5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

PSD i rehaton nëpër vende pune, ish aktivistët që u larguan nga VV-ja

Më të lexuarat

Nga Vetëvendosja u larguan me pretekstin se nuk po pajtohen me ideologjinë e kësaj partie. Madje shumë prej tyre që dhanë dorëheqje thanë se po humbin edhe “poste”.

Por pa u bërë as tre muaj që prej ndarjes zyrtare dhe daljes në parti të re, PSD, shumë ish-aktivistë të VV-së tash pjesë saj, kanë filluar të rehatohen nëpër vende të punës, në komunat ku udhëheqë PSD-ja.

Kur në janar të këtij viti krisi kriza e pa menduar në partinë “Lëvizja Vetëvendosje”, dorëheqjet e figurave të mëdha sikurse ajo e Visar Ymerit, Dardan Molliqajt, Dardan Sejdiut e shumë të tjerëve, kësaj liste i ishte shtuar edhe një varg dorëheqjesh të aktivistëve deri atë kohë të VV-së.

Disa prej këtyre aktivistëve, sikurse Gëzon Kastrati, vëllai i Qëndron Kastratit që sapo kishte marrë pushtetin në komunën e vogël të Kamenicës, ishte shumë i zhurmshëm në akuzat për VV-në dhe në mbrojtje të atyre që e kishin lënë tashmë partinë. Sikurse Shpend Ahmeti.

Deri atëherë aktivistë të VV-së, shumica e tyre dolën nga partia me një letër të përbashkët nga partia duke akuzuar për totalitarizëm dhe egoizëm politik të Albin Kurtit bashkë me akuza se partia e tyre deri atë kohë kishte bërë edhe favorizime në punësime.

“Në Lëvizje jemi mësuar që realizimi i vetvetes të jetë në përputhje me interesin kolektiv, gjithmonë duke u nisur nga ky i fundit. Vetëvendosje sot është arenë luftërash meskine, pa kauzë e pa fre. E dimë se po të pranonim të bëheshim pjesë e këtyre ujërave, këtij bataku të cektësisë e servilizmit, do të mirëpriteshim me shpërblime, por kjo është veç arsye shtesë për ta kundërshtuar këtë degradim”.

Një përmbajtje e tillë e tekstit të dorëheqjes ishte publikuar nga shumica e aktivstëve të Vetëvendosjes, por teksa dorëheqjet kanë filluar të harrohen, disa prej këtyre ish-aktivistëve tashmë kanë nisur të rehatohen nëpër poste, që po ua siguron PSD-ja.

Gëzon Kastrati është një nga ta. Por jo i vetmi. Ish-aktivisti i VV-së tash pjesë e partisë PSD, Trim Gashi, Nol Nushi, Diellza Kelmendi e Nezir Ismaili janë tashmë të punësuar në dy komunat ku udhëheqë PSD-ja. Në Prishtinën e Shpend Ahmetit dhe Kamenicën e Qëndron Kastratit.

Insajderi ka gjetur sesi një numër i konsiderueshëm i aktivistëve të dorëhequr nga VV-ja kanë filluar të rehatohen nëpër vende të punës në institucionet që drejtohen nga zyrtarë të lartë të PSD-së.

Gëzon Kastrati, vëllau i kryetarit të Kamenicës, Qëndronit që nga data 13 gusht është emëruar në pozitën e këshilltarit të kryeqytetit.

Kjo përkundër se Insajderi mëson që i njëjti nuk ka të përfunduar studimet në ndonjë Universitet dhe nuk është i certifikuar për punën e caktuar.

Si këshilltare e Shpend Ahmetit në muajin korrik ishte emëruar edhe Diellza Begolli, kandidate për asambleiste nga radhët e VV-së në zgjedhjet e fundit lokale.

Begolli gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet lokale kishte qenë “në përfundim të studimeve në psikologji”.

Kryetari i Prishtinës në stafin e tij të afërt e ka marrë edhe djalin e tezës, Nezir Ismaili. Atë e ka emëruar si asistent ekzekutiv të kryetarit të kryeqytetit.

Për të gjitha këto punësime, Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje te Diellza Kelmendi, shefja e kabinetit të kryetarit të Prishtinës për të kuptuar detaje nga këto emërime, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Në komunën e Prishtinës por në një funksion tjetër është punësuar edhe Trim Gashi. Ky në cilësinë e fotografit zyrtar të komunës.

Edhe Gashi ka qenë një aktivist i zellshëm në Vetëvndosje, derisa përçarjet në këtë subjekt dolën në publik.

Gazeta Insajderi mëson se Trim Gashi nuk ka përvojë për ta kryer këtë profesion si fotograf në Komunë. Në rrjetin e tij social facebook ai thotë se “ka studiuar në Fakultetin Juridik në UP”.

Për emërimin e Gashit, Insajderi gjithashtu ka tentuar të marrë një përgjgje nga zëdhënësi i Komunës, Adonis Tahiri por që i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Gjithë këto punësime kanë ardhur pas largimit të një numri të madh të aktivistëve nga Vetëvendosja, dhe bashkimit në partinë e re PSD.

Një krizë e madhe kishte përfshirë VV-në fundin e vitit të kaluar e cila kulmoi me publikimin e një bisede ku Aida Dërguti e kishte ofenduar kryetarin, Albin Kurti.

Pas disa muajsh të pakënaqurit me në krye Shpend Ahmetin formuan partinë e re, duke e lënë Vetëvendosjen me vetëm 19 deputetë në Kuvend, dhe me vetëm një komunë të udhëhequr.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit