Një prej dramave më të mëdha sesa thjesht djegia e fletëve të librave, është të mos i lexosh ato. Për të nxitur leximin te çdo moshë dhe kudo nëpër Shqipëri, Ministria e Kulturës ka prezantuar Lëvizjen Kombëtare për Lexim. Takimi i parë u zhvillua në qytetin e Kukësit, pikërisht për një simbolikë të veçantë që e sqaroi vetë ministrja Mirela Kumbaro.
“Martiri i fundit i poezisë Havzi Nela, u var në litar në qytetin e Kukësit, vetëm pse shkroi një poezi. 30 vite më vonë nisim nga Kukësi Lëvizjen kombëtare për Lexim, sepse ky qytet, edhe në kohërat më të errta ka prodhuar tokë pjellore për shpirtrat letrarë”- tha Kumbaro gjatë një takimi me nxënës, mësues dhe qytetarë të zakonshëm.
Sipas ministres së Kulturës, Lëvizja Kombëtare për Lexim pason fushatën e dy vjetëve më parë, ‘Takohemi për një Libër”.
“Takimi në Kukës është një ogur i mirë për ta çuar më tej në çdo cep të Shqipërisë këtë lëvizje. Asnjëhërë nuk është vonë për të lexuar një libër. Sikur secili prej nesh të bindë së paku një në njëmilion shqiptarët që gjatë vitit të shkuar s’kishin lexuar asnjë libër, i kemi bërë një shërbim shumë të mirë vendit, të tashmes dhe të nesërmes”, tha ministrja e Kulturës duke falenderuar më tej shkrimtarin Petrit Palushi për mbështetjen e klubeve të leximit në këtë qytet.
Lëvizja Kombëtare për Lexim do të përfshijë të gjithë Shqipërinë gjatë muajit nëntor, muaj që përkon edhe me Panairin e Librit.
Teksa diskutoi me të pranishmit politikat e Ministrisë së Kulturës në fushën e librit, Kumbaro tha me humor se ajo do të ishte gati që udhëhiqte nga Kukësi një protesë lirike për librin.
INSTAT publikoi disa muaj më parë një të dhënë dramatike për statistikat kulturore, ku më shumë se 1/3-ta e shoqërisë shqiptare nuk ka lexuar asnjë libër vitin e kaluar. Pra, rreth 1 milion shqiptarë s’kishin lexuar asnjë libër gjatë vitit 2017.
Duke marrë shkas nga kjo, por edhe si vijim i fushatës ‘Takohemi për një Libër”, nis Lëvizja Kombëtare për Lexim. Bind mikun, shokun, fëmijën tënd të lexojë librin e parë. Lexoja ti një libër që librin e dytë ta kërkojë vetë.