Prej dy ditësh, ky është një lajmi më i rëndësishëm që qarkullon në median ndërkombëtare. Meng Wanzhou, drejtuese e lartë e gjigandit kinez Huawei dhe bija e themeluesit të kompanisë, është arrestuar në një aeroport të Kanadasë.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se qeveria e tij nuk është e përfshirë në arrestimin e zyrtares së gjigandit të telekomit. Ai tha se gjyqësori në vendin e tij është i pavarur. Kina ka kërkuar lirimin e saj, duke e quajtur arrestimin një dhunim të të drejtave të njeriut.
Ajo është arrestuar pas një kërkese për ekstradim nga ana e SHBA. Por akuzat ndaj saj nuk janë bërë akoma publike. Kompania thotë se nuk është në dijeni të ndonjë shkelje nga ana e saj. Arrestimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës janë në një pikë të ndjeshme në lidhje me çëshjet e tregtisë. Disa media sugjerojnë se ajo është arrestuar për shkak të një hetimi amerikan në lidhje me dhunimin e mundshëm të sanksioneve ndaj Iranit.
Huawei është një prej kompanive më të mëdha në botë, madje ka parakaluar kompaninë Apple duke u bërë prodhuesi i dytë më i madh i celularëve të zgjuar pas Samsung. Por perëndimorët druhen se Pekini do të mund të fitojë akses tek gjenerata e pestë 5G dhe rrjetet e tjerë të komunikimit mes kompanisë Huawei duke zgjeruar ndjeshëm aftësitë për spiunazh. Firma nga ana e saj insiston se nuk është nën kontrollin qeveritar.
Ligjvënësit amerikanë e kanë akuzuar vazhdimisht kompaninë se përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Kurse Japonia ka ndaluar në vendin e saj produktet Huawei dhe ZTE për shkaqe të sigurisë kibernetike.
Po kush është 46-vjeçarja Meng Wanzhou
Ajo është vajza më e madhe e themeluesit të Huawei, Ren Zhengei, 74 vjeç, lindur nga gruaja e tij e parë. Në vendin e saj njihet si ‘Princesha e kuqe’ dhe shihet gjerësisht si trashëgimtarja e babait, një ish-ushtar komunist që ka themeluar në moshën 43-vjeçare një kompani me vetëm 3 mijë dollarë, por që tani është e dyta në botë për shitjen e celularëve.
Tre dekada më vonë ai është një prej njerëzve më të pasur në Kinë me një pasuri prej 3 miliard dollarësh. E bija është e 12-ta në Kinë sa i përket pasurisë.
Meng njihet edhe si ‘anija e vonë’ për shkak se nuk i pëlqen publiciteti. Intervistën e parë e ka dhënë kur ishte 41 vjeç, dy dekada pasi kishte nisur të punonte për babanë.
Kurse motra e saj 20-vjeçare bën një jetë glamur si një prej balerinave më të famshme në Paris.
Meng njihet si ‘Princesha e kuqe’ për shkak të lidhjeve të forta me Partinë Komuniste. Kur nisi punë në kompani, shumë pak e dinin se ajo ishte vajza e drejtorit.