Edhe 25 vite pas ekzekutimit të tij nga policia kolumbiane, trashëgimia e Pablo Escobarit refuzon “të vdesë” në Medellin, qytetin prej nga ku ngriti dhe drejtoi perandorinë e tij të kokainës, me një përzierje mes brutalitetit dhe bujarisë së skajshme me dhuratat e tij.
Edhe pse zyrtarët aktualë të qytetit po përgatiten të rrënojnë rezidencën bunker, ku bosi i vrarë i drogës jetoi, në lagjen që mban emrin e tij, banorët që jetojnë pikërisht në shtëpitë e ndërtuara prej tij planifikuan “haraçet” e përzemërta përpara se të shënonin përvjetorin e vdekjes së tij, ditën e diel.
Escobar u vra mbi një çati shtëpie, pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, më 2 dhjetor 1993 në Medellin, vetëm një ditë pas 44-vjetorit të lindjes së tij, si dhe 5 muaj pasi u shfaq në listën e më të pasurve të botës, për të shtatin vit radhazi, të revistës “Forbes”. Rezidenca e tij 8-katëshe, e quajtur “Monaco”, një simbol i pasurisë dekadente të mafies kolumbiane në vitet ’80-’90, është përkeqësuar vit pas viti që prej vdekjes së tij. Struktura e saj e dëmtuar, megjithatë, mban ende plagët e shpërthimeve të para të autobombave në Kolumbi, në vitin 1988, që ishte edhe fillimi i një lufte të përgjakshme mes karteleve rivale në vendin amerikano-latin.
Ndërtesa gjigante e bardhë pritet të shembet në shkurt, në një demontim të dhunshëm që do të kompletohet edhe me karrige për shikuesit e interesuar për ta parë nga afër. “Monaco u bë një antisimbol, në një vend ku disa persona janë ende mbrojtës të sinqertë të krimit dhe terrorizmit”, thotë Manuel Villa, Sekretari bashkiak i qytetit, i cili do të zhvillojë edhe numërimin mbrapsht zyrtar drejt shpërthimit të ndërtesës me eksploziv. “Ne nuk duam më fëmijë që të thonë se duan të bëhen si Pablo Escobar kur të rriten”, tha më tej ai.
Godina, një nga atraksionet kryesore për turistët në lagjen luksoze “El Poblado” të Medellinit, do të zëvendësohet nga një park publik i dedikuar për mijëra njerëzit e vrarë në Kolumbi nga “narkoterrorizmi”, duke iu referuar kështu periudhës së luftës mes karteleve por edhe me shtetin, në vitet ’80-’90. Parku publik pritet të kushtojë rreth 2.5 milionë dollarë. Rinovimi dhe përforcimi i ndërtesës së rrënuar, ndërkohë, do të kishte kushtuar plot 11 milionë dollarë, sipas zyrtarëve të qytetit.
“Do të jetë e dhimbshme ta shembim, – thotë Villa. – Por, është e vetmja mënyrë sesi mund të shërojmë disi plagët tona”. Shoqëria kolumbiane mbetet gjithsesi e përçarë thellësisht mbi trashëgiminë e Escobarit dhe baronëve të tjerë të drogës. Disa prej tyre duan të “shuhet” narkokultura që rëndon mbi vendin. Sipas zyrtarëve të Medellinit, dhuna e shkaktuar prej pazareve të drogës në Kolumbi vrau 46.612 njerëz të pafajshëm mes vitit 1983 dhe 1994. Në krahun tjetër, Luz Maria Escobar ka ndryshuar gurin e varrit të vëllait të saj, pikërisht përpara përvjetorit të vdekjes së tij, mes syve kuriozë të turistëve. E mes lotëve në sy, ajo lexon mbishkrimin e ri: “Përtej legjendës që ti simbolizon sot, pak e dinë thelbin e vërtetë të jetës tënde”.
Luz Maria e pranon se vëllai i saj bëri gabime, por kundërshton planet e Bashkisë së qytetit për të zhdukur edhe shtëpinë e tij. “Duke e shembur Monacon, nuk kanë për ta fshirë historinë e Pablos”, tha ajo.