Dy shqiptarë nga qyteti i Elbasani kanë mbetur të vdekur pas një shkëmbimi zjarri në Roterdam të Holandës, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Bëhet fjalë për Flerenc Tolën 27 vjeç dhe vëllain e tij Klevis Tola 25 vjeç, të cilët janë ekzekutuar në rrethana ende misterioze, ndërsa ka mbetur i plagosur një tjetër shqiptar, Serxhio Piku. Sipas burimeve të tre shqiptarët kanë qenë banorë të lagjes “Çlirimi” në Elbasan, pranë unazës jugore të këtij qyteti. Mediat e huaja raportojnë se nga shkëmbimi i zjarrit i plagosur ka mbetur dhe një shtetas italian, ndërsa ende nuk është bërë i mundur arrestimi i autorëve, identiteti i të cilëve nuk bëhet publik. Vrasja e dy shqiptarëve konfirmohet dhe nga policia shqiptare e kontaktuar nga A1Report. Dy të rinjtë shqiptarë mësohet të jenë vrarë në banesën e tyre në zonën e njohur si lagja e bullgarëve në Roterdam, ndërsa rreth pasdites së 15 janarit policia ka nisur hetimet e njoftuar nga fqinjët për të shtëna me armë.