8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Xhamitë si dëshmi kundër propagandës anti-islame dhe anti shqiptare

Më të lexuarat

András Riedlmayer, ekspert i arkitekturës islame, në një intervistë të paradokohshme dhënë një mediumi kosovar, ia rikujton opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, se si makineria ushtarake e paramilitare serbe kishte shkatërruar me qindra xhami gjatë luftës në Kosovë. Befasisht, disa vite më vonë, restaurimi dhe ndërtimi i tyre, nga dikush po interpretohet si një investim i Serbisë – shkruan Gazeta e Re.
Jakup Krasniqi, politikan, historian dhe ish pjesëtar i UÇK-së, citon një dokument për të cilin pretendon se ka rrjedhur nga shërbimi informativ sekret serb, e në të cilin thuhet se: “fondet e grumbulluara nga ambasadat islamike, mundemi t’i bartim poshtë, me pjesën më të mëdha të fondeve duhet të investojmë në ndërtimin e xhamive. Vendet për ngritjen e xhamive duhet t’i gjejmë në pjesë të dukshme pranë autostradës, shkollave, qendrave të qyteteve. Xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen.”

Sipas Krasniqit, Beogradi ndikimin e tij e ka shtrirë nëpërmjet operatorëve që i ka në “struktura të ndryshme të shoqërisë sonë, si në ato të fesë dhe në segmente shtetërore të Kosovës, përfshirë këtu BIK-un dhe Sistemin e Drejtësisë”. Për historianët Shasivar Kabashi e Ardian Muhaj ky është një narracion i vjetër, të cilit i ka dalë boja dhe me të cilin nuk duhet shpenzuar energji për ta komentuar.

“Mendoj se nuk ia vlen të merresh as ta vrasësh mendjen për esktremistë të dyzuar, kur ky popull ka kaluar kalvarin e ekstremistëve të veshur me pushtet politik totalitar e megjithatë ia ka dalë të triumfojë mbi ekstremistët e indoktrinuar. Them se nuk ia vlen të merresh me ta, sepse tashmë nuk janë askush dhe asgjë në krahasim me paraardhësit e tyre që fusnin pushkët në kishën e Shkodrës dhe pastaj akuzonin priftërinjtë për agjentë të Vatikanit, duke vrarë pa gjyq, masakruar e persekutuar besimtarët e të gjitha besimeve, intelektualët më të shquar e patriotë vetëm për t’i bërë qejfin Beogradit. Janë i njëjti mendim e ideologji që arritën deri aty sa edhe Fishtës tashmë të vdekur ia dhunuan varrin dhe ia hodhën eshtrat në lum, sepse kështu ia donte qejfi padronëve të tyre në Beograd. Janë e njëjta linjë çmendimi e vërbërie që shkatërruan gjithçka që kishte krijuar ky popull në shekuj, mijëra kisha e xhamia, saraje e pazare. Ndryshimi i vetëm është se sot kanë krijuar bindjen e gabuar se besimtarët e një feje janë më të lehtë për t’u sulmuar dhe shfryjnë ekstremizmin e inferioritetin e tyre kundër kësaj feje fisnike” – tha Muhaj për Gazeta e Re.

Shasivar Kabashi, nga ana tjetër, shkrimin e Krasniqit e sheh të ndikuar nga propaganda mediale serbe:

“Duke qenë dëshmitarë që jetojmë në një periudhë shumë dinamike të informacionit të ndihmuar nga teknologjia dhe interneti, mundësia për dezinformim dhe mashtrim të opinionit publik është edhe më e madhe. Nisur nga ky kontekst, grupe të caktuara të interesit gjithmonë shfrytëzojnë këto mundësi për dezinformim dhe mashtrim të opinionit publik për arritjen e qëllimeve të tyre të caktuara. Sa i përket shkrimit të fundit të z.Krasniqit në murin e tij në facebook, në të cilin ofron dhe i referohet gjoja një “dokumenti sekret”, por mbi të cilin nuk ka asnjë burim dhe referencë të origjinës, e që atakon kështu pjesë dhe komunitete të caktuara të shoqërisë tonë, mund të themi se kjo qasje mbi informacionin, dëmton gjuhën e fakteve dhe argumenteve burimore mbi të cilat duhet ndërtohet informacioni. Për më tepër që kjo mënyrë e ofrimit të “faktit” bën pjesë në botën konspirative dhe që mund të sjell reagime dhe destabilizim shoqëror.”

Nga ana tjetër për Muhajn, “përparimi dhe ngritja” e standardit jetësor, do të duhej të shndërrohej në preokupim të të gjitha institucioneve dhe jo prania e ekstremeve brenda saj. Sipas tij, arsimimi dhe ngritja intelektualëve “e njerëzve besimdrejtë që për fatin tonë të mirë janë shumica dërrmuese” do të duhej të bëhej pjesë e shqetësimit dhe jo e kundërta.

“Të largohemi sa më shumë nga shndërrimi i fesë, në rastin konkret të Islamit në show, ku patjetër duhet të thuash diçka edhe në se nuk je i aftë për të thënë diçka me vlerë. Nuk ka pse të shqetësohet askush nga ekstremistët që duan të shkatërrojnë e t’u vënë drynin xhamive me justifikime e mashtrime të dala boje tashmë, por duhet që vetë bashkësia e besimtarëve të ruhet nga shpenzimet e tepërta dhe të pavend të bamirësive dhe kontributeve. Nuk ka nevojë të merret mendja dhe as të na shqetësojë asnjë esktremist pse del kundër ndërtimit të xhamive, por vet myslimanët duhet të shqetësohen nëse vërtetë ndërtohen xhamia pa xhemat, pasi kjo nuk ka të bëjë thjesht me imazhin e Kosovës por pikësëpari me shpërdorimin e kontributeve dhe sadakasë. Nga ana tjetër po ashtu duhet të shqetësohemi dhe të ngremë zërin fort e me ballë lart kudo ku vërehet diskriminim i shumicës së popullsisë, ashtu sikurse na kërkohet të reagojmë ndaj diskriminimit të pakicave. Rasti më flagrant i diskriminimit të shumicës së popullsisë është mungesa dhe vonesa e xhamisë së madhe të Prishtinës. Asnjë justifikim ligjor, logjik, gjeopolitik apo diplomatik nuk vlen përballë një diskriminimi të tillë të shumicës myslimane, përballë privimit nga e drejta për të pasur një xhami që të përmbushë nevojat minimale të xhematit. Vetëdiskriminimi është dera e lënë hapur krah më krah që ne të na diskriminojnë të tjerët. Reagimi ndaj diskriminimit është përpjekje humaniste, që e ngre njeriun në nivelin që i takon. Mos pranimi i diskriminimit është ilaçi më i mirë ndaj sojit të ekstremistëve që fusnin pushkët në kisha apo që shembnin minaret e ndërtuara me djersën e kontributin e stërgjyshërve tonë. Të tillëve esktremistë nuk u nevojitet asnjë dokument i shpikur përveç indoktrinimit që e kanë me bollëk dhe urrejtjes që ua kanë lënë trashëgimi mentorët e tyre që na vendosën nën sundimin e Moskës e të Pekinit” – përfundon komentin e tij Muhaj.

Por Artikullin e Krasniqit, i cili shkaktoi debat në rrjetet sociale, e kanë kontestuar tashmë shumë të tjerë përpara tij. Sipas Riedlmayer “gjatë luftës së viteve 1998-1999, 218 xhami, rreth 40 për qind e të gjitha xhamive në Kosovë, u shkatërruan apo dëmtuan, si pasojë e sulmeve nga forcat serbe. Forcat serbe po ashtu dogjën e shkatërruan pazaret e vjetra në qytetet e Gjakovës, Pejës dhe Vushtrrisë, ata shkatërruan xhaminë e vjetër dhe kullat historike në qytetin e vjetër të Deçanit, por shkatërruan edhe shumë qytete dhe fshatra të tjera. ”

Në fakt, të dhënat tregojnë që pushtues të ndryshëm, në periudha të ndryshme, kanë rrënuar qindra xhami dhe se ushtria militare e paramilitare serbe, nga kjo perspektivë, nuk përbënë ndonjë dallim. Disa prej xhamive më të njohura, kanë përjetuar mbi themelet e tyre plot rrënime e rindërtime. Një ndër to është edhe ajo e Kalasë së Prizrenit, e cila i takon shekullit XV-të. Dy shekuj pas ndërtimit, ajo u rrënua nga austriakët, për t’u ri-ngritur përsëri nga osmanët. Fati i saj ishte i destinuar të përjetonte rrënime të mëpastajme. Por ajo e kalasë, nuk është e vetmja, gjurmë të një xhamie të vjetër, janë gjetur edhe pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë, ndërsa Xhamia e Ibrit, është ndër më të njohurat për sa i përket këtij aspekti. Në këtë kontekst, propaganda e lidhjes së xhamive apo bashkësisë më të madhe besimtarëve në vend me çfarëdo agjende të huaj anti-shqiptare, del të jetë më se qesharake./ImerTopanica

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit