Një i ri është arrestuar nga policia pasi thyen urdhrin e Gjykatës dhe largohet nga banesa me një automjet, duke e drejtuar këtë të fundit pa patentë,.
24-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe burimet policore raportojën se Njësia Operacionale e Sigurisë Rrugore pas sinjalizimit nga qytetarët, në aksin rrugor “Kopshti Botanik – Rrethrrotullimi i TEG-ut” ka konstatuar një drejtues mjeti, i cili po qarkullonte në mënyrë jonormale dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Shenjës së patrullës për të ndaluar, drejtuesi nuk i është bindur dhe patrulla është vënë në ndjekje të tij. Në mes të ndjekjes drejtuesi e ka braktisur mjetin, por është kapur nga punonjësit e Njësisë Operacionale në tentativë për t’u larguar.
Drejtuesi i mjetit shtetasi D. Sh., rezultoi i pa pajisur me leje drejtimi, pa vendosur rripin e sigurimit, si dhe nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se për këtë drejtues mjeti, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale të “Kanosjes me armë”.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për besimin dhe fton këdo të denoncojë falas në numrin 112, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ose përmes rrjeteve sociale në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, çdo rast të paligjshmërisë.