Drejtuesit e një shkolle në Nisa kanë denoncuar një nxënës 8-vjeçar, i cili pas sulmit në “Charlie Hebdo” kishte thënë se ndihej nga ana e terroristëve.
Mësohet se një ditë pas masakrës, Ahmedi i vogël, emri i të cilit zbulon se është me prejardhje nga familje myslimane, kishte thënë në shkollë: “Jam nga ana e terroristëve, sepse jam kundër atyre që bëjnë karikatura të Profetit Muhamed”.
Për këtë arsye drejtori i shkollës vendosi të bëjë një padi për mbështetje të terrorizimit kundër Ahmedit.
Sipas burimeve të policisë, në denoncim thuhet se 8-vjeçari kishte prononcuar edhe frazën: “Duhen vrarë francezët” dhe “gazetarët e kërkuan vetë”. Ndër të tjera, vogëlushi kishte refuzuar të respektonte minutën e heshtjes në kujtim të viktimave.
Avokati i familjes së 8-vjeçarit tha se ndodhemi përballë një histerie kolektive.
“Klienti im është 8 vjeç! Nuk e kupton rëndësinë e frazave të tij. Nuk ka kuptim”, tha avokati./BW/