Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC) ka publikuar të hënën një raport që shpalos edhe një tjetër herë tiraninë e regjimit të Esadit, i cili refuzon në çdo rast të ketë përdorur armë kimike gjatë 7 viteve të luftës civile në Siri…
Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC) ka publikuar të hënën një raport që shpalos edhe një tjetër herë tiraninë e regjimit të Esadit, i cili refuzon në çdo rast të ketë përdorur armë kimike gjatë 7 viteve të luftës civile në Siri.
Sipas raportit të BBC-së, regjimi ka realizuar të paktën 106 sulme kimike në Siri që nga viti 2013 e këtej duke shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, ndërkohë që regjimi i Esadit është angazhuar të asgjësojë stokun e armëve kimike të vendit duke firmosur Konventën për Armët Kimike (CWC).
Por regjimin e Esadit nuk e ka ndalur as konventa ndërkombëtare në fjalë.
Raporti i BBC-së thekson se numri më i lartë i sulmeve kimike në territoret siriane është kryer në Idlib.
Sulmi kimik i 4 prillit 2017 në kasabanë Khan Shaykhun të Idlibit u pati marrë jetë mbi 80 personave.
Mirëpo ky nuk ishte sulmi i fundit, pasi të tjerë janë regjistruar edhe këtë vit.
Duma, një prej zonave urbane më të mëdha të Gutës Lindore, ka pësuar të paktën 4 sulme kimike në 4 muaj. Mbi 30 civilë janë gjetur të pajetë në katet e nëndheshme të apartamenteve, ku ishin strehuar për t’iu shpëtuar masakrave të regjimit.
Teksa armët kimike vazhdojnë t’u rrëmbejnë të drejtën për të jetuar shumë njerëzve, Bashkimi Evropian vendosi një sistem të ri sanksionesh kundër përhapjes së armëve kimike.
Sipas këtij sistemi, BE-ja do të mund të aplikojë sanksione të rënda edhe kundër atyre që kontribuojnë në prodhimin apo përdorimin e armëve kimike. Në shënjestër të sanksioneve evropiane do të jenë gjithashtu ata që ofrojnë ndihmë financiare dhe teknike për zhvillimin e armëve kimike, si dhe ata që inkurajojnë prodhimin e armëve të këtij lloji.