-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Charlie-të e gazetarisë shqiptare

Më të lexuarat

Pas ngjarjes tragjike që ndodhi para tre ditësh në Paris, në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo, ku humbën jetën 12 persona, ndodhi ajo që pritej. Solidarizimit me jetët e humbura tragjikisht iu bashkëshoqëruan çështje thelbësore në lidhje me lirinë e shtypit, ekstremizmin fetar, korrektesën politike, të djathtën ekstreme etj. Për t’ia nisur nga fillimi, Charlie Hebdo është një revistë e përjavshme satirike franceze, e njohur për tonin provokativ dhe trendin antireligjoz, për polemikat që ngjall, satirën etj. Revista ka satirizuar e qesëndisur të gjitha besimet fetare, figura publike, që nga politikanët e deri tek gjyqtarë, bankierë, liderë fetarë ose jo, artistë etj, shumicën e rasteve duke arritur kufijtë e vulgaritetit. Por vrasjet e kryera kishin lidhje me karikaturat e botuara nga kjo revistë për profetin Muhamed (s.a), duke u quajtur kjo shumë e guximshme përballë ekstremizmit, me ç’rast ishin kërcënuar e sulmuar nga ekstremistët edhe herë të tjera. Solidarizimi i parë ishte i gazetarëve duke mbrujtur guximin e treguar prej satiristëve të kësaj reviste. Edhe gazetarë e publicistë shqiptarë iu solidarizuan e bashkangjitën motos je suis Charlie dhe i pamë në një pozicion të pandodhur kurrë më parë: papritmas i gjetëm të dashuruar me profesionin dhe të kërcënuar nga ekstremistët. Pasi i lexuam në gazeta, i dëgjuam në ekrane të na kërkonin t’i dënonim aktet terroriste sa herë të hapnim gojën, nuk harruan ta stërhollonin debatin tek fajësimi kolektiv. Madje ndonjëri syresh u dëftua sypatrembur dhe se do ta kryente këtë mision deri në fund. Megjithatë ok, por ka një gjë nuk shkon : Cili nga këta gazetarët tanë e sheh veten si Charlie Hebdo? Gjatë 24 viteve kemi parë të ndodhin shumë ngjarje tragjike në Shqipëri, por deri më tani zor se ka dalë ndonjë Charlie Hebdo që ta ketë ushtruar kaq trimërisht zanatin dhe të ketë investiguar e akuzuar kaq rëndshëm, sa t’i ketë bërë llogaritë edhe me jetën e tij në përmbushje të detyrës. Akuzat e gazetarëve tanë thjesht i kanë bërë politikanët tanë të qeshin nën hundë dhe të vazhdojnë sërish punën e tyre, sepse nuk janë ngritur kurrë më shumë se në rangun e thashethemit. Sot po u pëlqen të identifikohen kështu. Për gazetarët tanë ekstremizmi islamik është tema më e preferuar, sepse mund të shkruajnë çfarë të duan, pa iu dridhur qerpiku i syrit se edhe mund të gabojnë trajtesë dhe nuk e kanë fare problem të mbivendosin situata të ndryshme në kontekstin shqiptar. Ndaj solidarizimi me viktimat dhe dënimi i akteve është shumë normal dhe i ndjerë, por përbetimet e të ndjerit të kërcënuar është komplet falls. Por nëse këtu në Shqipëri na mbysin analistë e gazetarë, besoj se kolegët e tyre në perëndim në mediat e shkruara dhe vizive e shohin ngjarjen në një spektër më të gjerë dhe thërrasin ndonjëherë edhe sociologë, psikologë a filozofë për të qartësuar situatat apo fenomene të ndryshme e për t’i kontribuar sqarimit të çështjeve që shqetësojnë shoqërinë kohë pas kohe. Kryefjala e mediave në ngjarjen e rëndë ishte fakti se terroristët donin të godisnin lirinë e shprehjes, e konsideruar si e shenjtë dhe e paprekshme. Sigurisht kjo ndodh kështu deri në momentin kur kuptohet se liria e shprehjes mund të mos ketë kufi, por duhet të ketë moral. Në një intervistë të dhënë për stacionin zviceran SRF, profesori i sociologjisë dhe publicistikës në Universitetin e Zürich-ut, pro.f dr. Kurt Imhof, mbeshtet idenë se liria e shprehjes duhet të ketë kufij moralë dhe etikë. Prej saj nuk pritet të bëjë thirrje për luftë civilizimesh. Ai mendon se origjina e gjithë kësaj është gazeta daneze me orientim nga e djathta ekstreme “Jyllands-Posten”, e cila publikoi disa karikatura të profetit, jo si liri shtypi, por me ndërgjegje të plotë si veprim antimusliman. Më pas karikaturat u morën edhe nga gazeta të tjera satirike, të cilat e përdorën më shumë si reklamë, duke e ngritur denigrimin e religjioneve në vepër heroike publicistike. Sigurisht – vazhdon ai – duhet dhe lejohet të merret çdo temë, por denigrimi i religjioneve çon në konflikte të shumicës me pakica, që nuk mund të kontrollohen. Kjo mund të shihet fare mirë tek ithtarët e sfondit antiislamik në Europë, të cilët po i përdorin ngjarjet në Paris për qëllimet e tyre. Sipas profesorit diskutimi nuk shtrohet nëse liria e shtypit apo satira të bëhen në mënyrë të njëanshme, por çfarë është e dobishme. Nga satira dhe karikaturat priten efekte distancimi, të punuara me humor, qoftë edhe me humor të zi. Por të satirizosh figura fetare lakuriq apo me objekte në vende intime, nuk ka asgjë ironike apo të kuptimshme. Diskutimi në rastin e «Jyllands –Posten» u ngarkua politikisht, sepse ishte e qartë struktura antiislamike. Nëse këto karikatura do të ishin përdorur nga NPD apo PEGIDA diskutimi do të kishte qenë shumë kritik në rrafshin moral dhe etik. Jo çdo gjë që lejohet, është e mirë. Po kështu Bill Donohue, Presidenti i Ligës Katolike për të Drejtat Fetare dhe Civile, konsideron se të vrasësh për shkak të fyerjes, sado e madhe qoftë ajo, duhet dënuar ashpër. Ajo që ndodhi në Paris nuk mund të tolerohet, por gjithashtu e patolerueshme është edhe ajo çka e provokoi. Ajo cka shkaktoi zemërimin e muslimanëve është mënyra vulgare e portretizimit të Muhamedit, si një fyerje që vazhdon prej vitesh. Në vitin 2012 kur Stephane Charbonnier u pyet se përse i fyente muslimanët, ai u përgjigj se Muhamedi nuk është i shenjtë për mua, Ndërkaq – vazhdon Bill Donohue – Muhamedi nuk është i shenjtë as për mua, por nuk do të fyeja kurrë muslimanët duke e përdhosur figurën e tij. Në fakt, liria e fjalës në perëndim nuk është kaq e pafre. Ka shumë tabu që asnjë revistë europiane nuk do të guxonte ti prekë, siç janë talljet me hebrenjtë apo homoseksualët. Përfundimisht, liria e abuzimit dhe perdhosjes nuk duhet të zëvendësojë dhe zvetënojë lirinë e shprehjes, duke e katandisur në justifikim për çdo perversion. Loela Xhafa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit