3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Rreth 4.500 njerëz në botë humbën jetën duke migruar më 2018

Më të lexuarat

Qindra mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga vendlindjet e tyre këtë vit për shkak të kushteve të këqija ekonomike, fatkeqësive natyrore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, presioni politik, dhuna dhe konfliktet. Në vitin 2018, 4.476 njerëz vdiqën gjatë migrimit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Përveç sirianëve që ikin nga lufta civile në vendin e tyre, në krye të popujve që u detyruan të migrojnë këtë vit ishin edhe emigrantët që u larguan nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore për shkak të presionit politik dhe kushteve të këqija ekonomike, si dhe të zhvendosurit nga Jemeni.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), arsyet më kryesore për migrimin e njerëzve në vitin 2018 ishin konfliktet dhe kushtet e këqija ekonomike. Të dhënat e IOM-it tregojnë se migracionet e shkaktuara nga dhuna dhe konfliktet janë rritur me rreth 30 për qind këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse numri i përgjithshëm i migrimeve ka shënuar rënie.

– Migrimi drejt Evropës

Numri i njerëzve që u përpoqën të arrijnë në Evropë duke përdorur rutën e Mesdheut është ulur për 27 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas IOM, 135.607 persona emigruan në Evropë këtë vit, të detyruar të largohen vullnetarisht nga vendi i tyre për një jetë më të mirë ose për shkak të luftës, fatkeqësive natyrore dhe presioneve politike. 111.237 prej tyre arritën në kontinentin evropian përmes rrugëve detare dhe 24.370 përmes atyre tokësore.

Personat që migruan në Evropë nga vende me rajone konflikutoze si Siria, Tunizia, Eritrea, Pakistani, Iraku, Kongoja, Afganistani, Maroku dhe Mali, vazhdojnë të luftojnë për mbijetesë veçanërisht në destinacionet e tyre të para, siç janë Italia, Spanja, Greqia dhe Bullgaria.

– Viti më i vështirë i Amerikës Qendrore dhe Jugore

Qindra mijëra njerëz nga Amerika Jugore dhe Qendrore janë përpjekur të emigrojnë në SHBA dhe Kanada për shkak të presionit politik, urisë, dhunës dhe konfliktit. Migrimi masiv nga këto vende dhe politika e presidentit amerikan Donald Trump për të kufizuar numrin e emigrantëve që do të pranoheshin në këto vende çoi në lëvizjen më të madhe të migrimit në kufirin amerikan në vitin 2018.

Sipas të dhënave të Doganës dhe Sigurisë Kufitare të SHBA-së, në vitin 2018, deri në 396.000 njerëz janë arrestuar për shkak të hyrjes së paligjshme në vend. Nga ana tjetër, rreth 125.000 njerëz kanë ikur nga kushtet e këqija në vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore dhe kanë arritur kufirin amerikan me kërkesë azili, por autoritetet ua kanë penguar hyrjen në vend.

Përveç kësaj, deri në 9.000 njerëz arritën këtë vit në qytetin kufitar Tijuana të Meksikës, kryesisht nga Hondurasi dhe nga vendet e tjera të Amerikës Qendrore, si Guatemala dhe El Salvadori. Këta njerëz luftojnë për jetën në kushte të vështira, ndërsa vazhdojnë të presin që SHBA t’ua hapë dyert.

Në Venezuelë, vend i goditur nga kriza ekonomike, ka pasur një lëvizje të migracionit masiv këtë vit. Sipas IOM, mesatarisht 6.000 venezuelas kanë emigruar në vendet fqinje, kryesisht Kolumbi dhe Brazil, në vitin 2018.

Kriza humanitare në Jemen, një nga vendet më të varfra në botë, u rrit me luftën civile që shpërtheu rreth katër vjet më parë dhe arriti një nivel serioz në vitin 2018. Rreth 540.000 njerëz në Jemen u zhvendosën gjatë këtij viti. Krahas kësaj, mijëra emigrantë etiopas dhe somalezë në këtë vend u detyruan të evakuoheshin për shkak të përleshjeve.

– 4.476 njerëz në botë humbën jetën duke migruar

Edhe pse numri i njerëzve që humbën jetën gjatë migrimit u zvogëlua për 28 për qind këtë vit krahasuar me vitin 2017, vdekjet tragjike në rrugët e migrimit vazhdojnë të jenë një nga problemet kryesore të njerëzimit. Sipas IOM, 4.476 njerëz në mbarë botën kanë vdekur në vitin 2018 duke migruar.

Vdekjet gjatë migrimit këtë vit, siç ishte rasti në katër vitet e fundit, kanë ndodhur më së shumit në rutën e Mesdheut. 2.217 njerëz kanë humbur jetën në tentativë për të arritur kryesisht në Evropë nëpërmjet rutës së Mesdheut, shumica prej tyre në det.

Vala e fundit e migrimit nga Amerika e Jugut në Amerikën e Veriut e ka sjellë këtë rajon në vendin e dytë përsa i përket vdekjes së emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve. 511 njerëz të detyruar të migronin për shkak të kushteve të këqija në kontinentin amerikan humbën jetën.

Nga ana tjetër, 1.386 persona në Afrikë, 134 në Azi, 121 në Lindjen e Mesme dhe 107 në Evropë humbën jetën në rrugën e migrimit si pasojë aksidenteve të mjeteve me të cilat udhëtuan, konflikteve dhe problemve shëndetësore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit