-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

I riu shqiptar në parlamentin gjerman: Rruga që duhet të ndjekin studentët

Më të lexuarat

Intervistë e DW shqip me Henri Haxhirajn, 26 vjeçar nga Fieri, i cili, siç thotë, ka qenë “ngelës” në Shqipëri, ndërsa sot punon si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman. Ai vlerëson si të drejtë protestën e studentëve dhe u sugjeron të mbledhin 20 mije firma per te ndryshuar ligjin e arsimit të lartë.

DW shqip: Studentët shqiptarë ende vazhdojnë të bokojtojnë mësimin dhe i rifilluan protestat, siç kishin paralajmëruar. Sa te realizueshme duken kërkesat e tyre?

Henri Haxhiraj: 8 kërkesat e studenteve më duken të domosdoshme për një arsim cilësor. Duke qenë se në punën e përditshme ne Parlamentin Gjerman kam të bëj me ligje, është një gjë të formulosh 8 kërkesa, por është një tjetër gjë të formulosh një projektligj bazuar në këto 8 kërkesa. Ndaj mendoj se studentët duhet të konsultohen edhe me ekspertë për anën teknike, në mënyrë që të shmangin çfarëdolloj pasoje negative të mëvonshme. Neni 81, pika 1 e Kushtetutës e lejon edhe propozimin e një ligji nga 20 mije zgjedhës. Ndoshta do të ishte një alternativë.

Cilat janë pikat më të vështira për t’u realizuar?

Pika që kërkon 5% te buxhetit. Unë e shikoj te nevojshme për arsimin, por edhe këtu mendoj se duhet bërë një analizë më e thelluar për te parë se çfarë pasojash do te kishte kjo rritje për zërat e tjerë të parashikuara në buxhet. Ndoshta një mundësi do të ishte implementimi i saj në disa hapa. Për ta mbyllur, mendoj se kërkesat janë të realizueshme, por duhet pasur kujdes ne formulimin dhe implementimin e tyre, nëse këto pika përfshihen në një projektligj.

Ndërkohë, qeveria ka reaguar ndaj protestave dhe ka premtuar se do t’i plotësojë disa nga kërkesat e studentëve. Si i shihni ju ato?

Pakti për Universitetin, ku premtohej se do të plotësoheshin pak a shumë 5 nga 8 kërkesat e studentëve, nxjerr në pah atë që thashë më sipër për rëndësinë e anës teknike. Për shembull, një nga kërkesat e studentëve është pajisja e gjithë studentëve me kartë studentore brenda vitit akademik 2018-19. Ne piken 6 të draftit përmendet kjo pikë dhe ofrohet si shembull marrëveshja me Qendrën e Shërbimeve Arsimore Franceze për ta bërë kartën tonë pjesë të European Student Card dhe afati i zbatimit është shtator 2019. Gjithashtu përmendet miratimi me VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave, shën. i red.) për shërbimet që do të përfitohen me çmim të reduktuar për studentët. Por a është kjo ajo që kishin në mendje studentët kur formuluan kërkesën? Cilat do të jenë këto shërbime të reduktuara dhe sa do të jetë reduktimi? Çfarë ndodh nëse këto reduktime nuk zbatohen? Çfarë ndodh nëse studentët nuk janë pajisur me karta studentore deri në shtator të 2019-ës? Mendoj se pjesëmarrja e Kryeministrit në disa biseda me studentët, ku sipas studentëve ata nuk kane qene ne dijeni, më duket jo e mirëmenduar. Nuk mendoj se duke imponuar dialog do të ketë dialog.

Ju keni studiuar vetë në Shqipëri, si e keni përjetuar atë periudhë?

Nuk e kam për turp të them që kam qenë ngelës gjate studimeve bachelor në Fakultetin e Ekonomisë. Padyshim qe përgjegjësia kryesore ka qenë e imja, por shume gjëra në atë Fakultet, në gjykimin tim, nuk funksionojnë siç duhet. Nga shpërndarja e informacionit, tek marrëdhënia me profesorët, tek vlerësimi, tek mësimdhënia etj. Ne studionim me një kurrikul që analizonte biznesin e para 30 viteve dhe ato njohuri nuk ishin fare të nevojshme në tregun aktual. Megjithatë, aty kam njohur edhe profesorë te shkëlqyer, të cilët përpos kushteve te këqija, pagesës së ulët dhe burokracisë së panevojshme, kane zhvilluar një mësimdhënie shembullore.

Tani sapo mbaruat studimet master në Gjermani, dhe me nota të mira. Cila ishte përvoja e këtushme?

Si student në Gjermani kam pasur përvojën me të bukur. Studimin tim e kam financuar vetë, duke punuar si shitës, çdo javë nga 20 orë (10 të shtunave e 10 të dielave) në një dyqan suvenirësh. Ka qene goxha e vështire të gjeja kohën për gjëra të tjera dhe më është dashur të sakrifikoj shume aktivitete sociale, megjithatë nuk ndiej pendesë. Jam i lumtur që ia kam dalë me forcat e mia. Studimi akademik në Gjermani mua nuk më ka formuar vetëm në anën akademike, por më ka mësuar edhe t’i analizoj problemet e ndryshme në mënyrë të strukturuar. Më ka mësuar që pavarësisht se situata duket e vështire, edhe situata e jetës së përditshme, nëse i strukturon dhe i analizon siç duhet problemet, mund ta gjesh një zgjidhje.

Çfarë lehtësime kanë studentët në Gjermani?

Karta studentore jo vetëm në Gjermani, por edhe ne Europë, është mjeti i identifikimit i çdo studenti. Ne kartën studentore është e inkorporuar edhe bileta e transportit publik ne Gjermani. Përpos kësaj, me atë ke uljet në dyqane te caktuara, ne kinema, restorante etj. Mendoj se përveç kartës studentore është i nevojshëm edhe një e-mail zyrtar nga universiteti për çdo student. Kështu mund te shkarkohen softuerë si Microsoft Office apo Citavi (për te automatizuar citimet në shkrime shkencore) me çmimet e reduktuara apo edhe falas. Në Berlin, nëse ke një abone vjetore për transportin publik, paguan diku tek 65 euro ne muaj. Si student, unë paguaja rreth 17 euro në muaj.

Çfarë ju motivoi të dilnit me rezultate më të mira në Gjermani?

Motivimi kryesor për të përfunduar studimet ka qenë sakrifica e prindërve për të më përkrahur përgjatë rrugëtimit tim. Në të njëjtën kohë kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe ambicia personale, shqetësimi i kthimit në Shqipëri nëse nuk përfundoj me sukses etj. Ambienti universitar ka qenë një motivim më tepër, pasi aty bëhesha kureshtar për gjëra të ndryshme dhe lexoja me dëshirë të madhe mbi to. Meritokracia në universitet ka qenë gjithashtu një faktor që ka ndikuar pozitivisht në arritjet në universitet. Gjatë studimit në Gjermani mësova edhe diçka: Kur lufton për atë qe do, mund ta arrish. Jam orientuar tek dy thënie të biznesmenit të njohur amerikan William Clement Stone (1902-2002, shen. i red.): “Shënjo hënën, po nuk kape atë, ndoshta kap ndonjë yll”. Dhe “Nuk ka work smart pa work hard”, pra që do të thotë pak a shumë se punët e mira kërkojnë mund.

***
Henri Haxhiraj, 26 vjeçar, i lindur në Fier, kreu studimet bachelor në Fakultetin Ekonomik të Tiranës në vitet 2010-2014. Në vitet 2016-2018 kreu studimet master në degën Sustainable & Environmental Management pranë Universitetit të Eberswalde-s në Gjermani. Në vitin 2017 kreu një praktikë në Bundestag ku pati rastin të bënte edhe fotografinë e mësipërme me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Prej prillit 2018 punon si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit