Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ishte prezent në ceremoninë e diplomimit të 16 studentëve që kanë përfunduar programin 3-vjeçar në shkollën e Magjistraturës gjatë viteve 2015-2018, e që prej nesër hyjnë në sistemit e drejtësisë si “gjak i ri”, për të qenë prokurorë dhe gjyqtarë.
Dhe, duke e lidhur me situatën ku ndodhet sot drejtësia shqiptare, e diskretituar nga gjykimi i opinionit mbi degradimin e saj në vite, e korruptuar dhe ushqyese e korrupsionit, Zaganjori ka zgjedhur që t’u kujtojë se ka një Zot, prej të Cilit duhet kërkuar ndihmë në misionin e dhënies së drejtësisë.
“Për hir të shenjtërisë së detyrës që kryen, nëse magjistrati beson tek Zoti, hera-herës duhet t’i lutet atij për udhëheqje shpirtërore”, ishte një ndër këshillat e kreut të Gjykatës së Lartë, dhënë për magjistrantët e rinj.
Të tjerat, si një set parimesh morale, ishin:
Lodhja e tejskajshme e shoqërisë nga kjo periudhë e tejzgjatur tranzicioni në Shqipëri duhet të jetë një shtysë më shumë për realizimin e detyrave. Dhënia e drejtësisë duke zgjidhur konflikte të shumta në shtet dhe shoqëri me të vërtertë që mund të konsiderohet një privilegj por është dhe përgjegjësi shumë e madhe që duhet të merret seriozisht dhe duhet realizuar me përkushtimin maksimal. Drejtësia është një mision i shenjtë.
-Të tregohet i sjellshëm me palët, dëshmitarët, bashkëpunëtorët dhe kolegët.
-Të jetë i durueshëm për të dëgjuar me vëmendje çdo detaj.
-Të veprojë gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes vetëm ligjin.
– Të mos marrë seriozisht lëvdatat dhe komplimentet e shumta.
-Të ndjekë rregullisht ndryshimet ligjore, një gjyqtar dembel bëhet shpejt gjyqtar i dobët.
-Të mos mërzitet apo të ketë frikë nga prishja e vendimeve të tij në shkallët më të larta të gjyqësorit.
-Të trajtojë me vëmendje çdo çështje që ka në dorë pavarësisht rëndësisë së saj.
-Duhet shpejtësi dhe efiktivitet në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes. Një gjyqtar duhet të jetë dhe një administrator i mirë.
-Duhet të jetë i jetë i kujdesshëm për të vepruar në çdo rast me integritet dhe pavarësi të plotë në zgjidhjen e çështjes.Pa to drejtësia mbetet fjalë boshe, një farsë dhe zhgënjim total për shtetin dhe shoqërinë.
-Për hir të shenjtërisë së detyrës që kryen, nëse magjistrati beson tek Zoti, hera-herës duhet ti lutet atij për udhëheqje shpirtërore.