-2.1 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Profeti Muhammed alejhi selam si kryetar familjeje

Më të lexuarat

Nuk ka asnjë dyshim se kjo shtëpi ka qenë shtëpia dhe foleja familjare më e lumtur, më me fat dhe më e begatë se të gjitha shtëpitë dhe foletë familjare që janë ngritur mbi tokë e që do të ngrihen në të ardhmen! Në shtëpinë e tij në çdo kohë ndihej lumturia. Kjo shtëpi ishte ndoshta një ndër më të varfrat në botë nga mundësitë materiale, sepse kalonin muaj dhe aty s’gatuhej as dhe një supë, kurse strehimi i secilës prej grave përbëhej vetëm nga një dhomë e vogël ose nga një si kthinë e ngushtë. Ato gra fatbardha parapëlqenin ndaj çdo gjëje të kësaj bote të rrinin qoftë edhe nja dy orë në javë me të. Ato ishin tejet të lumtura e të kënaqura.

Të gjithë fëmijët e Profetit vdiqën para tij, përveç të bijës Fatime, e cila jetoi edhe pak kohë pas tij. Edhe ajo bënte vazhdimisht një jetë të vështirë. Pra, as asaj Profeti nuk i pati përgatitur një jetë me mirëqenie. Megjithëkëtë, si gratë, ashtu dhe kjo vajzë, fryti i zemrës së tij, e donin si të marra atë dhe e mbanin më të çmuar se çdokush, se çdo gjë! Në zemrat e tyre, i Dërguari i Allahut kishte një vend të zgjedhur mbi çdo përfytyrim.

Kur i vdiq i ati, Fatimeja derdhi lot për shumë ditë me radhë dhe thuri vargje zemërcopëtuese. Ajo mundi ta durojë ndarjen prej të atit vetëm gjashtë muaj dhe pastaj shkoi pranë tij me gëzim të madh. Asnjë fëmijë nuk e ka dashur të atin sa Hz. Fatimeja! Dhe asnjë baba nuk i ka dashur fëmijët sa ç’i ka dashur i Dërguari i Allahut, i cili, ndërkaq, ka qenë i ekuilibruar edhe në këtë drejtim. Të tilla i pati ai marrëdhëniet edhe me gratë e tij. Asnjë grua nuk e ka dashur të shoqin sa ç’e kanë dashur bashkëshortet e veta Profetin. Sigurisht, kjo aureolë dashurie e formuar rreth tij e ka pasur një shkak. Me mënyrën e trajtimit që u bënte Profeti atyre që kishte pranë dhe me edukatën me të cilën sillej ndaj tyre, bënte të lindte ndër zemra një interesim e një lidhje e pafundme. Pastaj ky interesim e kjo lidhje ndaj tij e nisur në familje, u zgjerua dallgë-dallgë gjersa përfshiu pothuaj gjithë njerëzimin. Dhe ky ishte një dimension tjetër i zgjuarsisë së tij profetike!

Mendoni se, kur pati vdekur, Profeti nuk pati lënë shtëpi për asnjërën nga gratë. Ato kishin trashëguar prej tij vetëm ato dhoma të vogla ku patën futur kokën në të gjallë të tij. Biografët thonë se ai u pati lënë si trashëgim grave nga një dhi për ta mjelur. Ja, vetëm kaq gjë pati mundur t’u sigurojë bashkëshorteve ai njeri për të cilin qe krijuar gjithësia, dhe pati ndërruar jetë duke i lënë ato në një varfëri të tillë. Ndërkaq, asnjëra prej grave, në asnjë periudhë të jetës së tyre bashkëshortore nuk pati thënë ndonjë fjalë që të shprehte ankesë për këtë gjendje. Edhe nëse për një moment, në kokën e ndonjërës prej tyre pati kaluar një gjë e tillë, me paralajmërimin e Kur’anit qe shuar. Hz. Ebu Bekri u jepte diçka nga malli i shtetit dhe ato mjaftoheshin me ç’u jepej. Edhe kjo nuk ishte kushedi çfarë, vetëm aq sa ç’u jepej njerëzve të radhës. Hz. Ebu Bekri nuk i pati trajtuar ato as në nivelin e atyre që patën hyrë të parët në Islam, kështu që u pati lidhur atyre zonjave të bekuara një rrogë të vogël, shumë më poshtë se të muslimanëve të parë. Kështu pati vepruar Hz. Ebu Bekri, sepse i tillë ishte opinioni i tij. Por kur u bë kalif Hz. Omeri, u lidhi të vejave të Profetit rrogë të shkallës së parë. Sipas tij, edhe pse gratë e Profetit nuk i përkisnin kohës së muslimanëve të parë, duhet të trajtoheshin së bashku me to pasi ishin njerëzit më të afërt të Profetit dhe do të vazhdonin të konsideroheshin gjer në kiamet nëna të muslimanëve. Edhe Omeri ashtu pati vepruar, sepse i atillë ishte opinioni i tij. Ndërkaq, specifika mbi të cilën ne deshëm të qëndrojmë me këmbëngulje, nuk janë këto gjëra, por çështja e vetme së cilës po i vijmë rrotull, niveli i lartë e i paarritshëm edukativ që arriti Profeti të realizojë te bashkëshortet. Ai qe një edukator i tillë që pati hyrë aq thellë në zemrat e bashkëshorteve, saqë nuk mendonin asgjë tjetër veç tij. Kurse ai u pati dhënë atyre nga gjërat e kësaj bote, domethënë, nga të mirat dhe favoret materiale, vetëm ato gjëra që i përmendëm më lart. Kjo do të thotë se ai kishte një tërheqje të tillë që e magjepste mjedisin që e rrethonte. Edhe kjo situatë flet për një anë tjetër të profetësisë së tij!

Meqë martesën e Profetit me shumë gra si një argument krejt të veçantë të profetësisë së tij, do ta parashtroj kur t’i vijë vendi, tani për tani atë çështje nuk do ta prekim. Ndërkaq, këtu do të them vetëm që shtëpia e bekuar e Profetit ishte si një shkollë ku praktikoheshin situatat specifike përkatëse të femrës. Pozita e veçantë e profetit në atë shtëpi si dhe specifikat përkatëse të femrës mësoheshin atje dhe pastaj i përcilleshin umetit, bashkësisë. Nëntëdhjetëpërqind të konkluzioneve dhe urdhrave mbi jetën familjare na janë përcjellë nga ana e bashkëshorteve të nderuara të të Dërguarit të Allahut. Për rrjedhojë, prania e grave në shtëpinë e tij me gjendje dhe nivele të ndryshme, ka qenë një domosdoshmëri. Vetëm për të mos u asgjësuar konkluzionet fetare, i Dërguari i Allahut i ka vënë gjoksin martesës me shumë gra pas moshës 53 vjeç dhe, në një kuptim, me këtë ka bërë sakrificë.

Po, në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut kishte nevojë për shumë gra. Meshkujt kishin mundësi gjithmonë të rrinin në faltore e të dëgjonin Profetin. Edhe nëse dikush nuk i ndiqte dot bisedat e një dite, shokët ia plotësonin mungesën duke ia përcjellë gjithçka ishte biseduar atë ditë. Por shumica e grave nuk e kishin një mundësi të tillë, sepse ato s’kishin mundësi gjithmonë e për çdo çast ta dëgjonin Profetin. Në këto kushte, kush do t’u fliste atyre veçanërisht për çështjet përkatëse të femrës? Kush do t’ia përcillte bashkësisë jetën private të Profetit, zakonet dhe shprehitë e tij, edukatën, etikën dhe moralin e dhomës bashkëshortore? A mund të mjaftonte, vallë, mundësia e një gruaje për ta përshkruar dhe përcjellë fenë së bashku me të gjitha parimet, bazat dhe disiplinat e saj?

Për shkak të natyrës njerëzore, as gruaja apo gratë e profetit nuk bëjnë përjashtim nga gratë e zakonshme përsa u përket problemeve të përditshme me të cilat përballet një grua e martuar, duke u shtuar, këtyre, edhe problemet e veçanta si bashkëshorte profeti. Atëherë, në rastin konkret të profetit Muhamed, një grua e vetme nuk do të kishte mundësi t’i përcillte e vetme të gjitha situatat, çështjet dhe problemet.

Prandaj gjithmonë ndjehej nevoja e shumë grave që do t’i përballonin dhe të na përcillnin aspektet përbërëse të gjendjes së Profetit, që do të kishin marrëdhënie të afërta e të ngushta me të. Dhe kjo nevojë s’kishte aspak lidhje me anën njerëzore të Profetit. Ajo ishte një nevojë dhe domosdoshmëri që buronte krejtësisht nga nevojat dhe domosdoshmëritë fetare. Edhe Profeti, për shkak të një nevoje dhe domosdoshmërie të tillë kishte marrë përsipër një peshë të rëndë.

Gratë e Profetit, jo vetëm qenë bërë shkas që fiset dhe tributë e tyre të lidheshin me të me lidhje krushqie e gjaku, por qenë bërë edhe ndërmjetëset më të mëdha të ruajtjes së mijëra haditheve. Mund ta them me siguri të plotë se bota femërore u detyrohet në shumë gjëra grave të të Dërguarit të Allahut. Aq shumë shërbime i kanë bërë ato fesë, saqë sikur të gjitha gratë t’i rreshtonin kokat si gurë kalldrëmi nën këmbët e tyre, përsëri nuk do t’ua paguanin dot hakun atyre.

Kështu, pra, as martesa e Profetit me disa gra nuk ishte një nevojë sensuale – sepse në një vend të nxehtë si Arabia kurrë nuk mund të thuhet se një burrë 53 vjeç ka nevojë për t’u martuar me shumë gra – as ato vetë nuk u martuan me të për nevoja sensuale ose për interesa materiale, sepse ai jetonte si njeriu më i varfër ndër njerëzit. Edhe gratë pranuan ose kërkuan të martoheshin me të duke e ditur gjendjen e tij ekonomike dhe mënyrën e jetesës.

Profeti sillej me gratë me drejtësi dhe dinjitet. Ai mund të takohej me secilën vetëm një herë në javë, megjithëkëtë, ato gjithmonë thonin: “I Dërguari i Allahut është njeriu më fytyrëqeshur, njeriu me sjelljet më delikate ndaj grave!”

Ju lutem, a nuk duhet të tregonin sadopak zemërim, si njerëz që ishin, këto gra që në shtëpi s’gjenin gjë për të ngrënë dhe që detyroheshin të vishnin të njëjtën rrobë për një kohë të gjatë? Por jo! Ne s’dimë për to gjë tjetër veç qëndrimeve që shprehnin pëlqim e kënaqësi ndaj tij. Pandeh se ata që do ta analizonin me kujdes historinë dhe bio-bibliografinë, do të më jepnin të drejtë mua!

Pavarësisht nga rëndësia dhe serioziteti i shpirtit profetik që kishte, Profeti afrohej dhe sillej në mënyrë delikate me gratë. Ndërkaq, në mes mbetej vetëm një perde e hollë që kishte të bënte me marrëdhëniet e tij me Allahun, sepse, në fund të fundit, ai ishte një profet. Edhe gratë e tij, para së gjithash, ishin umeti i tij…

Ishte e pamundur që të mbushej boshllëku i lidhjeve dhe marrëdhënieve me të, sepse edhe në këtë aspekt ai ishte i veçantë. Edhe gratë e tij nuk mund të mendonin kurrë një botë pa të.

Me Sevden Profeti pati lidhur kurorë qysh kur ndodhej në Mekë. Ajo ishte, atëherë, gruaja e dytë e Profetit. Por më vonë, nuk e dimë se me ç’shkak apo mendim, në një moment, Profeti deshi ta ndante. Kur e dëgjoi këtë, gruaja u godit rëndë. Ajo vrapoi menjëherë te Profeti vetë si dhe vuri edhe njerëz për të ndërmjetësuar. Ajo i lutej kështu atij: “O i Dërguari i Allahut! Unë s’pres prej tej asgjë të kësaj bote. Edhe një ditë që e pate ndarë për mua, ia kam lënë Aishesë. Po deshe, kurrë mos eja te unë as për të më pyetur se si jam. Vetëm mos më ndaj nga kurora me ty. Dua të shkoj në botën tjetër si gruaja jote. Nuk mendoj dhe s’dëshiroj asgjë tjetër veç kësaj!”[1]  Kjo dëshirë e Sevdes u pranua nga Profeti dhe ajo mbeti si një nga bashkëshortet e nderuara të Profetit.

Ja, kështu pati bërë vend Profeti në zemrat e tyre. Sikur ai ta kishte ndarë ndonjërën prej tyre, pa dyshim ajo do ta vinte kokën në pragun e tij dhe do të priste gjer në kiamet!

Kur pati ndjerë një herë shqetësim prej Hz. Hafsasë, Profeti qe shprehur kështu: “Po të dojë, i jap rrugë!” Edhe kaq pak fjalë, madje, mjaftuan për t’ia thyer krahët asaj. Ata që ndërmjetësuan te Profeti, nuk pushonin së treguari për vetitë e shquara të Hafsasë si grua që falte shumë namaz e agjëronte. Ata iu lutën profetit të mos e ndante Hafsanë.[2]  Dhe ai e konfirmoi edhe një herë qenien e saj që e kishte shoqe dhe bashkëshorte besnike, si banore të shtëpisë së lumtur profetike!

Gratë e quanin ndarjen prej Profetit më të rëndë se vdekjen. Në këtë pikë, të gjitha gratë pa përjashtim këtë ndjenin dhe këtë mendonin! Sepse Profeti i dy botëve kishte ngritur fron në zemrat e tyre në një mënyrë që nuk mund të shkulej e largohej që aty, kishte hyrë mes tyre dhe ishte bërë plotësisht një me to. Ai e kishte ndarë me to jetën e tij të bekuar, të butë e të natyrshme në atë mënyrë që ato e kishin krejt të pamundur të ndaheshin prej tij. Ndryshe, do të vdisnin si nga asfiksia!

Ç’është e drejta, pamja e tyre pas vdekjes së tij ishte pamje ndarjeje, malli dhe dëshpërimi. Sa herë që Ebu Bekri dhe Omeri shkonin te gratë e Profetit, i gjenin ato duke qarë.[3] Kishte ndodhur që edhe ata vetë të uleshin e të qanin bashkë me to dhe kjo pati vazhduar gjatë gjithë jetës së tyre. Ja, të tillë gjurmë të pashlyeshme pati lënë i Dërguari i Allahut tek to. Ndoshta kishin kaluar shumë pak kohë me të, por Profeti i dy botëve qe bërë burim jete për to. Kjo është edhe e veçanta e tij që kërkojmë të tregojmë. Edhe si kryetar familjeje ai kuptohet fare qartë se ishte i Dërguari i Allahut!

Qe një periudhë kur ai i pati të nëntë gratë, të cilat i pati mbajtur dhe trajtuar pa i lënë shteg asnjë problemi serioz. Një kryetar familjeje dhe bashkëshort i tillë delikat e i shquar ishte ai!

Pak ditë para se të vdiste, Profeti pati thënë: “Robi u la i lirë të zgjidhte Zotin apo këtë botë dhe ai zgjodhi Zotin e tij!” Njeri tejet i zgjuar, Ebu Bekri e pati kuptuar aludimin dhe pati qarë me ngashërim.[4]  Robi për të cilin bënte fjalë Profeti, ishte ai vetë. Sëmundja e Profetit nuk vazhdoi gjatë. Çdo ditë që kalonte, sëmundja i rëndohej edhe më shumë. Edhe në atë gjendje ai nuk e braktisi delikatesën dhe respektin ndaj të drejtave të grave. Ngaqë nuk mund t’u shkonte për vizitë në dhomat e tyre,  Profeti iu lut grave ta lejonin të qëndronte vetëm në një dhomë dhe ato të gjitha ia pranuan lutjen. I Dërguari i Allahut i kaloi ditët e fundit në dhomën e Hz. Aishesë.[5]  Kështu, pra, ai i respektonte të drejtat e grave edhe në kushtet më të rënda. Shpirt të tillë kishte ai!

 


[1] Mexhmau’z-Zevaid, 9/246; Muslim, Radá, 47.
[2] Nesai, Talak, 76; Mexhmau’z-Zevaid, 9/244.
[3] Ibni Hisham, Sire, 4/305.
[4] Buhari, Salat, 80; Fedailu’l-As’hab, 3.
[5] Ibni Sad, Tabakat, 2/231; Ibni Hisham, Sire, 4/298.

(Visited 15 times, 1 visits today)
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit