Shoqata për Luftë kundër Islamofobisë në Belgjikë (CCIB) ka njoftuar se gratë janë objektiv të 76 për qind të sulmeve islamofobike në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e CCIB-së në lidhje me sulmet islamofobike të kryera në Belgjikë thuhet se në 76 për qind të këtyre sulmeve si objektiv janë marrë gratë muslimane.
Në raport thuhet se sulmet në fjalë janë kryer në masë të madhe në forma të ndryshme si marrja në objektiv të vendeve për adhurim, dhunë ndaj personave si dhe shpërndarja e urrejtjes në rrjetet sociale.
“Në Belgjikë çdo të dytën ditë po kryhet një sulm islamofobik”, thuhet në raport.
Fusha ku islamofobia është më e përhapur është interneti me 29 për qind ndërsa më pas vijnë jeta e përditshme (17 për qind), arsimi (16 për qind), vendi i punës (14 për qind) dhe politika (8 për qind).
Duke bërë të ditur se raporti është përgaditur nga të dhënat e personave të cilët u janë nënshtruar sulmeve, thuhet se gratë muslimane u nënshtrohen sulmeve islamofobike për shkak të mbulesës së tyre.
Sulmuesit në masë të madhe janë meshkuj ndërsa të dhënat në fjalë nuk e tregojnë saktësisht gjendjen për shkak se persona të shumtë mbesin të heshtur ndaj sulmeve të tilla.