Policia e Serbisë, Hungarisë, Austrisë dhe Gjermanisë kanë arritur sot një marrëveshje në Beograd për bashkëpunim më të madh kur është fjala për ndalimin e emigrantëve ilegalë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka bërë thirrje migrantëve nga Kosova që mos t’i shesin pronat e tyre sepse 99 për qind nga ta do të kthehen në shtëpitë e tyre.
Siç raportojnë mediat serbe, Stefanoviq pas takimit me drejtorin e Policisë së Gjermanisë, Diter Roman, drejtorin e policisë hungareze, Karol Pap, dhe delegacion e policisë nga Austria, ka thënë se në kufirin serbo-hungarez së shpejti, bashkë me policinë kufitare, do të fillojë patrullimi edhe i xhandarmërisë.
“Për ta mbrojtur pjesën e gjelbër të kufirit, Policia do të rris numrin e pjesëtarëve të saj në kufi me Hungarinë dhe nga sot është kyçur edhe një pjesë e xhandarmërisë”, ka thënë Stefanoviq.
Drejtori i policisë së Gjermanisë ka deklaruar se bisedimet kanë qenë efikase dhe se kanë rënë dakord që Policia e asnjë shteti nuk ka mundësi që e vetme t’i zgjidhë problemet e migrantëve ilegalë.
“Serbia, Hungaria, Austria dhe Gjermania vetëm të bashkuar mund ta ndalojnë eksodin humanitar”, ka thënë Roman.
Drejtori i policisë hungareze, Karol Pap, është i sigurt se me ndihmën e katër vendeve do të arrihen rezultate të mira.
“Kjo do të sjellë më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Pap. kohaislame