2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Këta janë njerëzit më të mashtruar

Më të lexuarat

Njerëzit më të mashtruar janë ata të cilët janë joshur nga jeta e dynjasë dhe kënaqësia e shpejtë e saj. Ata kanë preferuar këtë botë mbi jetën e botës tjetër. Madje, disa prej tyre thonë: “Dynjaja është si shpërblimi në dorë, kurse bota tjetër është si shpërblimi i vonuar. Shpërblimi në dorë është më i dobishëm sesa shpërblimi i vonuar.”

Disa të tjerë thonë: “Më mirë një thërrime të shpejtuar sesa një perlë të premtuar.”

Ndërsa, disa të tjerë shprehen me fjalët: “Kënaqësitë e kësaj bote janë të sigurta, kurse ato të botës tjetër janë të dyshimta, kështu që mos e braktis të sigurtën për hir të asaj që është e dyshimtë.”

Këto mendime janë mashtrimet dhe trillimet më të mëdha të Shejtanit. Edhe kafshët janë më të logjikshme se kaq, sepse kur kanë frikë nga dëmi i diçkaje, ato nuk i afrohen asaj edhe sikur t’i godasësh.

Nëse ndonjëri prej këtyre njerëzve beson tek Allahu, tek i Dërguari i Tij, te takimi me Të dhe te shpërblimi i Tij, ai do të jetë prej njerëzve më të dëshpëruar, sepse e ka bërë këtë me dijeni të plotë. Por, nëse nuk beson tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij, atëherë ai është shumë më larg.

Thënies së tyre: “Shpërblimi në dorë është më i dobishëm sesa shpërblimi i vonuar”, ne i përgjigjemi duke thënë se, nëse do supozonim se shpërblimi në dorë është i njëjtë me atë që do të bëhet më vonë, atëherë ajo që shpërblehet në moment është më e mirë, por nëse nuk janë të njëjtë, atëherë shpërblimi i mëvonshëm është më i madh, më i mirë dhe më i hajrit. Atëherë, si mund të ndodhë kështu, kur e gjithë jeta e kësaj bote, nga fillimi deri në fund të saj, nuk është veçse një frymëmarrje në krahasim me botën tjetër?

Imam Ahmedi dhe Et-Tirmidhiu transmetojnë nga El-Musteurid Bin Shedadi se Profeti (a.s) ka thënë: “Jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është sikurse masa e ujit që merr një njeri kur fut dorën e tij në det.”

Pra, të preferosh shpërblimin e shpejtë mbi atë të vonuarin është nga mashtrimet më të mëdha. Nëse kjo është masa që zë dynjaja në krahasim me botën tjetër, atëherë si mund të jetë jeta e njeriut në krahasim me Ahiretin?

Cila duhet të jetë më e rëndësishme për njeriun që ka mend? A është më mirë të preferosh të shpejtën në këtë periudhë të shkurtër apo të privohesh përjetësisht nga e mira në botën tjetër?

Kurse, për thënien tjetër: “Mos e braktis të sigurtën për hir të asaj që është e dyshimtë”, ne përgjigjemi: Ose je në dyshim për premtimin e Allahut, për kërcënimet e Tij dhe vërtetësinë e të dërguarve, ose je shumë i sigurtë rreth tyre. Nëse është kjo e fundit, atëherë dije se ke marrë vetëm një thërrime që kalon shpejt në vend të një gjëje të sigurtë, për të cilën nuk ka asnjë dyshim.

E nëse ke dyshime, atëherë riktheju edhe një herë argumenteve të Zotit që tregojnë për ekzistencën e Tij, për forcën dhe dëshirën e Tij, për njësimin e Tij dhe për vërtetësinë e të dërguarve. Pastrohu, shiko dhe diskuto për hir të Allahut, derisa të të bëhet e qartë se argumentet që sollën të dërguarit rreth Allahut, janë e vërteta.

Nëse njeriu vëren me kujdes gjendjen që në fillesat e tij, që është sa një pikë ujë derisa të jetë plotësuar, me kalimin e kohës do t’i bëhej e qartë se cili është Ai që është kujdesur për të dhe që e ka kaluar në këto etapa. Nuk do të ishte aspak e përshtatshme që ta nënvleftësonte dhe ta braktiste këtë njeri kudo, e as të mos e urdhëronte apo ta ndalonte, të mos ia bënte të ditura të drejtat e tij apo të mos e shpërblente dhe dënonte.

Nëse njeriu do të tregohej më i vëmendshëm, atëherë ai do ta kuptonte se çdo gjë që e sheh dhe që nuk e sheh, është argument për njësimin, profecinë, ditën e gjykimit dhe Kuranin.

Arsyetimin e bazuam në librin “Betimet në Kuran” me thënien e Allahut: “Pra, Unë betohem në atë që e shihni dhe në atë që ju nuk e shihni! Me të vërtetë, ai (Kurani) është fjalë që e lexon i dërguari bujar.” Një pjesë të kësaj e kemi bazuar te thënia e Allahut: “Po në vetet tuaja, a nuk shikoni?”, sepse njeriu është argument i vetvetes për ekzistencën e Krijuesit dhe njësimin e Tij, për vërtetësinë e thënieve të të dërguarve të Tij dhe argumentimin e cilësive të Tij.

Kështu, duket qartë se ky i humbur është i mashtruar në të dyja aspektet, në atë të miratimit e besimit të palëkundur dhe në aspektin e përgënjeshtrimit e të dyshimit.

Si mund të mendosh që njeriu ka besim të patundur për takimin me Allahun, për Xhenetin dhe Zjarrin, ndërkohë që nuk vepron në përputhje me këtë besim?

A është prej natyrës njerëzore që robi ta dijë se atij i kërkohet që nesër të paraqitet përpara mbretërve, për t’u dënuar me dënimin më të rëndë ose për t’u shpërblyer me shpërblimin më të madh, ndërkohë që e ngrys natën i shkujdesur, i pavëmendshëm, duke mos e patur parasysh situatën e qëndrimit para mbretërve, duke mos u përgatitur për këtë takim dhe duke mos u frikësuar për të?

Mund të thuhet se me të vërtetë, kjo është një pyetje e saktë, e cila u drejtohet shumë prej njerëzve dhe harmonia e këtyre dy qëndrimeve është prej gjërave më të çuditshme. Kjo mungesë përkushtimi ndodh për disa arsye, ku njëra prej tyre është dija e pakët dhe siguria e pamjaftueshme (rreth jetës në botën tjetër). Ai që mendon se dija nuk është e niveleve të ndryshme, ka gabuar rëndë.

Ibrahimi (a.s) i kërkoi Zotit që t’i ngjallte të vdekurit para syve të tij. Këtë gjë e bëri sepse ishte i sigurtë për fuqinë e Zotit, por donte që zemra e tij të ndihej më e qetë dhe se ajo që njihej si e fshehtë, të dëshmohej me sy.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit