“Varësia e tregtisë ndërkombëtare ndaj dollarit amerikan ka filluar të bëhet pengesë përballë nesh. Andaj, ne propozojmë të fokusohemi mbi alternativën e bërjes tregti me valutat tona”, tha Erdoğan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, propozoi shqyrtimin e alternativës për tregti me valuta vendase, duke thënë se varësia ndaj dollarit amerikan ka filluar të bëhet pengesë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Varësia e tregtisë ndërkombëtare ndaj dollarit amerikan ka filluar të bëhet pengesë përballë nesh. Andaj, ne propozojmë të fokusohemi mbi alternativën e bërjes tregti me valutat tona”, tha Erdoğan në Samitin e 6-të të Këshillit Turkik në Kirgistan.
“Disa vende përpiqen t’i nxjerrin në plan të parë kërcënimet, shtypjet dhe shantazhin, në vend të diplomacisë, dialogut dhe multilateralizmit në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare. Si pasojë e metodave si kufizimet tregtare, tarifat doganore dhe sanksionet, marrëveshjet që janë vepër e shumë viteve mund të bëhen të pakuptimta për një çast”, tha presidenti turk.
Erdoğan theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbrojë dialogun, diplomacinë dhe drejtësinë në solidaritet me komunitetin ndërkombëtar.
Ai shtoi se bashkëpunimi dhe solidariteti mes shteteve turkike do të kontribuojë në funksionimin e drejtë të sistemit ndërkombëtar, shtoi Erdoğan.
Presidenti i Turqisë theksoi Ballkanin, Afrikën e Veriut dhe Palestinën nuk i konsiderojnë jashtë botës turkike.
“Derisa çështja palestineze të mos arrijë një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme, as vendosja e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar nuk do të jetë e mundur”, deklaroi Erdoğan, duke riafirmuar zotimin për të vazhduar përpjekjet për paqe dhe drejtësi në rajonet si Palestina, Siria, Iraku, Jemeni dhe Afganistani.
Samiti mbahet në mikëpritje të presidentit të Kirgistanit Sooronbay Jeenbekov në Qendrën Kulturore Rukh Ordo.
Krahas presidentëve të Turqisë, Azerbajxhanit, Kazakistanit dhe Uzbekistanit, edhe Hungaria si shtet vëzhgues është përfaqësuar nga kryeministri i saj.