Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Rusisë dhe Iranit janë takuar në Gjenevë të Zvicrës për të diskutuar për çështjen e komitetit kushtetues në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike për krizën siriane.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, u takua me homologun e tij rus, Sergey Lavrov dhe atë iranian, Javad Zarif, në Zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë.
Duke folur për gazetarët para takimit, Zarif, tha se kanë shpresën për një rezultat pozitiv nga takimet.
Ndërsa përfaqësuesi special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, pas takimit do të organizojë një drekë për ministrat dhe delegacionet që i shoqërojnë. Mësohet se palët që do të mblidhen sërish pas drekës janë afër një dakordimi.
Gjithashtu pritet që De Mistura dhe ministrat e vendeve garantuese të njoftojnë sot themelimin e komitetit kushtetues.
Në kuadër të Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), kushtetuta siriane parashihet të rishkruhet gjatë procesit të tranzicionit politik. Në Dialogun e Kongresit Kombëtar të mbajtur në janar të vitit 2018 në Soçi, mes palëve siriane dhe përfaqësuesve të OKB-së, Turqisë, Iranit dhe palës pritëse Rusisë, u mor vendimi për themelimin e një komiteti kushtetues.
Në komitetin kushtetues, i cili do të përbëhet nga 150 persona, regjimi dhe opozitarët do të përcaktojnë nga 50 persona, ndërsa De Mistura do të përzgjedhë 50 përfaqësues nga intelektualët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile siriane.
Palët të cilat kishin arritur dakordim për një periudhë relativisht të shkurtër mbi grupin e parë prej 50 personash, së fundmi nuk arritën dakordim për shkak të qëndrimit të pakompromis të regjimit.
Gjatë gjithë vitit De Mistura në Gjenevë zhvilloi takime me delegacionet e vendeve garantuese, regjimin dhe komitetet e opozitës, ndërkohë që edhe zyrtarët turq, rusë dhe iranianë u takuan shumë herë për të rënë dakord mbi emrat e anëtarëve të komitetit.
Turqia, gjatë takimeve ka theksuar se komiteti duhet të jetë në cilësinë i “balancuar dhe i besueshëm”.
Në samitin me temë Sirinë të mbajtur më 27 tetor në Stamboll, liderët e Turqisë, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës ishin dakorduar për krijimin e komisionit deri më 31 dhjetor.