parë, i cili para disa kohësh bëri një studim rreth këtij libri të harruar në arkivat shqiptare, artikull i cili u botua në revistën shkencore “Zani i Naltë”, ku thotë ndër të tjera se, realiteti i zbuluar prej poetit është i dallueshëm prej atij konkret, sepse është virtual dhe sa e sa më i zmadhuar, por gjithnjë shumë personal. Autori është i lirë të hyjë në mjedise të tilla ku nuk ka mundësi të vëzhgosh. Hapësira e lirisë i është bërë e mundur atij për të mbajtur qëndrim kritik shumë të guximshëm. Më shumë se petku i klerikut të ditur dhe të urtë, këtë mundësi ia jep zgjerimi i hapësirave të lirisë në krijimtari. Poema është kthyer kësisoj në një pasqyrë që zbulon të vërteta që nuk vjetrohen.[1]
Prof. Ombashi thekson se poema “Nji andërr e ime”, është poemë e veçantë e shkruar në kohën e trysnisë së madhe ideologjike, por që i ka shpëtuar asaj trysnie më shumë se ç’ka qenë e mundur dhe se ç’ka qenë e menduar. Kjo poemë e panjohur është krijimtari artistike që i ka çliruar dogmat e kufizimet e kohës, është poemë ku kryqëzohen kohë, kultura, besime, filozofi, mite, mendësi, është poemë ku ndërthuren realja me fantastiken, ku ndeshen kontrastet e antitezat e fuqishme, ku mbruhen simbole, që përcillen në kohë, ku marrin kuptime sipërore e sfidohen njeriu me të gjitha ato që përbëjnë jetën e tij sociale, ëndrra e zhgjëndrra. Ndonëse në kushte të vështira, në këtë poemë ndihet fort përcëllimi i fjalës që vret, ku shijohet thellë idhtësia e urrejtjes, njelmësia e fuqia jetësore e smirës, ku regjet e dergjet populli ‘me pes qint halle ne shpine’, ku të rreh padrejtësia e paaftësia po aq sa jeta, ku mallkimi po mundon të mëdhenj e të vegjël, ku liria dëshirohet e duhet më shumë se ëndrra.
Ky rilexim i parë i poemës “Nji andërr e ime”, që flinte në arkiv, zbulon edhe shumë të fshehta të artit të H. Ibrahim Dalliut, edhe shumë të pathëna e të heshtura të tij, që dalin si nëntekst shumështresor e që zbulojnë hibridizimin e tij kulturor, që i theksoi ngjyrat e dramës së tij vetjake, por që asokohe iu bë krah në krijimin artistik.”[2]
Gjuha dhe dialekti i përdorur është lënë si në origjinal së bashku me referencat. Pa u zgjatur më shumë ju ftoj të lexoni për herë të parë këtë poemë të Hafiz Ibrahim Dalliut, satirë e cila vlen edhe për gjendjen e sotme sociale dhe politike, që përjeton Shqipëria.
NJI ANDËRR E IME[3]
nga Hafiz Ibrahim Dalliu
Nji nate fort të muzgëtueme
Kjesh me zemër t’ pezmatueme
Rash n’ shtrat m’i çlodh pak trutë
Por se gjumi ze me m’rrekun
Fillova keq m’u përpjekun
Ndjeva dhe nji qyqe n’dritë
N’katër anët shpesh shkreptinte
Gjith kah qielli bubullinte
Kriste her here nga j’rrefe
Si tërmet bante hershemi[4]
Kujtohej se do t’a shemi
M’at çast Zoti’yne qiell e dhe
Qyqja ndizej por si furrë
Si ndoji nuse q’i vdes burri
ose si ndoj nanë pa djal
Njashtu mallnjyshëm vajtonte
Zemren n’fund t’barkut t’a lëshonte
Shpirtin t’këpuste pa fjalë
Dhe (m..e) hajshe[5] si poetët
M’u duk si kur m’dulen fletet
Mëndja zu me m’fluturue
Si ndoj’zog po, nëper degët
Her kah Toskët her kah Gegët
Mendja ime zue me shkue
Ma së mrapmi po mundojshe
Asaj qyq-je t’iu afrojshe
Qi t’baj m’atë pak kuvend
Por ajo si e lagu shiu
Si me qenë ndoj bir njeri
Erdh nën strehnin t’im zu vend.
Thash me vehte: Moj e shkretë
Tue t’pas ba Zoti’yn me fletë
Kaq i mallnjyeshëm pse qa?
Ty nuk të ndjekin gjuetarët
Zemër zitë e zullumqarët
Kurkush nuk të ndjek me t’vra
Nuk je si na me j’mi halle
ç’ke që qa pra, rri e ba valle
Këndo po gjith natën kangë.
Nuk je si na qi bërtasim
Pse s’kimi ku t’shkojm, po plasim
Jemi si t’burgos me pranga
M’nj’anë na qajnë granit e fmija
M’tjetren anë po thrret Shipnija
Burrani: Thotë për liri
M’u ba mue m’at ças të errët
Si kur ndjeva nji za t’vdjerret
E po m’thonte: or njeri!
Na po qajme per ju te mjeret
Për punët qi bajne bejlerët
Bejlerët njata gaddarë[6]
Qi bahen për t’hujët vegël
E mundojnë të mdhaj e t’vegjël
Po grabisin Popllin mbarë
Përnej na shpezët e natës
Po qajmë për zogjt e të ngratës
Shqipe, qi kan ngel në errsinë
Ngrys e gdhi ata perpiqen
Zbath e xhveshet po terhiqen
Me pas qint halle në shpinë
Me niket fare nate të zymët
Ata shpirtzez, Zemër krymët
Kush e di ç’hatana[7] bajnë.
Kush e di sa gjakna derdhin
Sa njerz i rrafin e i tredhin,
Sa zemra granish ankojnë
Kush e di sa plangje digjen
Sa njerz prej vjet përpiqen
Kush e di se ç’ngja në kët botë
Nesër del Fleta Zyrtare
Tue rrejte botën ashiqare
Thotë: Vazhdon qetsi e plotë
E pra dhe na bashkë me ju
Duhet me qa pa pushue
Me vajtue popllin e mjerë
Qi nuk pa kurr ner e krye
Për veç koha për mbi krye
Ngeli t’u robnue për herë
All-llah Allà; ç’e zu nama
Gjith kah mjerime e gjama
T’mos shofi prej ku je njerzi;
S’u gjind ndoj (plis)[8] i dobishëm
Me zemër t’pastër, i dishëm
Q’i t’ju sundojë me drejtësi;
Prej Tyrqish fort shum keq hoqët
Thue pes qind vjet u përpoqët
Mbas tyne erdhen të hujet
Këta pa farë dhimbje ju rropën,
Ju zhveshen, ju zgërropen
Dhe mbas tyne po tue vujtë?
Deshët nji Shqipni të lirët
Prej t’hujve, krejt të dlirët
Për faqe ksaj ja mrrite:
Po ç’dobi ju mbyten tjerët
Këlysht e t’hujve bejlerët
S’po ju lanë jo me pa dritë
S’mendoni pse i derdhni gjaqet?
Vetëm për me rujtë oxhaqet:
Turp i madh fort e marri,
Sot në koh të Bolshevikvet
T’ju a gjasni ju menshevikët
T’jeni skllavë pa liri?
Deri kur ju pas zotnivet
Si harushat pas arxhivet
Do t’shkoni ksi soj pa mend?
Kur bahi t’zot e vetit
T’mos kini frykë prej njeriut
T’jeni t’lirë si në ç’do vend?
Kur ligjet do t’respektohen
Kur vajtimet do t’mbarohen
T’jetoni si shtet n’Europë?
Kur ma do t’soset mjerimi
Kur ma do t’mbretnoje bashkimi
Mos t’jeni kështu cop mbi copë?
Kur ma ju burrat e dheut ….
S’do t’shkoni pas qejfit beut,
Po t’punoni me kanun?
Kur ma gjembat do t’i korrni
Zullumqarët do t’i shporrni?
Si kur me shporr taunë:….[9]
Ksi sojë lot rrëkajë tue m’rrjedhun
N’sabah gjumi m’kishte vjedhun
Mbas si tepër ishëm lodh
At-herë zuna me pa andërr
Sikur jam tue shkue për Llonder
Njashtu në nji qytet të madh
Sa mrrina aty pari
Ishte në nji kand pazari
Nji park i madh i stolis
Me lule, druj bukurina
Vajza t’bukura si hurina[10]
Edhe nji tryezë n’midis
Rreth e qark un n’at park t’hishëm
Pashë disa burra t’çuditshëm
Shëmtaraqë me barqe t’mdhaj
Shkëlye syshë e gojët hapët
Si zagarët ….(n’dhe)[11] për vapët
Kamë e durët plot me thoj
M’hyni fryk praj sosh u qasa
Me nji shok m’at çast un hasa
Bashkë me të zumë me shëtit
I thash shokut: Mor vallahi:
Ky asht ndo j’vend padishahi
T’lutem prej këndej na qit:
Jo! jo! M’tha: Zotni! Mos tuti
Se s’asht vend i huj, mos nguti
Eja me mue, vështro
Po, shif se ç’kan ba njerzija
Veni vesh dhe fjalve t’mija
Kot më kot mos kundërshto:
Pik së pari shif tryezën
Me gjella që të dynin ndezën
Gjella të cilat bahen rrallë
Qi t’i lëshojn jargët ke kambët
T’bajn m’at cast t’i prefish dhambët
Dru se të vdekmin kan m’e ngjallë!
Ç’me pa, ishin gjith të mirat
Me t’i mbush po, gjith dëshirat
T’kendojë gërmazi si gjel
Kishte gjithfar ambëlsinash
Si me pas dal prej maqinash
Gja t’lemueta, mos me t’ngel
Për t’cel anën, raki rrushi
T’cillen s’e ka pi kurkushi
Birr, Vermut e Fërnet
Shampaj e shishe konjaku
Edhe venë t’kuqe si gjaku
Qi gjinden veç n’ahiret[12]
Rreth e qark pjatat me meze
Si i meritojnë kesaj tryeze
Pemë, hudhra, djathe të njomë,
Qofte t’thata, kofsha gjelash
Thokrrue kuq kuq; gja …..
Ha kaj çapë e bahu lamë
E kishin stolis allafranga
Bukuri, tue kërcit kanga
Me kokona e çenji[13]
Si thonë Tyrqit: “Vurr patllasën”
Mëshoj shengut “çall ojnasën”[14]
Qi t’ken dhe frëngjit zili
Ju kthysh shokut t’em a i themi:
Mor vëlla! Na ksi soj ku jemi?
A po thue jemi n’xhenet?!
Ç’jan këta salltanete t’hishme
Vende t’bukra, gjella t’shieshme?
Jo, m’tha: Jemi në Kryeqytet
N’kopësht t’pallatit të mbretit
Qi ja gjas lulishteve t’xhenetit
Po, njashtu për faqe t’bardhë.
Ky pallat thash, kur asht ngrefun
Kësaj dite ja paçim njefun
Mbreti kah na paska ardhe?
Po-po më tha: Ka ardh që moti
Me disa malokë prej Mati
Shqipninë shyqyr na e ka ndrit
Aj shpëtimtar i atdheut
Nip stërnip i Skënderbeut
Ahmet Zogu si Jezid[15]
Dhe këta njerz që jan rreth parkut
Qi i prujn veç pykës e barkut[16]
Jan robt e nalt madhnisë
Dahen në tri katër këshilla
Qi s’ti ka toka as qilli
Kto i kryejnë punët Shqipnis
Po po, i zanë mbar edhe i sosin
Kët tryezë njikta e kullosin
Me katër rryla, pa pra.
Ktyne kurkush mos t’ju nami
Po lypset të tanë t’ju thomi:
Hani sa t’mos leni gja
Hani, pini, fryhi, lahi
Ngopi ekselenca e fahi
Se na e fali i madhi Zot.
Tak tuk pa pra si sahati
Mëshoni, se na ndrifi fati
Na erdh qyl si kot më kot
Kurrë s’e deshëm, kjo kot erdhi
Kush për të pikë gjaku s’derdhi
Hani pra tue gërthit: Rroftë!
Mos shikoni rreth e qarkun
(Fani)[17] xhangen edhe barkun
N’u prishtë në t’s’amës i qoftë
Vërtet ne na ka ndif fati
Ma n’fund u vra dhe Esati
Qi pat qenë ba diktator
Ku s’i shkoi n’mend far njeriut
Q’i t’a vrasë Aj far Avniut
Desh Zoti shyqyr u shporr.
Pra si shkune Tyrqit e rrebet
Hiken Grekët edhe Serbët
Nuk na ngeli ma ngatrresë
Sa për mikropat e mbrendshëm
Me qenë se na jemi t’menshëm
I shporrim vetë besa besë!
Shyqyr na u dëlirë Shqipnija
Na e fali kot Perëndija
Rroftë deti Adriatik
Ani pse s’kimi donanma[18]
Se ata ndreqen nesër mrama
Po, i ndreqim për nji dakik
Le qi s’kemi prej kuj droje
Pse t’punojmë pa far nevoje
Veç t’hamë e t’pimë me lezet
Neve tashti na u mshi loti
Ç’na duhet pushka e baroti
Armiqt qark jan tu fjet.
Ç’i duem punët e fabrikat
Ç’po t’lypsen Elektrikat
Kimi Hanë e Yje e Diell
C’po na duhen inxhinjerët
Kimi Eshrefin e ata tjerët
Rugat shesh jan deri n’qiell
Pra[19] se s’kemi aeroplana
Këto i ndreqim te tana
Po po se i godisim vetë
Bile kta s’na duhen fare
Pse t’thyjmë qafen me tajare[20]
Na jemi shqipe me fletë
Ç’t’i bajm organizatorët
A s’mjaftojnë për ne popullorët[21]
Popullor popullor qi s’ka pa
E pra tashti t’marrim pagëz vallen
Qi t’çudisim gjith muhallen
Se Shteti far t’mete s’ka[22]
Ç’ka pse bahen ca zullume
Gjithkah krisin bam e bumë
Na shyqyr kemi bashkim
Bashkim bashkim me gjith zemër
Dashni t’plotë porsi shemër
Nji në lindje tjetri n’perëndim
Orthodoksit porsi t’verbët
Dëshirojnë Grekun ose Serbët
Katolikt dunë Italinë
Myslimant presin Qemalin
Si pret Nana e baba djalin
Ksisojë do t’a bajmë Shqipnin.
Ani pse nuk kimi pare
Se dhe ksaj ja gjejm nji çare
Vejmë taksa t’randa gjith kund
Shesim pyjet e çifliqet
Se kush shet kurr nuk fëlliqet
Deri sa t’i dalim n’fund.
Po po përse me e ça kokën
Për metale t’gërmojm tokën
Populli jonë ka pare mjaft
N’qoftë se i mejnë pak arkës shtetit
N’qoft se nuk ja mbrri buxhetit
Kanë tuxharët n’paitaft[23]
Në mos dhenshin hua, ne burg futi
Se kurkush s’ban za, mos tuti
Sepse ata jane si bagtia
Tue i shtrengue apin m’t’katra
Vin dhe miljona nga Vatra
Keshtu rrjedh alltuni n’Shqipni
Ne shyqyr na u librue qarku
Hani sa t’ju plasi barku
Rrofshin poplloret tue thane:
Ç’duhet Çameri e Kosove[24]
Mjaft asht per ne Domuzdova
Mos t’na trazojne qefin t’one
Ata le t’shtypen nen themer
Se s’jan perbark e per zemer
Jan per s’tepri fanatikë
Në qoft se u çajne koken teper
Juga dhe Shqipni e eper[25]
Thoni keshtu, preju me thikë:
Gjith kush ka hallet e veta
Rrini pak nen bajoneta
Mos nguti, kadal kadalë
Robnoni iher e perpiqi
Vriti, shkrihi edhe digji
Se dhe na flasim kaj fjale
Protestojme ke gjith dynjaja
Ma fort ke mbretnit e mdhaja
Ju mos bani budalla
Se per s’shpejti do t’shpejtoni
Vendet tueja do t’i gezoni
Po po ishalla mashalla
Politikisht thoni llafet
M’asi fjalesh i shporrni qafet
Edhe rrini teveqel
Hani e pini, mos e ngreni
Kasavetet mrapa leni
Se ashtu e don ky rod rrebel.
I thash shokut m’turbullove
Praj se menden m’a hutove
Ç’jan kto fjale kshtu pa logjike
Fol drejt Allahi seversen[26]
Se m’lodhe e m’qite djersen
Ose m’ep leje me ike
M’tha jo jo, se e dha Zoti
Pa u mundue kot se koti
Jo, harrova mor jahu:
Se jan mundue ata t’ndershmit
Ti kujton hala se t’hershmit[27]
Jo jo se ashtu ke gabu
T’hershmit sot quhen storira
Paçin ndjes thuj, edhe t’mira
Venju kaj qeri n’mezare[28]
Ne qofshin gjalle thuju tradhtore
Se pse nuk jeni Popullorë
Pranej duhet gri ndo vare
Esadiste, thuj, e xhahila
Grekomanë, Italofila
Keshtu vulosi me kaj njolle
Veni gjith far soj ofiqi
Hiqi prej pune e ndiqi
Qi t’perpiqen porsi bollë
Fort e fort po kjene Tiranas
Kruetanë edhe Elbasanas
Ktyne ngreja lugen n’trate
Hele hele t’mjerit Geges
M’at çast thuj, nuk je i deges
Lene gjithmone me goje thate!
Po t’thamë m’a hjekt din e imani
Shqipninë a di kush e bani?
Kongres i Lushnjes t’a dijshe!
Njaj Kongres i madhnushem
Qi vue Statutn e mbarshem
Qi shkelqen porsi pishë.
Statutin me kater pika
Qi s’t’a ka as Afrika
Vjen rryp ai si llastik
Kah t’a kesh qefin terhiqe
Cilin do hiqe e perpiqe
I bindet ç’do mik e anmik
Veç Serbofil mos u thoni
Se ashtu n’mine takoni
Ose sharra n’gozhde ju bie
Sepse edhe kta shkelqesat
Gjith atje i kan varun shpresat
Por jo n’Serbin’ Jugosllavi!
Pse e ke, kush do t’shkoj per para
Gjith andej t’i vi e mbara
T’rroket ket mubareq Statut,
Qi asht i shejt porsi ungjilli
Si kur me pas zbrit nga qielli,
N’mos besofsh bahesh çifut.
O statut t’falte Allahu
Ty s’mund t’ndryshoje as Vinjahu
Qe asht mesh-hur advokat[29]
Orator qi qep me nyja
I shkelqejne fjalet si yja
Venizello n’i ardht najt
Pernej ç’duhet asambleja
Por n’daç m’u pervlue si Leja[30]
Mbarë e mirë janë punet krejt
Asambleja porsi rrfeja
Druena i djeg namet e reja[31]
Qi kjo fare s’asht e drejte.
E pra s’duhet te kujtohet
As me zemer mos t’mendohet
Kujtoje, kujtoje n’daç
T’shkoj jeta neper hapsanet[32]
Te rrenohesh t’bahesh virane
Si i shkreti Musa Maç
T’i lam tashti kto ngatrresa
T’permendim tjerat shkelqesa
Qi janë tu na qit ne drite
Njata shqiptaret e ndershem
Idealiste t’perhershem
Qi po luftojn nat e dite
Ç’parë thash janë kater keshilla[33]
Qi janë ma te shumet banilla
E kullosin ket tryeze
Jan tu i mbarue krejt detyrat
Po luftojne me gjith menyrat
Faqe e bardhe pa pike te zeze
Keshille e nalt quhen kta kater
T’flasim drejt e jo per hater
Jane njerez me shume dobi
I pari Ymer Virjani
Si Mehmet Reshat Sulltani
Druni kalbet lu e s’bie
I dyti vjen Sutir Peçi[34]
Ruje Zot prej ndoj gerdeci
Se per Zogun asht besnik
I treti Refik Topija
Fort mentar si Libibija[35]
Serbi e pat lane naçallnik
Dhe n’koh t’Nemses ky Refiku[36]
Si sundimtar boten fiku
Kje ba thjesht porsi Maxhare
I katerti vjen Ndoc Pistoli
Por per kete kush gja mos t’foli
Se asht i ndershem Tyxhar.
Me fol drejt kata kater kulla
Nji nga nji m’i preft panuklla[37]
Dinë dekrete me nënshkrue.
Tjerët shkruejnë kta i vulosin
Asht i zanë punët i sosin
S’kan nevojë gja me vixhgue
Po këshilla Ministerjale
Fale Zot ktë fale fale
Nuk ka kurkund halë e byk
Për çdo send janë specialista
Me dhane fjalë e me shkrue lista
Bota kot ju thone tru myk
Pse kata e dine t’miren e dhunon
Dine bukur me qit lyç punen
Kshtu karriket me i forcue
E kan xanë prej Ittihadit[38]
Me i ra mrapa po, fasadit
M’gja Hamidi i ka msue[39]
Dine fort mire me xhvesh llauzin
Gjithse kuj me i marr namuzin
Tu i çnderuer tu i burgos
Dine me i rrenue kundershtaret
Ma fort vogline e jo t’paret
Tu i vjerre, tu i vra, tu i plagos
Dine Gegnine ta çarmatosin
Dhe t’pafajshmit ti burgosin
T’aratismit tu i lanë jasht[40]
Dine me shemb tyrbe e xhamija
Me rrenue kot disa shpija
Intikam ky! tjeter ç’asht?[41]
Kan dhe i gazete ta dini
Mortjen Kombtare, Tanini
Kokoshi Xhahid, Hiqmet,
Fol drejt porsi Dogri sozi[42]
E ta ngul si mitralozi
Of aman mor xhemijet?![43]
Ti thue kush jane keta persona
Q’i ditkan punet te tana
Mor mi falte Mahmud Dedeje
Po, nji nga nji do ti themi
Qi t’çuditet gjith alemi[44]
Kta qi ambicja i ka deje:
Gjith far sendi Ahmet Zogu
Kur fol ky fluturon edhe shtogu
Si paljaç kercen n’litart[45]
Kryminister Xhaferr Ypi[46]
Ta haj dreqi e at pertypi
Se asht teper mendje qarte
I Drejtsise Hysen Virjoni
Me turi si majmun Sydani
Pra se i ka ba keq Shqipnise
Tu mbyll shkolla edhe klube
Tu i ndihmue çeshtjes halldupe[47]
Per hatrit Zhonve te Tyrqise
Kan vujt shum prej kti Shqiptaret
Por jo t’sodshmit, ata t’paret
Ç’ka ç’ka, t’shkuara t’harruara
Ka ba nji mije poshtersina
Si e ka lypte koha e stina
Por ç’ka, t’shkuara t’harruara
Athere ka qene per kapister
Sod vjen e baher Minister
Beso pra! ka mrekllie
Storija asht nji perseritje
Per t’marre ibret e stervitje[48]
Prej ndodhinash ne Shqipni
I luftes, Haki Tatzati
………………..[49] â ky thoj gjati
Gjith naten tu luejt kumare
I arsimit, Mitrovica
Turi brenga lica lica
Sllav a, Shqipja a i vjen mbare
I Finances a Kol Thaçi
Arken e than krejt e kaçi
M’kater anet bredhin mijte
Minister i jashtem Vangjeli
Politika kti na i ngeli
Mejhanexhi dyzet vjet[50]
Endet me akte ndër sjetull
Asht mendje hollë si shigjetull
Veç Bismarku ja përgjet
I Botores S. Koleka
Qi ka mledh nji tuf tyleka[51]
Shtetin krejt e qiten n’dritë
Kjo pra a Kshilla vepruese
Si thonë, vetë dhandër e nuse
Gisht m’gisht janë kap kta shokë
Nën kryesinë e Z. Xhaferrit
Hanja thiut pinja derrit
Deri sa t’na bani trokë
Vim tashti ke Parlamenti
Tutti kani bratti Xhenti[52]
Veç pakicë flasin hak[53]
Tjerët nuk kanë turp e marre
T’kem se si e t’rrok nji qarre
Mbi ta e ti lajë me gjak;
Se jan të tanë ambicioza
Për faqe të zezë porsi bloza
Qeverinë na e lan të lirë
Nën kryesinë e Z. Eshrefit
Që i fut thojt gjer n’funt qenefit
Për t fa xhangen mirë e mirë.[54]
Ma të dobët jan t’popullores
Qi shkojn porsi qent mas gores
Vetëm për të lëpie ndoj kockë
Kta zotrij janë opingarët[55]
S’duhen bejlerë e agallarët
Edhe jane ma të shumët Toskë.
Dahen kaj herë dhe me grupa
Me ca ksula si çurupa
Si mbas vendit që jan zgjedh
S’kan turp t’i shajsh me trampeta
Shikojn veç punet e veta[56]
Nuk dinë tjetër por me vjedh
T’a lame grupin e kryeqytetit
Zija bejn e ahiretit
Qi asht plot me Shqiptarizëm[57]
Kulliçin Hanxhar axhemi[58]
Qi s fahet si Xhehennemi
S’di tjetër veç nepotizëm
Mos i nga ma grupet tjera
Nji nga nji mi laftë kolera
Se ta binë shpirtin ndër hunë
Për Shqipni farë s’mendohen
Prej punësh veta s’turpërohen
Drunë, pushkën, thysen dune
Se mbi ta randon krejt faji
Ankim i popllit e vaji
Sepse ata jan përfaqësues
Grup i parë i Elbasanit
Qi i këndojn rahmet shejtanit
Porsi Dosë me shtat këlysh[59]
Daiu, SH. Verlaci
Peqini dor kupaci
Për popllin s’vinë as nji dysh[60]
Marrin rrogë me mija krona[61]
Afro treqind napolona
Skan ndërgjegje as namuz.
I shkreti Popull vdes unit
Për ditë grabitet përdhunit
Kta tallen e han si qent
Vejnë re me marrë konçesione
Shqipninë krejt e banë Viranë
Lumtë na për Parlament!
T’vimë tashti ke Hoxhallarët
Kryemiftiu e Kadilerët
Zoti mos na lashtë pa ta!
Janë shërbëtorët e Sheriatit
S’çelin goj veç prej inatit
Vetëm të holla dunë ata.
Janë dhe ca të ri vagabonda
Qi rrin tu ba propaganda
Vetquhen intelektualë
Skutha të poshtër si majmuna
Gjith andej bahen spiuna
Jan të poshtër pa fjalë
Mos t i ngasim oficerët
Se ata janë si Jeniçerët
Si Shefqeti Korçë e Xhavid
Dhe ca tjerë me i varg po qepi
Mrapa vjen Osman Gazepi
Qi shkon gjithkund tu plaçkit
Por kan të drejtë me i ngrejt hundët
Se me kta po kryhen punët
Gjer sa t’dalin selamet
Jan Dëshmues Yjt e Hana
Se me kta u ba fet Tirana
Nën kryesi t’Zogut Ahmet.
Për se me i ba drutë e gjata
Gjithë kta njerëz demokrata?
Me lëpie kan fort të drejtë
Përnej kurkush mos t’i tremi
Mos t’i shemi, por t’ju themi:
Hani burra me të shpejtë,
Hani, hani ç’ka tryeza
Tu lanë pesqin faqe të zeza
Dru shpejt kini për t’i vjelle
Vidhni, ripni, fâni xhangat
Deri sa t’ju plasin xhangat
Se do t’korrni ç’kini mjelle
Tashti rrini në kulltukët
Mos i leni kuej çapë buket
Porsi rriqnat thithni gjakun
Hani djersen fukaravet
Lot jetimësh edhe t’gravet
N’mos dhanshin rrokni dajakun
Se kështu na e pru polatika
Qi t’sundoni sot ju klika
Gjer sa poplli t’çeli sytë
Atëherë ju përlani çantat
Napolanat e perlantat
Fugoni shpëtoni krytë!…
Mbasi m’pat dhanë nji far beje
Me fol kundra s’kishem leje
Shokun rrishëm tue ndie
Kur m’at ças ja krisen llafet
Nëpër rrugët, nëpër kafet
Se ka Kryengritje n’Shqipni
Thojshin se po vjen Elezi
Kryeqytetin do ta ndezi
Asht tu ardhë me ca Dibranë
Dhe Baz Cana e M. Kruja
Qi t bajn me thanë: u bubuja
Me Zijanë po vin n’Tiranë.
At-herë u zgjova prej gjumit
Dola e pash kah anë e lumit
Qi po shkojshin ca ushtarë
Fort pezmatushëm po shkojshin
Se ku, i pyta, nuk kallxojshin
Frykshëm ju thash, udhë e mbarë
Ata sa shkunë ke Gadaja
Krisi pushka u bind dynjaja
Thanë se ushtarët u thyenë
Ishte vra edhe Meleqi[62]
Kam këputmi aj fatkeqi
Seidi me shokë u kthynë[63]
Trishtushëm erdha ke shpija
Ren e ren ka ardhë n’Kishlla[64]
Burrani shpejt se na e rrini
Elezi me shokë na grini!
Oficerve kshtu ju tha.
Masandej lajmëroj Kabinen[65]
Ata zunë me vra kaptinën
Me t’shpejtë shkunë për Elbasan
Mbas tri orësh ca mavzere
Zunë me kris, na hyni mnera
Z dite gja njeri se ç’jan.
Pastaj ndime se për ca haqe
Ka zaptumun nja dy lagje
Elezi me shokët e vet
Neserejt parsie e vendit
U mlodhen n’kry t’kuvendit
Vendosen me ndejt myshtet!
Si ndejt pa anë ehalija[66]
Mori masat Qeverija
Me luftue me at kumitë
Mbas dy ditësh krisi shamata
Pushkë e flakë sa bani nata
Prani kur gedhini dritë.
S’u ligshtue kumita fare
Por u ndreq puna me pare
Dulë e hiku n’punë t’vet[67]
Ktu fillojnë burgimi e gjoba
T’pa fajshmit mbarë i zu koba
Mysibet mbi mysibet[68]
Mbas tri ditsh krisi Shijaku
por ktyne sju nifi haku
U thynë, u kurdisen shpejt
Dhe atje varën ca persona
Ca llazara e Bajram Xhana
Kshtu u parrit kryengritja krejt[69]
Fitoj namin Ahmet Mati[70]
Si kur pat fitu Esati
Me kangë u njoft shpëtimtarë.
……………………………………
……………………………………
[1] Ombashi, Rahim, “Poemë satirike, që lexohet për vlerat semantike, gjuhësore e stilistike, artistike e letrare”, Revista “Zani i Naltë”, nr. 20, Tiranë, 2017:98.
[2] Po aty.
[3]. Koleksion Fondesh “Hafiz Ibrahim Dalliu”, Emërtimi i sektorit: Veprimtari krijuese “Shtesë 1984”, Dosja Nr. 173, Titulli i Dosjes: Kopje e daktilografuar e poezisë së Hafiz Ibrahim Dalliut me titull: “Nji andërr e imja”.
[4]. Gjoja: pothuaj se.
[5] Nuk lexohet qartë (shënim i redaksisë).
[6]. Gaddar (arabisht): Keqbërës i pamëshirshëm.
[7]. Hata (arabisht): Mëkat i madh.
[8] Nuk lexohet qartë.
[9]. Taun (arabisht): Murtaje, sëmundje epidemike e rrezikshme.
[10]. Hurii (arabisht): Femna te bukura të xhenetit.
[11] Nuk lexohet qartë (shënim i redaksisë).
[12]. Ahiret (Arabisht): ajo bote.
[13]. Cenji (Tyrqisht çengji): Kangtare valltare prostit..ta.
[14]. Vurr patllasën, çall ojnasën: shprehje tyrqisht e cila përdorej me qëllim përbuzjeje me kuptimin: Ha, pi e argëtohu se për vuajtjet e popullit mos e çaj kokën fare.
[15]. Jezid: Mbret Emevili i biri i Mavijes, i cili vrau Imam Hysejnin, nipin e Muhamedit tue terhek mbi veten e tijë merine e botës myslimane, siç e ka përshkrue dhe Naim Frashëri ne librin Qerbela.
[16]. Me prujte: Me u perpjek për nji qëllim.
[17] Nuk lexohet qartë (shënim i redaksisë).
[18]. Donanma (Tyrqisht): Fllotë detare (Danome) dialekt Tirane.
[19]. Pra: S’ka gja, s’ka se pse.
[20]. Tajare (arabisht) aeroplan.
[21]. Popullorët: Parti e cila mbante Ahmet Zogun në fuqi. Sa do qi quhej popullore edhe bejlerët aty ishin. Këta fjalë autor i ka përdor gjithnji për përbuzje: Popullorët.
[22]. Kemi pësue si Nastradini kur i tha bujtësit: Të kisha pas miell e voj do të bëja nji amëlsinë, por nuk kam sheqer se kusinë e gjejsha nëpër fqinjët. (Autori)
[23]. Pajitaft (Persisht Paitaht): Kryeqytet
[24]. Autori bën thirrje pën thirrje për shpëtimin e Shën Naumit, por nuk lexohet dot e gjithë fjalia në referenca (shënim i redaksisë).
[25] Jugu dhe Shqipni e eper: Autori ka për qëllim Çamërinë dhe Kosovën.
[26]. Allahi seversen (shprehje Tyrqisht): Ne do Perëndia.
[27]. Te hershmit: Te vjetrit, d.m.th. Patriotet e Rilindjes te cilët kane qene marre neper kambe siç pershkruan poeti.
[28]. Mezare (Tyrqisht): Vorr.
[29]. Mesh-hur (arabisht): me famë.
[30]. Leja: Thohet per nji plake te lige te cilen e kane pervelue me uje vale.
[31]. Druena i djeg namet e reja: Ndoshta na i zhduk titujt, ofiqet e ri.
[32] Hapsanet, burgje (turqisht), shënim i Redaksisë.
[33]. Ç’pare ne dialektin e tiranes thohet “shpare” d.m.th pak me pare.
[34]. Kur pat qene minister arsimi Sotir Peçi dhe deshen me hek dor gjithë mesuesët, paç thanë:
Ej arsim, arsim Cacabasi!
Pulla jote kshtu pse nuk eci
V-lakuriqe si dordoleci!
Pse asht minister Sotir Peçi
Keshilltar Mati Ligoreci
Drejtor shkollash Sef Pokeci
Inspektor Qemal Permet Kastraveci. (Autori)
[35]. Libibija: Nji i marrë ne Tirane.
[36]. Nemse: Austria e cila ka pas okupue Shqipnine gjatë luftes pare botrore.
[37]. Panuklla: Murtaja, semundje ngjitese çfarosese.
[38]. Ittihad (arabisht): Partia e Zhontyrqve dhe perkrahesit e tyne te cilet kane luftue atdhetaret e Rilindjes.
[39]. Hamidi: Sulltan Hamidi i Tyrqise.
[40]. T’arratismit: Autori ketu ka per qellim ata qi kan ba krime te ndryshme dhe qeveria e athershme nuk i kapte me i denue.
[41]. Intikam (arabisht): hakmarrje.
[42] Dogri sozi (doğru söz, turqisht), shënim i Redaksisë.
[43]. Mortja kombtare: Autori thote keshtu me perbuzje per gazeten “Mbrojtja Kombtare” te cilen e botonte Qazim Kokoshi, atehere deputet i Vlores. Ay (autori) ja perngjasonte ate, gazetes tyrqishte “Tanin” morgan i Zhontyrqve qe botohej ne Stamboll nga Hysejn Xhahid Jollçini, i cili luftonte çeshtejen kombetare Shqiptare. Gjithashtu autori gazeten Mbrojtja Kombetare e ka pergjasue me gazeten “Dogri Soz” (fjala e drejte). Edhe kjo botohej ne Stamboll gjyse tyrqisht dhe gjysa Shqip me shkronja tyrqisht, nga Arif Hikmet Tetova dhe ky vegel e verber e Zhontyrqve dhe tradhtare i madh i kohes se Rilindjes.
[44]. Alem (arabisht): Bota.
[45]. Kur u rrezue prej M. P. Mbrendshme ne kabinet te S. Delvinës e nuk desht me e leshue karriken paç thane:
Po ty mor Ahmet Bej Zagolli
Me fes të kuq si tyrk Stambolli
Ti je Shqiptar e jo prej Anadolli
Bile je gege dhe jo tosk Devolli
Ty Esati per hundesh te polli
Reuf Ficon prane kush t’a solli
Demode (nuk kuptohet tamam fjala, shën. i red.) n’ket prese ai te solli (Autori)
[46]. I ndieri Abdyl Ypi (baba i Xhaferrit) sa here qe bite fjala thojte per te: budallaj la!! Kur pat qene ba Minister i Drejtsise dhe hoq apelet paç thane:
Gamshelesh u ba drejtni jo
Dreqi kalaqafe I hypi
Çe se mhoq Hoxhe Kadria
Dhe u ba Minister Ypi.
[47]. Hysen Vrioni; Ne kohe te Tyrqise ka qëne N/Prefekt ne Tirane, ka bashkpunue me Zhontyrqit tue u ndihmue tradhtarve te cilet luftojshin çeshtjen tone Kombetare.
[48]. Ibret (arabisht): Tristim, tmerim.
[49] Nuk lexohet dot (shënim i redaksisë).
[50]. Mejhanexhi (Tyrqisht): Ushtrues pijetoreje.
[51]. Tylek: I zgjuet për interesa vetiake.
[52]. Tutti kani brutta gente (italisht): Të gjithë qen, gjind të këqij.
[53]. Veç pakica flasin hak (drejtë): Opozita Parlamentare e atehershme e cila kundërshtonte partinë popullore, përkrahëse të rregjimit të Ahmet Zogut.
[54]. Kur më pyeti nji shok për partitë parlamentare i thash:
N’Parlament gjinden pa llafe
Dy partitë kundërshtare
Njana asht krejt jugosllave
Edhe tjetra Italjane fare
Sa për popull e Shqipni
Qi janë tu i vu themelet
Nuk asht tu ça kryet njeri
Veç kujdesen për të marrë gjelat (napolona ari).(Autori)
[55]. Opingarët: T’opingës, d.m.th. të fshatarësia.
[56]. Populli i mjerë i zgjodhi deputetë me rrogë vjetore prej 100 napolonash, por këta për veç tjerash e banë rrogën e tyne nga 250 napolona (Autori).
[57]. Zija Beu i Ahiretit: Zija Toptani deputet i Tiranës. Autori thotë për të i ahiretit (i asaj bote) se mbante tespi dhe falej në xhami por, jepte të holla kamatë të randë dhe në shtëpinë e tijë luhej kumar. Në kohën e rrebelve nuk u prek fare me gjithse ishte pronar i madh çifliqesh, pse mbante fes të kuq në kokë tregohej se donte Tyrqinë.
[58]. Këlliçi: Edhe ky deputet i Tiranës, Mes-har Këlliqi.
[59]. Deputetët e Elbasanit ishin 7 vetë të gjithë servilë të Sheuqet bej Verlacit.
[60]. Dysh: Monedhë bakri në kohë të Tyrqisë, baras me 1 qindarkë.
[61]. Kronë: Korona, monedhë argjenti të mbartuna në Shqipni me shumicë nga okupacioni Austro-Hungar 1915-16, me vleftë 50 cop 1 napolon ari.
[62]. At-herë paç thanë: Nji gjysëm Meleqi qi pat Shqipnija edhe ai u vra, tashti ngelëm krejt ne duart e shejtanve. (Autori) Thotë kështu gjasme pse Meleq Frashëri ka qenë i çalë. (Z.B.)
[63]. Seidi: Seit bej Toptani i biri Muratit edhe ky Deputet i Tiranës përkrahës i Zogut.
[64]. Kishlla (tyrqisht): Kazermë.
[65]. Kabinë: Kabinet, këshilla ministreje.
[66]. Ehali (arabisht): Popull.
[67]. Hyni ndërmjet për pajtim Gjeneral Persi, ingliz, organizatori i Gjindarmërisë Shqiptare, Elez Isufi, kryetar i kumitave dibrane, u knaq me marrjen nga Ahmet Zogu të nji sasije të madhe të hollash dhe iku tue lan shokët në baltë. Thohet se mori 2000 Napolona ari.
[68]. Mysibet (arabisht): Fatkeqsi e madhe.
[69]. Parrit: u shue.
[70]. Ahmet Mati: Ahmet Zogolli.
Botuar në revistën shkencore “Zani i Naltë”, prill, maj, qershor 2018, nr. 23 (176), fq. 103.