Drita Batusha ishte dëshmitarja e radhës, ndër të shumtë që janë të propozuar nga Prokuroria Speciale, në gjykimin për krime lufte të Darko Tasiqit në Gjykatën e Prizrenit.
Darko Tasiq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.
Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.
Prokurorja Dita Hajdari ka propozuar disa dëshmitar pë këtë proces gjyqësor. Në mesin e tyre ishte edhe Drita Batusha, e cila ka dëshmuar në seancën e së enjtes.
Dëshmitarja rrëfeu ato që kishte përjetuar në mars 1999.
Gjithashtu e njëjta rrëfeu se i janë vrarë 12 anëtarë të një gjaku, dhe se fshatin Krushë e Vogël ka qenë në gjendje katastrofe.
Rrëfimin e saj Drita Batusha e filloi duke folur për datën 25 mars të 1999.
E njëjta gjatë përgjigjeve në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, filloi rrëfimin duke treguar se ” më 25 në ora 12:00 kemi dalë nga shtëpitë, dhe kemi shkuar te vreshti i Din Shehut, aty kanë gjuajtur me snajper serbët, dhe djalit të Dervish Shehut, i ka shkuar plumbi përskaj kokës, dhe ai bashkë me të gjithë ne u shtrimë në tokë”.
“Më 26 mars, në orën 07:00 te shtëpia e Milaim Batushës ka qenë vendi i mbushur përplot me ushtarë serbë, tani një serb në altoparlant ka bërtitur dhe ka thënë gratë të ndahen veç ndërsa burrat veç dhe fëmijët veçmas. Por ne nuk kemi mujtë me i lëshu fëmijët tanë, por i kanë ndarë të gjithë fëmijët prej moshës 13 vjeçare e deri te pleqtë 80 vjeçar”, tha ajo.
“Kur kemi shkuar te shtëpia e Asllan Batushës, personi Bora Nikoliq ia ka marrë prej dorës dy djemtë, njëri 15 dhe tjetri 13 vjeçar. Dikur një ushtarit me uniformë të ushtrisë serbe, një grua e familjes Batusha i tha: O këqyrni djemtë e mos na i mbytni djemtë! E ai ushtari serb ia ktheu: Këqyrni e bani çka të doni, se vet e keni lypë”.
Në ato momente, dëshmitarja mban mend kur një person tjetër i quajtur Sveta Nikoliq, ia ka vendosur kallashnikovin në fyt Sadije Batushës, një zonjë tjetër që ishte aty, dhe i ka thënë: “Gde je NATO?”.
“E kur shkuam më poshtë te shtëpia e Bajram Batushës, aty edhe një gruaje të familjes Batusha, Bora Nikoliqi, ia ka marrë dy nipa prej dore, njani i ka pasë 16 vjeç e tjetri 13-14 vjeç”, tha Drita Batusha.
Po gjatë asaj dite të datës 26 mars, dëshmitarja Drita Batusha deklaroi se “kur kemi shkuar më poshtë, dikur na ka dalë para ushtria e Arkanit. Kanë qenë të lidhur në kokë me shamia të kuqe, dhe fytyrën e kanë pasur të ngjyrosur”.
Kur prokurorja speciale Drita Hajdari e pyeti se si i kanë njohur që është ushtria e Arkanit, dëshmitarja Batusha deklaroi se “e kemi ditur nga televizioni, pasi që i kemi parë se çka ka ndodhur në Bosnjë, edhe secili ushtar e ka pasur nga një torbë në dorë, e nëpër xhepa kanë pasur thika, kaçavida, shprica etj.”.
Dëshmitarja Batusha vazhdoi rrëfimin e saj duke treguar ngjarjet e përjetuara,
“Kemi qenë rreth 100 gra, e kur shkuam te tyrbja e fshatit aty na kanë ndalur edhe kishin çelur varrezat masive me bager. Aty na kanë ndaluar ku ka qenë edhe Darko Tasiq, e ka qenë i veshur me tesha të policisë, po me të janë kanë edhe 3-4 persona tjerë, të cilët nuk i kam njohur”.
Në pyetjen e prokurores speciale Drita Hajdari se çfarë kishte parë aty kur i kanë ndaluar, dëshmitarja rrëfeu se “këta 3-4 persona të cilët nuk i kam njohur i kanë pasur duart me gjak”.
“E kam parë edhe Darkon edhe ai na tha se: Çka po ju vyen juve të jetoni, burrat ju kemi vrarë dhe nuk keni se për çka me jetu”, shtoi dëshmitarja.
Ndërsa prokurorja speciale Drita Hajdari i kërkoi dëshmitares Drita Batusha, që të vazhdojë rrëfimin e saj për datën 27, se a kishte ndodhur diçka e veçantë në atë ditë.
Dëshmitarja tha se më 27 mars 1999 ka shkuar te daja Ali Emrullahu, në fshatin Qifllak.
“Më than se daja ka dalë me shikua diçka me dylbi, edhe unë vazhdova e shkova te daja, i cili ke rreth 150-200 metra larg lumit Drin. E ai më tha: Dritë me dajën këqyr se çka janë tu ba”.
Dëshmitarja tha se i kishte marrë dylbitë.
“E pashë Darko Tasiqin, e kishte marrë traktorin e Kasum Hajdarit, edhe kamioni që ka qenë me kufoma nuk e kanë shty në ujë drejtë, por e kanë lënë si pjerrët, e Darko e ka shtyrë me prekolicë të traktorit, e ka shty kamionin në ujë, por vetëm kryet e kamionit ka qenë në ujë”, rrëfeu dëshmitarja.
Tutje Drita Batusha tha se ka parë se si Sveta Tasiq e ka hequr mbulesën e kamionit ashtu që të shihen kufomat, e shtojca e kamionit sipas saj kishte shumë kufoma.
“Edhe një kantë çka ka pasur në të naftë apo benzinë nuk e di, edhe i ka stërpikur të gjitha kufomat në kamion, edhe janë larguar nga andej, e aty kanë qenë edhe 4-5 persona tjerë të cilët nuk i kam njohur”, tha dëshmitarja.
Prokurorja Hajdari i kërkoi dëshmitares të sqaroi se nga i kishte njohur personat Darko, Sveta dhe Sreqko Tasiç .
Dëshmitarja iu përgjigj se ” i kam njohur pasi që datj e mi kanë qenë afër tyne me shtëpi në fshati Krushë ”.
Sipas dëshmitares Drita Batusha, 4 ditë para luftës babai i Darko Tasiç, Sreqko Tasiç, kishte shkuar tek Ali Emerllahu dhe i ka kërkuar një tesh me mieel të cilin ia kishte dhënë i njëjti. e Sipas dëshmitares Sreqko Tasiç i ishte drejtuar Ali emerllahut për ndihmë me fjalët ” po dojnë me më dekë fëmijët ”
Ndërsa prokurorja Drita Hajdari i kërkoi dëshmitares që të dëshmoj për ato që i ka parë të ndodhin tek kamioni në lum.
Dëshmitarja Drita Batusha, rrëfeu se ” kanë vazhduar të kallet kamioni, dhe tymi nuk është ndalur deri të martën, e të martën ne kemi dalur nga fshati Qollak, e kur kemi shkuar te fshati Gjonaj aty kemi hypur nëpër traktora, dhe policia na kanë ndaluar në Landovicë, dhe na kanë thënë në gjuhën serbe ” burrat iu kemi mbytur e ju shkoni në Shqipëri ”.
Pas prokurores Drita Hajdari, atëherë me pyetje vazhdoi mbrojtësi i të akuzuarit Darko Tasiç, avokati Lubomir Pantoviç.
Avokati i të akuzuarit, e ballafaqoi dëshmitaren me dëshmitë e saj të mëhershme që i kishte dhënë në vitin 2012 dhe 2013 pranë prokurorëve të EULEX’it.
Sipas deklaratave të saj të mëhershme, avokati e pyeti se pse në deklaratën e saj në vitin 2013, lidhur me atë se çka ka ndodhur me 24,25 dhe 26 mars askund dëshmitarja nuk e kishte përmendur emrin e Darko Tasiq.
Ndërsa, dëshmitarja tha se njërën nga dëshmitë nuk ka mundur ta japë të plotë pasi gjatë dhënies së dëshmisë ishte ndalë rryma dhe u detyruan ta ndërpresin intervistimin. Kurse, për deklaratën tjetër të dhënë, ajo tha se nuk e di pse nuk e ka përmend më herët, sepse dëshmitarja deklaroi se Darkon e ka njohur personalisht, por ajo u shpreh e sigurt që e ka parë Darkon me duart me gjak.
Atëherë prokurorja speciale Drita Hajdari, e pyeti dëshmitaren se kur i ka dhënë intervistat në Krushë të Vogël, para policëve hetues gjatë intervistimit a i kujtohet se a e kanë pyetur policët hetues për rastin e kamionit tek lumi, dëshmitarja tha që ” jo nuk më kanë pyetur për ngjarjen e kamionit në lum”.
E dëshmitari tjetër për të njëjtën ditë ishte Shaban Abdyli gjithashtu nga Krusha e Vogël, i njëjti gjatë rrëfimit të tij si dëshmitar, tha se kur kanë arritur tek Tyrbja që ishte përmendur edhe nga dëshmitarja Drita Batusha, “Te Tyrbja na kanë nalë, na kanë zbrit mua dhe Haxhinë nga traktori edhe na kanë rreh, na kanë shtri përtokë. Gratë i kanë mal-tretuar psiqikisht, t’u i shajtë e t’u i ofendu”, tha dëshmitari.
Pasi arritën të largohen nga Tyrbja, dëshmitari tha se u nisën për një rrugë tjetër. Kur arritën tek oborri i Din Shehut, dëshmitari tha se i ka pasë disa policë serbë duke i rrjepur disa qengja dhe dhentë.
Prej aty, dëshmitari tregoi se morën rrugë për në Prizren. Gjatë rrugës, kanë parë një tanke të ushtrisë serbe.
Dëshmitari Shaban Abdyli tregoi se kur morën rrugën fillimisht për Prizren, ka arritur ta shohë Darko Tasiqin duke dalë nga shtëpia e Hajdarëve dhe gjërat që i kishte marrë nga ajo shtëpi i kishte futur në një traktor me rimorkio.
“Ka qenë me golldon , kallashin e ka pas në krah. Në golldon ka pas frigoriferë, televizorë edhe sene të tjera”, dëshmoi ai.
Pas përfundimit të rrëfimit të tij, dëshmitari u ballafaqua me deklaratat e tij të dhëna në vitin 2012 dhe 2018. Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, kërkoi nga dëshmitari të tregojë për këto deklarata, pasi kishte ndryshme të mëdha me ato që kishte deklaruar vitet e mëhershme, me këto të ditës së sotme.
Pasi gjatë seancës, dëshmitari përmendi me emra personat që i ka parë tek lumi Drini, në dhënien e deklaratave të tij të mëhershme nuk i kishte përmendur.
“Nashta nuk mu ka kujtue atëherë, e di që i kam pa. Nashta nuk më ka pyet prokurori”, tha dëshmitari, duke qenë i sigurt se e ka parë Darko Tasiqin dhe të tjerët tek lumi Drin.
” Kur kemi mbërri atje te lumi Drin, kemi pa policë me uniformë, edhe kanë dal Darko Tasiç, Sveta Nikoliç, edhe njani me emrin Keka, se sakt nuk po ja di, edhe janë munduar që ta shtyjnë kamionin në Deri, por nuk kanë mundur, aty ka shku njeri nga ta që ta dhezë një traktor, e ka ndezë traktorin edhe e ka shtye me traktor kamionin, po kamioni ka mbet si pjerrët kryt e kamionit ka hy brenda në ujë, e masanej ka gjuajt diçka të bardhë nuk e di se çka, edhe e kanë kallur kamionin, e filloi me qit tym dhe janë dëgjuar edhe bërtita nga kamioni ”, e dëshmitarit shtoi se ka qenë larg rreth 200-300 metra nga vendi i ngjarjes e edhe koha e dukshmëria kanë qenë të mira.
Artan Sejrani kryetar i trupit gjykues, bashkë me anëtarët Ajser Skenderi e Xheladin Osmani, pas përfundimit të dëshmive të dy dëshmitarëve, ndërprenë shqyrtimin gjyqësor, e i njëjti do të vazhdoi me datat 19 dhe 20 shkuar, ku pritet të vazhdojnë dëshmitë e radhës, nga dëshmitarët e propozuar nga prokuroria speciale.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.
Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.
Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.