Eksodi më i ri i kosovarëve drejt vendeve të BE-së, aktualisht po e “anashkalon” Zvicrën.
Si e vlerësojnë autoritetet kompetente zvicerane situatën më të re në Kosovë, gjegjësisht sa e prek kjo situatë edhe Zvicrën si vend me një diasporë shumë të madhe kosovare?
Lidhur me këtë, për albinfo.ch ka folur Martin Reichlin, zëvendësshef për informim në kuadrin e Sekretariatit Federal për Migracion (SEM).
Ai thotë se ikjet ndërlidhen me gjendjen e pasigurt ekonomike në Kosovë.
“Hungaria ka shënuar muajve të fundit një rritje të theksuar të numrit të azilkërkuesve kosovarë. Por, për shumicën e emigranteve kosovarë, Hungaria është vetëm një vend transiti. Ata vazhdojnë udhëtimin tutje në drejtim të Evropës perëndimore, veçanërisht në drejtim të Gjermanisë”.
Në Zvicër, për shkak të procedurës së shpejtë, 48-orëshe që ka hyrë në fuqi për të ashtuquajturat “vende të sigurta” të Evropës Juglindore (ku hyn edhe Kosova) dhe për shkak të kuotës së ulët të njohjes së azilit (në vitin 2014 ishte 2.8 për qind) në krahasim me vendet tjera evropiane, ka fare pak persona nga Kosova që bëjnë një kërkesë azili.
“Kërkesat e pambështetura të azilit nga njerëzit të cilët Kosovën e braktisin për shkaqe ekonomike, do të refuzohen nga ana e Sekretariatit për Migracion dhe kërkuesit e azilit do të detyrohen ta lëshojnë Zvicrën shumë shpejtë. Në këtë kuptim, SEM tërheq vërejtjen se për kërkesat e azilit nga Kosova në Zvicër do të vendoset shumë shpejt. Shanset për të mbetur në Zvicër duhet të cilësohen si tepër të ulëta”, thotë Reichlin./kohaislame